Afera 600 milionëshe e CEZ, Basha: Njerëz me pushtet në Bruksel, pjesë e këtij akti mafioz

532
Kreu i PD-së, Lulzim Basha është shprehur sot se njerëz me pushtet në Bruksel janë bërë pjesë e aferës 600 milionë eurosh të çështjes CEZ. Duke folur në “çadrën e lirisë”, Basha u shpreh këto para janë ndarë nga mafia ndërkombëtare më bashkëpunëtorët në Tiranë.

Ai ka premtuar se PD do ti shkojë deri në fund këtij skandali.

“Agora e sotme ka në qendër të vëmendjes një nga problemet kryesore në vend. Rama premtoi uljen e çmimit të energjisë, por rriti çmimin dhe nisi një fushatë mbifaturimesh duke goditur edhe më fort ata që janë në gjendje të vështire ekonomike: pjesën dërrmuese të popullit shqiptar.

Arrestime, intimidime, prerje të energjisë elektrike, gjithçka për të mbushur arkën e zbrazur nga afera me CEZ.

E dëgjuat me fakte të avokatit, dhe institucioneve ndërkombëtare se si u vodhën 650 milion euro nga xhepat e shqiptareve.

Detyrime të njohura dhe të pranuara ligjërisht nga kompania CEZ, para që duhet të ishin në arkën e shtetit shqiptar, para që nuk erdhën se u ndanë mes mafias ndërkombëtare dhe bashkëpunëtorit të saj në Shqipëri.

Njerëz të fuqishëm dhe me pushtet në Bruksel, janë bërë pjesë e këtij akti mafioz.

Ne do ti shkojmë kësaj afere deri në fund dhe afera të zbardhet në mënyrë që përgjegjësit të dalin përpara drejtësisë së vërtetë, jo asaj kriminale”, është shprehur Basha në bashkëbisedimin e sotëm.
Sigal