Adriatik R. Dosti: Për cilën Shqipëri po flisni Ju z.Palmer ?

121

Për cilën Shqipëri po flisni ju z.Palmer?

 Adriatik R. DOSTI

Pasi foli anglisht në Prishtinë dhe ”tmerroi e kërcënoi Serbinë” vajti në Beograd dhe foli serbisht dhe iu dha ”leksione demokracie” liderëve kosovarë dhe ato që kish pështyrë ndaj serbëve në kryeqytetin kosovar, i harroi në Atdheun e gruas së tij. Dhe në Samitin e Davosit i dërguari special i Amerikës, ose thënë më shqip, saktë e troç Dhëndri i Beogradit me emrin Mathew Palmer foli gjerë e gjatë edhe për Shqipërinë, a thua se ishte përfaqësuesi zyrtar i saj, ose më së paku Ambasadori i Shqipërisë në samitin në fjalë. “Në Shqipëri themelet e Demokracisë janë të forta” – tha fillimisht ai.

  • Për cilën lloj demokracie e ke fjalën, zotëri?
  • Për atë të bijve, nipërve e mbesave të sotëm të ish-byroistëve të djeshëm komunistë që qeverisin vendin?
  • Apo për demokracinë e Ramë – Gramozit dhe të Sabit Brokajt e Spartak Brahos më shokë që u varin shqiptarëve në mes të sheshit kriminelët e vrasësit e tyre të djeshëm e ua servirin dhunshëm për Heronj?
  • Apo e ke fjalën për atë lloj demokracie, ku Kryeministri e zv. i tij kërcënojnë me jetë publikisht një prokuror, e dy ditë më pas ndaj tij bëhet një atentat vdekjeprurës?..etj., etj., etj.

Zgjedhjet në Shqipëri janë të lira dhe populli shqiptar tashmë ka lirinë e duhur të zgjedhë vazhdoi më tej në fjalën e tij Palmer.

  • Për cilat zgjedhje e ke fjalën zotëri?
  • Për ato të 30 qershorit që Ti vetë personalisht nxitove të deklaroje se do t’i njihje i pari, apo flet për atë lloj lirie në zgjedhje ku Rama u serviri shqiptarëve vetëm Partinë e kandidatin e tij dhe ju s’vonuat t’ia njihnit ndërkombëtarisht?

Do të na pëlqente të shihnim një dialog që të sjellë Reformën në Drejtësi, shtoi më tej Palmeri.

  • Për cilën Reformë në Drejtësi e ke fjalën z.Mathew për atë që kryesohet nga kryebanditi e vjedhësi i votave të shqiptarëve Damian Gjiknuri?
  • Apo deshe të thoshe se je besimplotë edhe nga fakti tjetër se Komisionin Parlamentar të Ligjeve në Shqipëri e kryeson krye-ipaafti Ulsi Manja?

Do ta mirëprisnim shumë zbatimin e dokumenteve të OSBE-OHDIR-it në Shqipëri përfundoi në fjalën e tij në emër të Shqipërisë z.Palmer.

  • Për cilën OSBE, e për cilat lloj dokumentesh bën fjalë zoti ”i dërguar special” i Washingtonit për Ballkanin Perëndimor për atë të Ambasadorit palaço e sharlatan të saj njëfarë Borchardi, që ju tregon “Gishtin e Mesit” shqiptarëve bash në tokë e në Atdhe të tyre?
  • Apo e ke fjalën për atë italianin “intrigant”, të cilin e keni vënë në krye të Ambasadës së BE në Tiranë për të bërë gurgule e lëmsh e li edhe më shumë atë vend e atë popull?

Ti fole, o “Dhëndërr”, fole sa deshe….por asnjë nga ne krushqia, si i themi ne shqiptarët, s’të morëm dot vesh së çfarë the dhe se për ke lloj Shqipërie e kishe fjalën.

  • Për tonën a tuajën?…
  • Për atë të shqiptarëve?
  • Apo për atë të Edi Ramës?

Kemi një shprehje të mençur ne shqiptarët, o z. Palmer, e cila thotë…”nëse nuk ke mundësi të bësh mirë, të paktën mos bëj keq!” Ndaj, ma do mendja se edhe ti s’bën fort keq ta mësosh këtë shprehje të bukur e njerëzore tonën. Ok!