Adriatik Llala mbledh kryeprokurorët e rretheve në Tiranë. Ja çfarë u diskutua

577
Kryeprokurori Adriatik Llalla ka mbledhur ditën e sotme drejtuesit e prokurorive. Në një takim të zhvilluar gjatë paradites në Prokurorinë e Përgjithshme, Lalla ka diskutuar me vartësit e tij në lidhje me procesin e vettingut ku një pjesë e mirë e tij, do të përfshijë edhe prokurorinë.
Mësohet se kryeprokurori është shprehur se vettingu në prokurori do të mbyllet brenda kësaj jave.
Gjithashtu deri në 29 shtator do të përfundojë edhe rivlerësimi i prokurorëve që janë kandidatë për në Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Këshillin e Lartë të Gjykatave.
Deklarata e plotë e Prokurorisë së Përgjithshme:
Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, zhvilloi një takim me drejtuesit e prokurorive të të gjithë niveleve për të diskutuar mbi ecurinë e procesit të vlerësimit profesional të prokurorëve, në kuadër të ligjit “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve”.
Në bazë të këtij ligji, Prokuroria e Përgjithshme ka detyrimin ligjor që të mbështesë Komisionin e Vetingut për përmbushjen e një prej tre komponentëve të rivlerësimit të prokurorëve, i cili është aspekti profesional.
Në takim, Prokurori i Përgjithshëm kërkoi dhe, më tej u ra dakord që, deri në fund të kësaj jave e konkretisht deri më datë 29.09.2017, të përfundojë vlerësimi profesional në kuadër të ligjit të Vetingut për prokurorët kandidatët për Këshillin e Lartë të Prokurorisë, si edhe për anëtarët prokurorë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Ndërkohë, po vijon me intensitet puna për përfundimin e rivlerësimit profesional të prokurorëve në Prokurorinë e Përgjithshme dhe të drejtuesve lokalë të prokurorive në nivel Rrethi dhe Apeli.
Më tej, procesi vijon me rivlerësimin profesional për të gjithë prokurorët e Republikës së Shqipërisë.
Raportet e vlerësimit paraprak profesional do të hartohen nga një komision i posaçëm, i krijuar në Prokurorinë e Përgjithshme dhe do t’i vihen në dispozicion Komisionit të Vetingut, i cili do të ndjekë procedurat e mëtejshme të përcaktuara në ligj.
Sigal