Adriatik Alimadhi: Përgjegjësi i humbjes tës ë Djathtës është Lulzim Basha

89
Kryetari i Ballit Kombëtar Adriatik Alimadhi, në intervistë për gazetën “Telegraf” ngarkon me përgjegjësinë e humbjes të së Djathtës kryetarin e PD, sepse nuk i bashkoi aleatët, por sipas Alimadhit, mendoi se do të fitonte i vetëm. Që e Djathta nuk është në qeverisje sot, Alimadhi thotë se ka përgjegjësi PD ngaqë nuk e ndaloi me ligj të keqen që u trashëgua nga komunizmi. Ndaj, thotë Alimadhi, e Djathta duhet të ndryshojë strategji e të përgatitet për zgjedhjet e 2017.
-Zoti Alimadhi cilat janë shkaqet e humbjes të së Djathtës në 21 qershor?
– Shkaqet e humbjes janë disa faktorë; E para është se ndikoi negativisht reforma territoriale, e cila tregoi se ndarja është politike dhe me preferencë të bindshme te e Majta, problemet do dalin në vazhdimësi; Se dyti, ushtrimi i një pushteti i cili bëri presion mbi shoqërinë dhe ndikoi shumë te votuesit në mënyrë të menjëhershme, duke ju thënë mos votoni për kandidatët e opozitës, se unë si kryeministër nuk do t’i mbështes. Nuk do keni investime, ujë, nuk do keni drita. Së treti, përgjegjësi të madhe ka PD e cila në këto vite demokraci, vendosi në vazhdimësi mentalitetin e Majtë në Shqipëri. Ajo duhet të implementonte ligje demokratike dhe duhet ta kishte shkulur me gjithë rrënjë ideologjinë kriminale komuniste. Së katërti, blerja e votës.
– Përse e Djathta dhe PD nuk morrën votat e elektoratit të zhgënjyer nga keqqeverisja e Ramës ku PS mori 311.131 vota më pak se në 2013?
– E çuditshme është që kësaj shoqërie dhe këtij populli sa më shumë t’ja shtëngosh rripin, t’ju bërtasësh, t’i futësh në burg, t’i hedhësh në erë me dinamit shtëpitë dhe pasuritë e ngritura në tranzicion, t’i mbledhësh qindarkën e fundit në xhepa duke ndenjtur në radhë për të paguar energjinë, t’i lësh më të varfër, të betonizosh më shumë, të mos pyesësh njeri dhe institucione, të sillesh si arrogant, t’i tmerosh duke ju thënë që edhe 5 ditë kohë keni etj, aq më shumë e kë bërë për vete. Kjo do të thotë që në jemi një shoqëri me probleme dhe nuk dimë të orientohemi me vetëdije dhe me ndërgjegje se cilat janë pritshmëritë dhe ecurit e proceseve demokratike në Shqipëri dhe nga kush duhet të drejtohen. Këtu përgjegjësia bie mbi kryetarin e PD.
– A ka përgjegjësi PD në humbjen elektorale të 21 qershorit?
– Sigurisht që ka përgjegjësi. Unë mendoj se zoti Basha në këtë fushatë elektorale drejtoi vetëm PD dhe nuk drejtoi një koalicion, ai mendoi se do t’ja dilte i vetëm. Basha ka përgjegjësi për mënyrën e ndërtimit të bisedimeve, të mosmbajtjes së fjalës, të besës, ai na solli në këto zgjedhje. Lulzim Basha u tregua një individ i paqëndrueshëm, dhe nuk mundi të përballonte dot propagandën e së Majtës. 
– Sipas jush cili duhet të jetë reagimi paszgjedhor i së Djathtës për t’u përgatitur për 2017?
– Për shkak të politikave të lehta ndaj komunisteve dhe bijve të tyre nga vetë PD, kjo nuk arriti t’i bindte shqiptarët që ta ketë besimin si e Djathta shqiptare. PD nuk ndëshkoi krimet e komunizmit, duhet të kishte ndëshkuar me ligj ata që lyen duart me gjak shqiptari të pastër, duhet të kishte ndëshkuar me ligj ish drejtuesë të lartë të gjykatës dhe prokurorisë, të gjithë ata që dhanë vendime çnjerëzore, që vranë dhe pushkatuan mijra shqiptarë për bindje të ndryshme politike, për mendime të lira dhe demokratike. La në fuqi ligjin komunist të pronës, nuk ndryshoi historinë, e la historine ashtu siç ishte, të bërë nga njerëz të ulët dhe në mënyrë të padrejtë. Duhet t’i kishte ndëshkuar me ligj fallsifikatorët e historisë. Në bashkëpunim me diasporën shqiptare duhet të kishte marrë nisma ligjore për rikthimin në atdhe të qindra dhe mijra eshtrave të nacionalistëve shqiptarë që ndodhen në dhe të huaj. Nuk hartoi dhe bëri disa ligje për t’ju kthyer pasuritë shqiptarëve që ja sekuestroi regjimi kriminal komunist, ish kulakëve, etj. Ka edhe shumë të tjera, PD nuk doli në lartësinë e bindshme në këto vite që të merrte statusin e udhëheqëseje të djathtë të vërtetë.
– Përse PBK dhe PBKD nuk bashkohen?
– Nuk ka si të bashkohen kur ajo u nda për të mos u bashkuar. Unë mendoj se individët i bashkon fryma, alternativa, programet dhe qëndrueshmëria dhe aktiviteti historik dhe kontributi real mbi to dhe jo interesat personale. Unë di që ballistët dinë të zgjedhin se kush është alternativa e tyre. Për t’u bërë një parti e madhe? Do të duhet edhe pak kohë mendoj, e rëndësishme dhe thelbësore është që të gjitha partitë politike në Shqipëri, Kosovë dhe në të gjitha trevat shqiptare po veprojnë me programin e Ballit Kombëtar dhe çfarë ka thënë Balli Kombëtar po realizohet sot në politikën shqiptare. Ne fitojmë kur të fitojë Shqipëria dhe ne ndihemi shumë mirë për kontributin plotësisht dhe tërësisht kombëtar, të Ballit Kombëtar, për mendimin e lirë dhe demokratik, për idetë e ekonomisë së tregut dhe për frymën e bashkimit dhe vllazërimit kombëtar dhe për këtë shqiptarët janë ndërgjegjësuar dhe duhet t’i kërkojnë ndjesë Ballit Kombëtar, për vrasjet, pushkatimet, burgosjet, internim dëbimet, përbaltjet dhe gjithçka që ndodhi padrejtësisht mbi ta. Ne do vazhdojmë t’ju themi të drejtën dhe vërtetën shqiptarëve.
– A duhet të ndryshojë strategji dhe politikë Opozita meqë deri tani nuk bind?
– Sigurisht që duhet të ndryshojë strategji. Të gjitha ato që thashë më lart besoj se duhet të jenë boshti orientues i çdo opozitari. E Majta nuk ka alternativë, ata janë vetëm një bandë, që mundet t’i vjedhin, lodhin, rrjepin, gënjejnë, mashtrojnë dhe çorientojnë shqiptarët dhe asgjë tjetër. Është padrejtësi që e Majta drejton këtë vend, asaj nuk i takon, proceset demokratike i përkasin vazhdimësisë së të Djathtës shqiptare.