Admiral Foggo vizitoi vendin tonë

530
Nga Shefqet Kërcelli

Në zbatim të programit të bashkëpunimit ushtarak midis Forcave tona të Armatosura {FA} dhe Komandës së Bashkuar në Napoli, {JFC}, më datën 3 dhe 4 prill 2018, zhvilloi një vizitë zyrtare në vendin tonë, Admirali James Foggo, Komandant i Komandës së Bashkuar së NATO-s në Napoli. Fillimisht Admiral Foggo, bashkëshortja dhe stafi i tij, zhvilluan një vizitë në Ambasadën e SHBA në Tiranë. Gjatë vizitës së tij dy ditore, Admirali James Foggo, Komandanti i JFC së Napolit, u takua me Zëvendësministrin e Mbrojtjes, z. Petro Koçi, Shefin e Shtabit të FA shqiptare, Gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku dhe Komandantin e Forcës Detare, Gjeneralmajor Ylber Dogjani. Gjatë takimit, u diskutua për rolin e Shqipërisë si një vend prosperues i Ballkanit Perëndimor dhe si një vend anëtar gjithnjë e më i rëndësishëm i NATO-s. Duke folur për kursantët dhe stafin e Akademisë Ushtarake të Tiranës si pjesë e programit të vizitës së tij, Admiral Foggo shprehu vlerësimin e tij për mbështetjen e Shqipërisë në misionet dhe aktivitetet e shumta të NATO-s në rajon dhe jashtë saj. “Shqipëria është kontribuesi i dytë më i lartë i trupave për numër popullsie në Misionin Mbështetës të Përhershëm të NATO-s në Afganistan, Resolute suport, – ky është një kontribut fenomenal i një aleati të vendosur”, tha Foggo. Më pas duke iu drejtuar brezit më të ri dhe të ardhshëm të liderit, si ushtarak edhe civil, ai theksoi se rajoni i Ballkanit Perëndimor është në rrugën e duhur. Vizita përfundoi me një diskutim të organizuar nga Ambasada e SHBA-ve, mbi çështjet e prosperitetit dhe sigurisë, me studentët që vijnë nga qytete anembanë Shqipërisë, këshillit rinor të Ambasadës dhe Zyrës Rajonale të Bashkëpunimit Rinor Ballkanik. Të rinjtë e pranishëm shprehën gatishmërinë e tyre për t’u përfshirë në aktivitetet e zhvillimit të komunitetit, si mbrojtja e mjedisit dhe politikat lokale. Admirali theksoi se dialogu është gjëja më e rëndësishme. Në përfundim ai theksoi se, ka shumë miq në një botë shumë polare, – kështu që të gjithë duhet të zgjedhin me mençuri. “Paqja dhe siguria janë premisa për çdo zhvillim, për biznes dhe rritje ekonomike, gjithashtu siguria është përmirësuar ndjeshëm, kudo që udhëtoj në të gjithë rajonin, flas me të rinjtë që çojnë vendet e tyre përpara. Vazhdoni të ecni në këtë mënyrë!”, nënvizoi Foggo. 

Sipas zyrës së marrëdhënieve me publikun, JFC Naples Public Affairs
Sigal