Administratorët e rinj/ Veliaj në Baldushk: Ndërhyjmë për t’ i dhënë fund kaosit me tregtarët

499
Tregjet e produkteve bujqësore dhe blegtorale janë në fokusin e Bashkisë së Tiranës. Nga Baldushku, ku prezantoi administratorin, Ilir Bermeta, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj bëri të ditur se do të ndërhyhet për t’i dhënë fund kaosit me tregtarët që shesin të pa kontrolluar në çdo cep të qytetit. “Duam të ndryshojmë edhe mënyrën se si shiten produktet bujqësore në Tiranë. Historia që çdokush që vjen nga zonat e fshatit shet në rrugë jashtë çdo standardi higjienik duhet të ndryshojë”, tha Veliaj.
Ai gjithashtu u shpreh se një nga zgjidhjet që ofron Bashkia e Tiranës është një sistem i ri, i cili përcakton zonat ku do të shiten produktet sipas një kalendari të përcaktuar. “Kjo është arsyeja pse ne propozojmë që fundjavave të kemi tregje të dedikuara për zona të caktuara; pra, të dimë se në një shesh apo rrugë të caktuar po shiten produkte nga Baldushku, nga Farka, Peza, Ndroqi, Kashari e kështu me radhë”, u shpreh kryebashkiaku Veliaj.
Sipas tij, kjo është një risi e cila do sjellë përfitime, edhe për fermerët, edhe për ata që banojnë në zonat urbane. “Do të kemi tregje të fermerëve që janë ekskluzivisht për ta, jo për tregtarët e shumicës, që edhe qytetarët e Tiranës të kenë mundësi që të blejnë produkte bio, që vijnë direkt nga fermat, me çmime të tregut”, shtoi ai.
Veliaj tha se në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë, do të synohet një politikë e koordinuar bujqësore, për të orientuar fermerët në mbjelljen e kulturave që sigurojnë shitjen e produkteve.
“Ne do të kemi një pol për bujqësinë, ku Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Bujqësisë të funksionojnë bashkë, për t’i dhënë drejtim të gjithë këshillimit për të cilin kanë nevojë zonat, për t’u siguruar që asnjë investim nuk shkon dëm dhe për të pasur garancinë që ne do të kemi shitje të prodhimeve”, tha Veliaj.
Në fjalën e tij, ai u ndal edhe tek përpjekja e bashkisë për të vendosur rregullin në gjithë territorin e saj, duke çliruar hapësirat publike dhe për të ndërgjegjësuar qytetarët që të respektojnë jetën në komunitet. Por, sipas tij këto masa vlejnë për të gjitha njësitë administrative të Tiranës. “Në Tiranë kemi grumbulluar mbi 100 gjoba vetëm në 24 orët e para. Ndaj, nuk mund të urinosh në ambiente publike, nuk mund të thyesh pemë, nuk mund të vandalizosh qytetin, nuk mund të ndërtosh pa leje, nuk mund të zësh hapësirën aty ku kalojnë fëmijët për të shkuar në shkollë”, tha kryetari i bashkisë së Tiranës.
Veliaj i ka kërkuar administratorit Bermeta që të marrë masat për aksionin e pastrimit të 4 shtatorit. Ai ka bërë të ditur se po bashkëpunohet edhe me Ministrinë e Mbrojtjes, në mënyrë që në ndihmë të këtij aksioni të vijnë edhe mjetet e ushtrisë. “Në aksion do të kemi edhe ushtrinë, për të na ndihmuar me inertet e rënda”, tha ai. Po ashtu, ai ka parë nga afër punën që kryhet nga fermerët e zonës, ndërsa është njohur nga specialistët e bujqësisë, lidhur me problematikat që shoqërojnë sot këtë sektor
Sigal