Administratorët e rinj të pallateve, agjitatorët e fushatës 2017

606
Sigal

Këta të punësuar si administratorë pallatesh, në fakt do të jenë sondazhistët
dhe agjitatorët e PS në fushatën e vitit 2017

 

“Rilindja” desanton 5000 “debatikas elektoralë” në pallatet
e Tiranës, të maskuar si “administratorë”

 

Arjan ZADRIMA

 

Skema është bërë gati dhe në janar pritet konkretizimi i saj. Nën maskën
administrimit të pallateve në Tiranë, “Rilindja” ka sajuar një marifet të ri për
të intensifikuar fushatën elektorale të zgjedhjeve parlamentare të qershorit
2017. Gjoja se po “e ha meraku” për rregullsinë e jetës kolektive të banorëve që
jetojnë nëpër pallate, do të emërohen administratorë në çdo pallat. Ky skenar
me dekor administrativ e social, por me përmbajtje e veprimtari politike në
shërbim të kupolës së “Rilindjes” që thotë, se është ende PS, do të nisë në
muajin janar 2017. Tashmë është marrë, vulosur e firmosur vendimi qeveritar, për
emërimin e administratorëve në çdo pallat. Sipas këtij vendimi, tashmë të
konfirmuar edhe nga pushteti lokal, në 5000 pallate në Tiranë do të emërohen
administratorë të jetës kolektive që bëjnë banorët e këtyre pallateve. Sipas
vendimit, këta administratorë nuk do të përzgjidhen nga banorët e pallateve si
deri tani, por do të “desantohen” me urdhër nga pushteti lokal! Përse, duhen katapultuar
prej pushtetit lokal, kur administrimi i pallateve dhe problematika e tyre
shoqërore, marrëdhëniet reciproke për shqetësimet që lindin, logjikisht është e
drejta e vetë banorëve?! Është krejt logjikë normale, që banorët të zgjedhin e
të vendosin në krye të administrimit të pallatit të tyre, një banor të
pallatit, ose edhe jashtë tij dhe jo atë që u dikton prefektura, qarku, bashkia,
qeveria, njësia administrative  apo
cilido institucion tjetër qoftë e me çfarëdo pushteti fuqiplotë qoftë! E drejta
e vetëqeverisjes në jetën e grupit, konkretisht të një pallati, u takon anëtarëve
të grupit e jo “guvernatorëve” jashtë tij, sado “filozofë e profesorë” qofshin!
Pra, banorët kanë të drejtën e plotë e të pacënueshme, të zgjedhin me vullnetin
e tyre atë person që ata dëshirojnë dhe që kanë bindje të plotë, se është i aftë
t’u krijojë kushte jetese normale brenda pallatit ku banojnë! Mirëpo, kjo e
drejtë po cënohet me vendim administrativ nga të gjithë pushtetet lokale e
qendrore. Përse, p sh., një person i panjohur jo banor i pallatit e, madje as i
lagjes, duhet të më administrojnë pastrimin dhe ndriçimin e shkallës, qetësinë
në mjediset e pallatit, ujin, ashensorin, tarracën, normalitetin e furnizimit
me energji elektrike e ujë, lyerjen e shkallëve, madje edhe të drejtën për të
vendosur 1 derë apo 1 bravë të re në apartamentin tim. Përse p sh., në rast
defekti në ashensor, një ndërprerjeje energjie elektrike e uji, apo defekti
pompe uji, duhet të presim sa të vijë administratori i emëruar nga pushteti
lokal, që mund të jetojë disa kilometër larg e jo brenda pallatit?! Çfarë
fshihet pas këtij vendimi, më saktë pas këtij abuzimi?! Sipas burimeve të “Telegraf”,
mësohet se skenari i emërimit të 5000 administratorëve në 5000 pallate është në
skemë veprimtarie politike e “Rilindjes” për të shpërndarë militantët dhe
agjitatorët e saj nëpër pallatet e Tiranës, për të bërë fushatë elektorale në
shërbim të PS gjatë fushatës elektronike të qershorit 2017. Sipas
informacionit, 5000 administratorët që do të emërohen, janë përzgjedhur si
militantët më të besuar e më aktivë, të specializuar për fushata elektorale, të
cilët sipas skemës, do t’i ktheni pallatet në “qendra elektorale” të PS, duke bërë
agjitacion për të mbledhur vota për “Rilindjen”. Ky skenar elektoral, do të nisë
me testimin e banorëve, duke i “hetuar” gjoja “me biseda shoqërore”, për të
evidentuar me e cilat parti janë! Pas testimit, ata do të hartojnë 4 lista të
veçanta, për 4 kategori përkatësie politike të banorëve të çdo pallati.  

1. Lista e parë, do të jetë me emrat e atyre banorëve që janë anëtarë dhe
militantë të “Rilindjes”.

2. Lista e dytë, do të jetë me emrat e banorëve që janë anëtarë të betuar të
partive kundërshtare.

3. Lista e tretë do të jetë me emrat e banorëve që kanë qenë anëtarë e
militantë të PS e “Rilindjes”, por që janë bërë kundërshtarë të saj, por jo anëtarë
të partive kundërshtare.

4. Lista e katër, do të jetë me emrat banorëve që janë të lëkundur e
indiferentë. këto lista do të depozitohen në qendër të PS, në shtabin e 5000 “debatikasve”
që do të emërohen, do të prezantohen e do të veprojnë nën maskën e
administratorëve të pallateve.

Pasi të bëhen listat përfundimtare në qendër, ato do të detajohen,
specifikohen e do t’u rikthehen administratorë-debatikasve të Rilindjes, për të
nisur punën bindëse me banorët, që në qershorin 2017-ës të votojnë për “Rilindjen”,
natyrisht duke u premtuar vende pune, shkolla të larta, viza pune jashtë
shtetit, futje në listat e ndihmës ekonomike e deri pensione sociale për të moshuarit.