Administratë Publike e mbushur me militantë partie, nëpunës të paaftë profesionalisht

562
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Kryeministri Rama paralajmëron deputetët socialistë: Harrojini punësimet me SMS, zgjidhni hallet e qytetarëve

Dje, kryeministri Rama, dashur apo padashur, pohoi në Grupin Parlamentar të PS-së një realitet, që nuk do ta pranojë. Se në administratën publike të emërojnë deputetët, kryetarët e partisë, konkurset e Administratës Publike janë formale, sepse emërimet bëhen me SMS. Njëfarësoj, në këtë llogaridhënie, vetë kryeministri Rama çdo halli, çdo problemi, që qytetarët ia thoshin në sy, që I qaheshin publikisht, u përgjigjej: Ankesën ndaj nëpunësve, ndaj drejtorëve të Administratës Publike shkruajeni në platformën digjitale të qeverisë dhe brenda 10 ditëve do të merrni atë përgjigje, që Administrata Publike nuk ua jep kurrë. Kësisoj, vetë kryeministri Rama e pohon çdo ditë në llogaridhënien e qeverisë, se Administrata Publike nuk u shërben qytetarëve, qeveria e di këtë problem, ndaj edhe ka hapur platformën digjitale, që të funksionojë si administratë publike. Domethënë, shtet brenda shtetit. Kryeministri Edi Rama ka qenë i ashpër me deputetet, duke u kërkuar që atyre të mos bëjnë punësime me SMS dhe të zgjidhin hallet e qytetarëve në terren. “Mos u merrni me punësime e SMS. Zgjedhjet në administratë duhet të bëhen përmes konkurseve. Lërini konkurset të funksionojnë. Shpërndahuni nëpër zona sa më pranë qytetareve. Ata kanë halle, pse nuk jeni pranë tyre? Bëni kujdes me qytetaret”- mësohet të ketë thënë Rama gjatë mbledhjes me deputetët socialistë.

Emërimet në Administratë Publike i bën Partia

Nuk e dimë, nëse kryeministri Rama e ka me të vërtetë, kur u thotë deputetëve të mos bëjnë më emërime, dhe SMS-të të mos jenë urdhër-punësimi në shtet, apo e bën show, por para disa ditësh në një investigim të gazetës “Telegraf” një deputet socialist komunikoi me një drejtor të Përgjithshëm të një institucioni shtetëror dhe i kërkoi të emëronte në punë një pastruese, sepse ishin 2 vende bosh për pastruese institucioni. Drejtori i Përgjithshëm i përgjigjet deputetit, se ai e pranon ofertën e deputetit, por deputeti duhet të flasë edhe me sekretarin e Përgjithshëm të ministrisë, ose me vetë ministren, sepse ajo e ka në dorë emërimin e pastrueses. Kryeministri Rama besoj e di, që emërimet në institucione shtetërore bëhen edhe me propozime nga organizatat e partisë, të cilat këto propozime ia përcjellin deri te ministri për t’i miratuar emërimet. Pra, drejtori i Përgjithshëm i thotë deputetit, që propozimi i tij për të emëruar pastruesen në institucion, duhet të marrë miratimin edhe të partisë në zonën elektorale, ku është institucioni i shtetëror, apo ministri e ministrja.

Flasin për gazetën “Telegraf”

Gazeta “Telegraf” kërkoi prononcimin e Prof. Dr. Zamira Çavos dhe publicistit Fejzo Subashi, për këto dy pyetje:

– A janë bërë deri tani emërimet në Administratën Publike sipas ligjit: “Për Administratën Publike dhe Për Nepunesin Civil”?

– A zbatohet meritokracia në konkurset e emërimeve apo ato janë formale?

Prof. Dr. Zamira Çavo: Fryma e klanit, e paaftësisë dhe e militantizmit janë karakteristika të kësaj administrate

Fryma e klanit, e paaftësisë dhe e militantizmit janë karakteristika të kësaj administrate. Emërimet në Administratën publike janë bërë sipas interesave, sipas njohjeve e sipas preferencave politike! Më vjen keq që kryeministri sot e paska pohuar edhe vetë këtë. Ajo platformë e bashkëqeverisjes nuk zgjidh punë. E dini që në administratën publike në mjaft poste drejtuese janë individë që nuk kanë asnjë lidhje me vendin e punës, jo vetëm për shkak të kualifikimit të tyre minimal, por edhe figurës së tyre morale? Dhe kush është përgjegjës për këtë? Sigurisht qeverisja! Ndaj nuk e gjej zgjidhje kërkesën e kryeministrit për emërimet në administratë, por e shikoj si një “lajthitje” të diskursit, sepse në të gjen pohimin e gjendjes skandaloze, ku gjendet administrate publike, por gjen edhe përgjegjësinë e politikës dhe të maxhorancës për këtë gjendje. Konkurset? Unë e kam thënë edhe më parë; Departamenti i Administratës publike është i pari që duhej shkrirë pikërisht, se ka manipuluar me konkurset, duke çelur shtegun për të gjitha ato karakteristika që ka administrate publike sot e që i numëruam më sipër. DAP-i nuk ka as kapacitetet e as integritetin për të bërë ndershmërisht detyrën!

Fejzo Subashi: Emërimet apo rekrutimet vazhdojnë të mos jenë ato që do dhe ka nevojë administrata, por politika

Vazhdimi i mbajtjes së një administrate të tillë, më shumë u pëlqeu shtetarëve dhe pushtetarëve, interesave të tyre, ndaj vazhdojnë që ta mbajnë të tillë performancën e administratës publike. Problem nuk është vetëm niveli, funksionimi, statura e administratës, por si rezultat i mos emërimeve në administratë sipas meritës, profesionit, nga taksat tona paguajmë dy administrata, bile ka vende që paguajmë tre dhe katër persona. Kryeministri nuk ka pse ta bëjë shqetësim të mbledhjeve të grupit parlamentar, por duhet të marri masa ndaj deputetëve, të cilët rekomandimet e tyre kanë qenë dështim për administratën. Nëse e trajton kështu ka dy probleme është fenomen, që vështirë të rregullohet, së dyti do të jetë thjeshtë populizëm. Unë gjykoj se faj nuk kanë vetëm ata që ofrojnë, por drejtuesit e institucioneve. Ata janë të pa aftë të menaxhojnë, jo vetëm burimet njerëzore, por gjithë institucionin. Natyrisht ndërhyrjet janë shqetësim, por kur vjen puna te rekrutimi nëse bëhet sipas kritereve, zbatohen të gjitha rregullat absolutisht që nuk do kemi këtë performancë. Atëherë shqetësim është organizimi dhe strukturimi i institucionit të rekrutimit të punonjësve. Natyrisht edhe në këtë mandat të dytë të Qeverisë Rama emërimet, apo rekrutimet vazhdojnë të mos jenë ato që do dhe ka nevojë administrata, por politika. Drejtues të rinj në shumë institucione, jo vetëm që kanë suport politik, por janë pjesë aktive e politikës. Për mua kjo nuk ka rëndësi, por më shumë lë statura, formimi dhe performanca e tyre profesionale dhe menaxhuese e institucionit. Nuk ka problem se është partiak, por kur është i pa aftë dhe e drejton institucionin si organizatën e partisë, kjo është për të ardhur keq. Flitet se i janë nënshtruar konkurseve, më mirë le të emërohen pa konkurs, sesa të kemi konkurrim për sy e faqe dhe formalisht. Është për të ardhur keq kur e di i bardhë e i zi, se sa shkollë ka, sa çfarë ka mbaruar dhe të mburret se ka ardhur me konkurs.