Administrata Publike, me militantë partiakë

1818
Sigal

Departamenti i Administratës Publike bën konkurse fiktivë për pranime në administratë

Mbikëqyrja e zbatimit të ligjit “Për statusin e nëpunësit civil” ёshtё njё detyrim jo vetëm ligjor, por edhe strategjik pёr realizimin e reformave tё rёndёsishme nё kuadrin e pёrgjithshёm tё demokratizimit institucional nё qeverisje. Sipas Progres Raportit për Shqipërinë të vitit 2011, reformat e ndërmarra nga Shqipëria në administratën publike, kanë patur përparim të kufizuar, pavarësisht faktit që ato janë konsideruar si prioritet kyç i Opinionit Komisionit Europian për Shqipërinë (2010).  Sipas raporti të Komisionit të Shërbimit Civil rezulton se gjatë vitit 2011 “nga ana e DAP është vënë re një lloj nxitimi për të kryer procedurat ligjore të konkurrimit. Janë shpallur më shumë se 200 konkurrime njëherësh, procedura që kanë përfunduar me emërime të kandidatëve fitues. .., rezulton se në këtë mënyrë janë ligjëruar të gjithë punonjësit që kanë qenë të emëruar më parë me kontratë në këto pozicione. Në të njëjtin konkluzion të çon edhe fakti që pjesëmarrja e kandidatëve në të gjitha konkurrimet është në nivelin më të ulët të mundshëm. Tashmë, rezulton se në përgjithësi konkurrimet zhvillohen me 4-5 konkurrentë, duke ulur ndjeshëm cilësinë e kandidatit që do të përzgjidhet, për shkak të listës së shkurtër të kandidatëve pjesëmarrës. …rezulton se besueshmëria ndaj procesit aktual të rekrutimit ka rënë ndjeshëm, gjë që pasqyrohet edhe në raste të dështimit të procedurave të konkurrimit.”  Çdo formë e dhunës ndaj punonjësve publikë, por edhe çdo qytetari të këtij vendi, është e ndaluar me ligj. Po ashtu marrja në punë dhe largimi nga puna, si një marrëdhënie kontraktuale midis palëve, rregullohet nga Kodi i Punës. Ligji në Shqipëri në asnjë moment nuk ka parashikuar Policinë Bashkiake si rregullator të zgjidhjes së konflikteve që mund të lindin në marrëdhëniet e punës. Mediat kanë pasqyruar gjerësisht largimet masive nga puna të punonjësve të Bashkisë së Tiranës dhe në mënyrë të veçantë situatën e largimit nga puna të dy punonjëseve të Bashkisë së Tiranës, të cilat u keqtrajtuan fizikisht nga komandanti i Policisë Bashkiake. Rast i ngjashëm, që mediat e kanë pasqyruar gjerësisht, ishte dhe ai i punonjëses së Bashkisë së Kamzës, e cila ka akuzuar kryetarin e asaj bashkie, për dhunën fizike e psikologjike ndaj saj dhe të fejuarit të saj, nga punonjës të policisë bashkiake të kësaj njësie vendore, si dhe pengim për t’u paraqitur ne vendin e saj të punës. Raste të tilla mbeten problematike, për sa kohë janë treguar më proaktivë media edhe shoqëria civile, ndërkohë që institucionet shtetërore apo sistemi i drejtësisë nuk ka dhënë akoma një përgjigje. Rastet e konkurseve të paracaktuara apo të moszhvillimit të tyre duke mos zbatuar legjislacionin ekzistues, kanë humbur besimin e të rinjve apo të gjithë qytetarëve që kërkojnë punë tek institucionet e administratës publike, njëherazi kanë ulur cilësojnë profesionalizmin edhe performacën e të punësuarve në këtë administratë për hir të militantizmit politik edhe pa përmbushur kriteret e duhura. Për të mos folur pastaj për përdorimin edhe keqpërdorimin e administratës publike në zgjedhjet e vitit 2009 edhe 2011.    Sipas Raportit të monitorimit  “ Situata e diskriminimit në procesin e largimit nga puna në Shqipëri”  të kryer nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit  për vitin 2011, raporti real i kërkesë padive të pranuara nga gjykatat me ato të rrëzuara në 100% të rasteve të gjykuara( pa ato të transferuara) është respektivisht afro 82.8 % të pranuara, me 5.6% të rrëzuara. Një shifër e tillë dëshmon për paligjshmërinë e theksuar të konstatuar nga gjykatat në zgjidhjen e kontratave të punës nga organet e administratës publike.  Në këtë raport theksohet edhe se  “kjo paligjshmëri e vërejtur nga gjykatat në mënyrën se si e kanë ushtruar veprimtarinë e tyte organet e administratës publike ka shkaktuar në të njëjtën kohë edhe një kosto të madhe financiare për buxhetin e shtetit në drejtim të dëmshpërblimit që janë detyruar të paguajnë në favor të punëmarrësve si gjyqfitues.” Rastet e largimeve në masë nga puna, sidomos në vitin 2005, 2009, edhe padyshim vitin 2011, pa pasur shkaqe të qenësishme me edhe të pajustifikuara, kanë bërë të mundur që një pjesë e tyre t’i drejtohen gjykatave, duke fituar të drejtën e disa pagave apo të drejtën e rikthimit ( që në shumicën e rasteve nuk zbatohet). Duke vepruar në këtë mënyrë, ka ardhur si pasojë një dëm efektiv i konsiderueshëm në buxhetin e shtetit, pasi janë paguar njëkohësisht dy persona për një pozicion pune, njëri për shkak të detyrimeve kontraktuale dhe tjetri për shkak të detyrimit për të ekzekutuar vendimin e gjykatës.

Departamenti i Administratës Publike, sikurse doli edhe në raportin e Komisionit të Shërbimit Civil, organizon konkurse fiktive. Në këto konkurse nuk ftohen kandidatët që dëshirojnë të punësohen në Administratën Publike, që mund të plotësojnë të gjitha kriteret, por me makinacione të fshehta,  me kandidadë, ku njëri është i parapëlqyeri dhe të tjerë nuk kanë asnjë lidhje me dëshirën dhe kërkesat për t’u punësuar në administratën publike, por thirren në konkurs, thjesht sa për të plotësuar numrin e pjesëmarrjes dhe pastaj me dëshirën e tyre, nuk përgjigjen, duke i dhënë mundësinë kandidatit të preferuar, që i vetëm, të marrë pikët e mundshme.

 *Deputete e PS-së