Administrata publike dhe pensionistët do shpërblehen për Vitin e Ri

551
Sigal

Afrimi i fundit të vitit rikthen diskutimet nëse do të ketë apo jo
shpërblim për administratën dhe pensionistët, një praktikë kjo e ndjekur vitet
e fundit. Zyrtarisht, qeveria ende nuk ka marrë një vendim për akordimin e
fondit të posaçëm për këtë qëllim. Por çfarë thotë numri dy i ministrisë së
Financave Ervin Mete, i pyetur nga mediat, për mundësinë që këtë vit të ketë
shpërblim për administratën publike dhe pensionistët? Praktika e shpërblimit të
administratës dhe të pensionistëve ka qenë një praktikë e përvitshme e
qeverisë. Fillimisht ka qenë paga e 13-të që i shpërndahej administratës por që
më pas u zëvendësua me dhënien e një shpërblimi, masa e të cilit lihej në
vullnetin e Këshillit të Ministrave. Praktika e shpërblimit masiv të
administratës dhe pensionistëve u zbatua deri në vitin 2013, por më pas do të
kategorizohej me argumentin e vështirësive financiare me të cilat përballej
arka e shtetit. Vitet e fundit, praktika e ndjekur ka qenë ajo e dhënies së
shpërblimeve për kategori të ndryshme të administratës dhe pensionistëve.
Pavarësisht deklarimeve publike për vështirësitë financiare me të cilat
përballej arka e shtetit, qeveria ia ka dalë të sigurojë një fond të posaçëm
për shpërblimet e fundvitit. Muajt e fundit qeveria deklaron se situata e të
ardhurave në buxhet është përmirësuar. Por tashmë mbetet për t’u parë nëse ky
përmirësim i deklaruar i situatës së arkës së shtetit, do të reflektohet edhe
në përmirësimin e masës së shpërblimit dhe zgjerimin e kategorive përfituese të
tij.