Administrata e militantëve, po qeveriset me portale

565
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Kryeministri Rama “fryn” Administratën Publike me militantë, por “qeveris” me portal

Dështon edhe reforma administrative. Në 2 vitet e fundit punësohen në shtet 14. 000 nëpunës

Kryeministri Rama në fushatën elektorale parlamentare të 2017-s i kërkoi elektoratit timonin e votëbesimin që të qeveriste i vetëm, për të pasur më shumë mundësi për të mirë-qeverisur. Mirëpo, pas 6 muajve nga qeverisja e mandatit ë dytë, kryeministri Rama zhvilloi turin paraelektoral të llogaridhënies, ku kryeministri u kërkoi qytetarëve që për çdo hall, problem, shqetësim, t’i drejtohen tashmë portalit të qeverisë, sepse administrata shtetërore është e paaftë, e pa zonja t’u japë zgjidhje. Ulja e madhësisë së shtetit në ekonomi ishte në themel të programit të qeverive, të cilët pas vitit 2005 ulën me tej peshën e sektorit shtetëror në ekonomi si në pronësinë e ndërmarrjeve ashtu edhe në punësim. Pas vitit 2008 për shkak të kushteve të reja që solli kriza ekonomike, me përgjysmimin e rritjes ekonomike dhe rënien e të ardhurave buxhetore, reformat mbi administratën publike me qëllim uljen shpenzimeve publike vijuan. Por tre vite vitet e fundit punësimi në sektorin publik është në rritje të shpejtë edhe pse Kryeministri Rama ka ndërmarrë një reformë ristrukturimi me qëllim shkurtime të mëtejshëm në mandatin e dytë të qeverisjes. Në kuadër të kësaj reforme, numri i ministrive në shtator 2017 arriti në 11 nga 16 të tilla që ishin para zgjedhjeve. Reforma u bë më arsyetimin e një qeverisje të vogël dhe eficiente.

Kryeministri nuk i beson shtetit të vet

Pas zgjedhjes, kryeministri Rama ndërmori një reformë të thellë, në reformimin e shtetit. Fillimisht, meqë tani e ka timonin e qeverisjes i vetëm, kryeministri zvogëloi numrin e ministrive, për të operuar shteti më mirë. Kryeministri Rama, në mandatin e parë bëri edhe reformën territoriale, ku zvogëloi numrin e Bashkive, pikërisht, që të reduktonte numrin e nëpunësve. Por, sot realisht, edhe pse kemi një numër shumë të pakët të bashkive, numri i nëpunësve të punësuar në bashki, por edhe në njësitë bashkiake është paradoksalisht, më i madh se sa numri i të punësuarve para reformës territoriale. Sado paradoksale që duket, edhe pse tashmë i ka duart e lira, të emërojë, të shkarkojë këdo nëpunës shteti, (meqë nuk bashkëqeveris me LSI), është vetë kryeministri Rama, i pari, që nuk ka asnjë besim se Administrata Shtetërore është e aftë që të zgjidhë problemet e qytetarëve. Kryeministri Rama e ka pranuar publikisht, që në shtet ka “shushunja”. Po kujt i ankohet kryeministri për “shushunjat” që ka punësuar në shtet? Dihet, që reforma e vetme që ndërmori kryeministri Rama në reformimin e shtetit, ishte të zbonte të gjithë nëpunësit e LSI-së, duke punësuar vetëm militantët e PS-së, për t’i shpërblyer me emërime në shtet për kontributin elektoral në zgjedhjet parlamentare të 2017-s. Pra, kryeministri Rama me kritere partiake, zboi nga Administrata Publike të gjithë nëpunësit që nuk kishin teserën e partisë së tij dhe emëroi militantët, pa kritere. Kështu, në 2017 u shtuan në Administratën Publike 4.300 nëpunës të tjerë, ose 2.8 % e shumës. Në tremujorin e dytë të vitit 2018 numri i të punësuarve në administratën publike u rrit me 3,8 %, në krahasim me të punësuarit e tremujorit të parë të 2018-s dhe numri i të punësuarve në shtet është 170, 652 vetë, gati e barabartë me numrin e të punësuarve në 2005-s, kur asokohe ishte numri më i madh i të punësuarve në administratën shtetërore, pas 1991-it.

Punësimet në shtet, fushatë paraelektorale

Edhe pse kryeministri Rama e vlerëson administratën publike të paaftë, sërish qeveria punëson pa mbarim, duke pasur parasysh edhe zgjedhjet vendore të 2019-s. Kjo është një arsye më shumë, që të shpjegojmë pse emërimet në shtet janë në rritje progresive gjatë tremujorit të dytë (ende nuk ka të dhëna zyrtare për tremujorin e tretë të 2018-s). Vetëm në sektorin e propagandës së qeverisë janë punësuar 319 nëpunës, të cilët merren me administrimin e sajteve qeveritare. Sipas udhëzimeve të fundit të kryeministrit Rama, asnjë nëpunës nuk do emërohet në shtet, nëse nuk jep miratimin ministri përkatës, i cili më para është këshilluar edhe me kryetarin e partisë të zonës elektorale ku është vendi i punës dhe kandidati për t’u emëruar në administratën publike.

FMN dhe BB rekomandojnë reduktim të administratës publike

Duke parë që borxhi i Jashtëm publik i Shqipërisë është në rritje nga viti në vit, FMN dhe BB i kanë rekomanduar qeverisë që të reduktojë administratën publike dhe të ulë fondet për koncesionet dhe tenderët publikë. Qeveria e Rilindjes, të paktën nga statistikat, dëshmon se bën të kundërtën e rekomandimeve të FMN dhe BB, kur rrit numrin e nëpunësve në Administratën Publike dhe rrit nga viti në vit edhe fondet e buxhetit të shtetit, të cilat shkojnë për të paguar koncesionet dhe tenderët.