Administrata e LSI-së, mes dy ultimatumeve

408
Sigal

Shteti, shpenzime marramendëse për të larguarit. Do paguhen dy ministra për një vend pune

Njëzet mijë të punësuar në administratën civile, si përfaqësues të Lëvizjes Socialiste për Integrim, tani ndodhet në mes të dy ultimatumeve. Nga njëra anë, Partia Demokratike i ka dhënë atyre ultimatumin që për 48 orë të japin dorëheqjen, ose ndryshe do të pezullohen nga puna. Ndërsa nga ana tjetër, LSI i ka porositur përfaqësuesit e saj që askush të mos japë dorëheqjen, gjersa partia në pushtet t’i largojë nëpërmjet urdhrave politikë. Në këtë mënyrë, kjo pjesë prej 20 për qind të administratës civile ndodhet ndërmjet presionit të dy palëve, të cilat duket se për momentin po bëjnë tërheqje litari me ta. Por, megjithëse duket se, “kjo tërheqje litari” është pjesë e lojës politike, përsëri pas kësaj loje, tallja rëndon mbi taksapaguesit. Sepse këtej e tutje, për një vend pune, taksapaguesit shqiptarë do të duhet të mbajnë me rroga, dy ministra, apo zëvendësministra të partive të ndryshme, duke i rrjepur “skalpin” buxhetit të tronditur të këtij shteti megaloman e qesharak.

Fatura financiare

Në bazë të nenit 7,  të ligjit 8097, që mban datën 21.3.1996, çdo ministër që largohet nga puna, merr detyrimisht, 3 paga mujore në dorë, si edhe një rrogë vijuese me gjysmës e pagës së mëparshme. Kjo pagesë vazhdon për aq kohë sa ai ministër ka kryer më parë detyrën e kryetitullarit, me kusht që pagesa të mos kalojë mbi tre vjet. Pra për këtë periudhë buxheti i sforcuar i shtetit do të detyrohet të mbajë me rroga të majme, dy ministra për një ministri. 4 apo 6 zëvendësministra për një ministri, e kështu me radhë. Në këtë mënyrë në Ministrinë e Jashtme, të Kulturës, të Energjetikës, (METE) apo në atë të Kulturës, për 3 muaj do të paguhen nga dy persona.  Bashkë me Visar Zhitin do të marrë rrogën edhe ministri i mëparshëm. Ndërsa në Ministrinë e Jashtme, së bashku me Aldo Bumçin, do të paguhet edhe Edmond Panariti. Së bashku me Halim Kosovën do të paguhet edhe Vangjel Tavo dhe bashkë me Florian Mimën, do të paguhet edhe Nasip Naço. Por aventura e politikës nuk mbaron këtu. Sepse në bazë të ligjit, zëvendësministrat që largohen nga puna do të marrin  në dorë dy paga mujore dhe më tej ata do të vazhdojnë deri në tre vjet të paguhen me 40 për qind të rrogës së tyre të mëparshme. Pra, tetë ministra të paguar për katër ministri. Por historia nuk mbaron këtu. Sepse taksapaguesi shqiptar, pasi ka rehatuar në komoditetin e vet ministrat dhe zëvendësministrat, ai duhet të mbajë në kurrizin e vet edhe 20 mijë punonjës të tjerë të administratës civile, të cilët pasi të largohen nga vendet e tyre të punës, do t’i drejtohen gjykatave, ku do të përfitojnë të drejtën e 12 pagave mujore, ose të drejtën e një page vjetore. Në këtë mënyrë nuk ka makinë llogaritëse në botë që të llogarisë faturën marramendëse të kësaj katrahure, ku për një vend pune do të vazhdojnë të paguhen dy njerëz. Dhe kjo, sipas vendimit të gjyqit do të zgjasë për një vit. Por, a i mban dot vallë të gjitha këto, shpenzime kurrizi i taksapaguesve shqiptarë, i cili nga kjo politikë qesharake, jo vetëm që nuk përfiton asgjë, por çdo ditë e më tepër po zhytet në gjirizin e borxheve. Sepse vetë shteti i përlyer në borxhe marramendëse, po e çon individin drejt rrugës pa krye, duke ia hequr edhe qindarkat e fundit të kursimeve. Nga ana tjetër, megjithë rritjen e numrit të të papunëve, shteti ynë “me ballin lart” dhe me “xhepat bosh” do të marrë përsipër të paguajë nga dy zyrtarë për çdo vend pune.

Përplasja

Zyrtarët e LSI-së do të rezistojnë të qëndrojnë në punë, gjersa Partia Demokratike të përdorë urdhrin e dëbimit të tyre. Kjo metodë, padyshim do ta përhapë keqkuptimin edhe në gjirin e pushtetit lokal, ku të dy partitë vazhdojnë të qëndrojnë brenda një koalicioni të përbashkët. Dhe kjo do të ketë një faturë të re financiare, duke llogaritur shpenzimet që burojnë nga vendimet gjyqësore për pagesat e të larguarve. Ndofta dikush mund të thotë, “mos ua qajë hallin, zyrtarëve se ata përsëri do punësohen nëpër zyra”. Në fakt, këtu trauma është më shumë e qytetarëve se e zyrtarëve të politikës. Sepse janë ata qytetarë që duhet të paguajnë nga xhepat e tyre, rrogat e dy palë ministrave, e tetë palë zëvendësministrave, apo 20 mijë palë zyrtarëve, ndërkohë që, ata vetë nëpër familjet e tyre janë të papunë, ose me punë të përkohshme.