Acarimi i skajshëm i klimës politike vështirëson hapjen e negociatave

695
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Opozita sërish edhe dje bllokoi foltoren e seancës plenare të Parlamentit, duke kërkuar dorëheqjen e ministrit Xhafaj

Gjermania, Franca, Holanda, por edhe Danimarka ende presin nga Shqipëria, që të vazhdojnë reformat në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, në mënyrë që në 28 qershor Këshilli i Ministrave të BE-së të gjykojë nëse do të hapin negociatat me Shqipërinë për anëtarësim. Mirëpo, ka më shumë se 1 muaj, që në Shqipëri është bllokuar veprimtaria e Parlamentit, si në seancat plenare, edhe në komisionet parlamentare, për shkak se Opozita kërkon domosdoshmërish dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Xhafaj.

Tensionimi

Parlamenti e djeshme u zhvillua sërish mes debateve, ndërsa opozita nuk liroi për asnjë moment foltoren, duke sjelle 3 ndërprerje të seancës.

Ora 10:00 – Nis seanca -Kuvendi ka nisur me tensione mes opozitës dhe mazhorancës. PD-ja ka kërkuar që në seancë të jetë i pranishëm kryeministri Rama dhe ministri Xhafaj. Nga ana e tij, kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi i kërkoi PD-së që të zyrtarizojnë kërkesën dhe Rama do të jetë i gatshëm, për interpelancë.

Ora 11: 39 – Ndërpritet për të tretën herë seanca e Kuvendit. Kryetari i PD-së nuk pranon të largohet nga foltorja e Kuvendit. Ndërkohë në Kuvend ka mbërritur dhe kryeministri Edi Rama.

Ora 12:03 – Seanca nis për herë të katërt . Deputetët e PD-së bllokojnë sërish foltoren. Pas fjalës së mbajtur nga kryetari i PD-së, deputetët demokratë i janë afruar foltores për të mos lejuar deputetët e maxhorancës të dalin aty. Ministri i Brendshëm Xhafaj nuk shkoi fare në parlament, ndërkohë, gjatë ditës së djeshme, pikërisht, paradite, ai u takua edhe me ambasadorin amerikan në Tiranë, Donald Lu.

Replikat

Basha: Edi Rama, Fatmir Xhafaj, o burracakë, dilni nga vrima

Basha ia ka kërkuar Ruçit me këmbëngulje që t’i thërrasë të dy, Ramën e Xhafajn, të vijnë në seancë. Edhe njëherë i bëj thirrje Edi Ramës dhe Fatmir Xhafës të dalin nga vrimat ku janë strukur dhe të vijnë këtu duke dhënë qoftë edhe formalisht dorëheqjen sepse realisht e kanë dhënë. Thirr Edi Ramën, thirr Fatmir Xhafajn të përballen me të vërtetën!” – insistoi Basha duke iu drejtuar kryeparlamentarit.

Braçe i ka thirrur nga vendi ku ishte ulur ndër të tjera me fjalët…”Ti ke vrarë njerëz!” Por Basha i është kundërpërgjigjur: “Zar i bandave të Lushnjes, pusho! Hajde, hajde këtu! Ta tregoj unë ty! Zar i bandave të Lushnjes!” ka përforcuar ai.

Monika Kryemadhi, i kthen përgjigjen Ballës: “Shiko gruan dhe motrën se nuk i dihet si del!”

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi dhe kreu i Grupit të PS, Taulant Balla janë përplasur sy më sy me njërin tjetrin jashtë Kuvendit, pasi LSI-ja e bashkuar me PD-në protestoi sot duke kërkuar dorëheqjen e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj. “Më vjen shumë keq që bashkëshortja e Presidentit ka filluar të bëjë zhurmuesin, por ky është fati i keq i opozitës”, provokoi Taulant Balla para mediave, ndërkohë që Kryemadhi pas tij i rrahu supin për t’i tërhequr vëmendjen duke i kujtuar diçka: “Taulant,… nuk jam marrë as me motrën tënde, as me gruan tënde! Në rregull?! Kështu që rri urtë!”

Kryemadhi: Batakçiu Edi Rama, kopje e shëmtuar e krimit të organizuar

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka folur nga salla e parlamentit: “Jam live nga Parlamenti, shprehet ajo, në fakt kjo sallë është bërë shumë qesharake, ka ngelur në dorë të një batakçiu si Edi Rama, i cili sot është veshur me kopjativ ,sepse nuk i ka mbetur gjë tjetër vetëm të bëhet një kopje e shëmtuar e krimit të organizuar”. “Ky njeri është i paaftë për të drejtuar Shqipërinë dhe i ka drejtuar drejt rrugës së varfërisë, drejt rrugës së krimit dhe drejt rrugës së mungesës së identitetit kombëtar”. “Megjithatë ajo çka dua të them, vijoi Kryemadhi, dhe që është shumë e rëndësishme, është që nuk duhet të ndalemi asnjë minutë. Jo vetëm për ta denoncuar dhe ta demaskojmë këtë fytyrë monstruoze të krimit të organizuar, i cili ka uzurpuar jo vetëm qeverisjen, por edhe parlamentin shqiptar”. “Prandaj e bëj këtë thirrje nga kjo sallë, me qetësi por me vendosmëri për t’u bindur dhe për t’u ngritur kundër këtij sistemi kriminal dhe kundër këtij sistemi uzurpator, i cili ka uzurpuar jetën e shqiptarëve”, tha kryetarja e LSI-së.