Abuzimi me 14-vjeçaren në Kavajë, Nora Malaj: Shteti ka rënë se nuk mbron qytetarët e tij!

124

Pas skandalit të abuzimit me 14-vjeçaren në qytetin e Kavajës ka reaguar edhe deputetja e LSI-së, Nora Malaj.

Në një postim në Facebook Malaj shprehet se kjo është një ngjarje që ka tronditur vendin si dhe ngre disa pyetje të lidhura me përgjegjësinë e qeverisë dhe ministrive përkatëse për mbrojtjen e fëmijëve.

Gjithashtu Malaj shkruan se sot shteti ka rënë dhe se shkolla shqiptare është dhunuar, familja shqiptare është traumatizuar dhe policia është në drejtim të paditur.

Statusi i plotë:

Çfarë po ndodh me ne? Ngjarja që ka ndodhur me të miturën 14- vjeçare dhe që u mbajt e fshehtë deri sa para dy ditësh doli nga Doktor Berisha ka tronditur vendin! E para, si ka mundësi që shteti ka heshtur dhe askush nuk është ndjerë deri tani? Si ka mundësi që Ministria e Arsimit dhe ajo e Brendshme minimalisht nuk ka dalë publikisht për t’u shprehur për rastin, kur vajza është minorene, nxënëse shkolle dhe jeta e saj duhet të sigurohet nga shteti si brenda institucioneve dhe në mjediset e qytetin ku jeton? Si mund të ndodhi kjo ngjarje makabre, një serial monstruoz sjelljesh perverse dhe shteti hesht? Nuk e di, po si ka mundësi që njësisë për mbrojtjen e fëmijëve nuk i jepet asnjë informacion, ndërkohë që shteti e ka detyrim ligjor dhe të gjithë heshtin? Drama po luhet në kurriz të fëmijëve e familjeve shqiptare, si asnjëherë tjetër. Sot çdo familje ndjehet e dhunuar dhe e abuzuar. Sot jo vetëm shteti ka rënë por edhe thika i ka shkuar shqiptarëve në kockë, atje ku nuk mban më. Sot shkolla shqiptare është dhunuar, familja shqiptare është traumatizuar dhe policia është në drejtim të paditur. Shteti ka rënë se nuk mbron qytetarët e tij.