Abuzime të mëdha me paratë e qytetarëve të Korçës

91
KORÇË- Një numër i madh shkeljesh është gjetur në Bashkinë e Korçës nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, gjë që flet për paaftësinë e drejtuesve të këtij institucioni dhe të administratës së tij. Ne po renditim shkurtimisht vetëm disa prej tyre, të cilat do t’i japim të detajuara dhe më të zgjeruara më poshtë. Çfarë është konstatuar: numri i të punësuarve në Bashki rezulton të jetë më i madh se mundësitë financiare të saj. Abuzimet me paratë e qytetarëve të Korçës janë të mëdha. Janë kryer financime projektesh të përbashkëta me fondacionet, pa zhvilluar procedura prokurimi. Marrja në dorëzim e punimeve të ndërtimit, shërbimeve të kryera, mallrave dhe e materialeve është bërë pa ngritur komisione. Sektori i Regjistrimit të Pronave Publike, nuk ka marrë masa dhe nuk ka dërguar për regjistrim në ZVRPP Korçë, pasuri të bashkisë, si: truall, objekte ndërtimi, sheshe, lulishte, rrugë, vendstrehime, buste etj dhe nuk i ka përfshirë në inventarin kontabël pasuror të Bashkisë, një shkelje tjetër kjo që tregon më së shumti papërgjegjshmëri. Nga Drejtoria Juridike në Bashkinë Korçë, është dhënë truall me qira pa zhvilluar procedura konkurrimi dhe pa plotësuar dokumentacionin e përcaktuar. Dosjet teknike, që u janë dërguar nga subjektet e ndërtimit në zyrat e Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik, janë pranuar pa u protokolluar dhe shoqëruar me listën e përmbajtjes së dokumentacionit, ndërsa nuk është kryer inventarizimi i dosjeve për gjithë periudhën, të cilat janë gjendje në zyrat e Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Vendor dhe nuk janë dorëzuar në zyrën e arkivit, siç, përcaktohet në ligj.
Shkelje të tjera
Shkeljet nuk përfundojnë këtu. Ne vetëm po i listojmë ato për të krijuar një ide të qartë se çfarë ka ndodhur: Inspektorati Ndërtimor Urbanistik në Bashkinë Korçë, nuk ka marrë masa, për prishjen e 5 ndërtimeve pa leje ndërtimi, dhe nuk ka kallëzuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Korçë, 12 subjekte që kanë ndërtuar pa leje ndërtimi, ashtu sikurse nuk ka marrë masa dhe nuk ka kërkuar në rrugë ligjore arkëtimin e gjobave në shumën 1,830,000 lekë. Në blerjen e karburantit rezultojnë diferenca në çmim në vlerën 1,038,203 lekë, që do të thotë se kjo shumë është përfituar nga shoqëritë e karburanteve. Janë bërë pagesa për punime të pakryera në vlerën prej 1,874,646 lekë. Ndërkaq me shkelje është gjetur edhe një pagesë tjetër prej 367,542 lekë për pritje-përcjellje delegacionesh. Nga Kontrolli i Lartë i Shtetit është kërkuar gjithashtu dhënia e masave disiplinore për 13 punonjës dhe vërejtje me paralajmërim për 9 punonjës të tjerë. Po kështu nga auditivi në fjalë ka rezultuar se për periudhën 01.01.2012 deri 31.12.2013 pavarësisht miratimeve në Këshillin Bashkiak, pa u zhvilluar më parë procedura prokurimi dhe pa u mbështetur në dispozitë ligjore nëpërmjet kontratave të nënshkruara nga ish-kryetari i Bashkisë z.Niko Peleshi, janë kryer pagesa ndaj subjekteve apo personave të tretë, në një vlerë prej 4,924,417 lekë, respektivisht për vitin 2012 në vlerën 3,319,700 lekë dhe vitin 2013 në vlerën prej 1,604,717 lekë. Për këtë arsye KLSH i rekomandon Drejtorit të Agjencisë së Prokurimit Publik, të vlerësojë shkeljet dhe për personat përgjegjës marrjen e masave përkatëse në raport me shkeljet e konstatuara. Të gjitha këto i kemi evidentuar te raporti përfundimtar i Auditimit të kryer në Bashkinë Korçë, për periudhën e veprimtarisë 01.01.2012 deri më 31.12.2013 dhe masat për përmirësimin e gjendjes, të miratuara me vendimin e Kryetarit të KLSH nr. 122, datë 30.09.2014, i ka rekomanduar z. Sotiraq Filo, Kryetar i Bashkisë Korçë, zbatimin e një sërë masave, të cilat ne do t’i sjellim të detajuara në këtë material
Numri i të punësuarve
Nga auditimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit rezulton se numri i të punësuarve në Bashki është më i madh nga mundësitë e saj financiare. Kjo tregon se bashkia është përdorur për punësimin e shumë njerëzve me qëllim sigurimin e votës në zgjedhjet elektorale, qofshin ato vendore apo të përgjithshme. Tashmë dihet cilat kanë qenë kriteret e punësimit për dyshen Filo-Peleshi; kriteret e tyre ishin dhe mbeten ato fetare. Kjo tregon edhe një herë qëllimin e punësimit mbi mundësitë financiare të Bashkisë. Për më tepër po i referohemi raportit përfundimtar të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Sipas raportit në fjalë, në Bashkinë e Korçës nuk është implementuar plotësisht ligji nr. 10296, datë 08.07.2010, “Për menaxhimin financiar dhe kontrollin”. Kjo ka bërë të mundur që numri i punonjësve që ka aktualisht Bashkia Korçë, të jetë tepër i lartë krahasuar me të ardhurat e veta dhe mundësitë financiare të bashkisë. Gjithashtu gjatë kontrollit të ushtruar u gjet në fuqi rregullorja e brendshme e funksionimit të administratës së Bashkisë e miratuar që nga viti 2008, duke mos e rishikuar dhe pasuruar atë edhe me elementë të rinj, nga ligji “Për menaxhimin financiar dhe kontrollin”. KLSH, thekson gjithashtu se ende nuk ishte miratuar strategjia e riskut dhe nuk ishte hapur regjistri i tij, duke mos evidentuar parregullsitë dhe masat e marra për parandalimin e mashtrimit. Për të gjitha këto arsye, KLSH i rekomandon Bashkisë Korçë, të marrë masa për implementimin e kërkesave të ligjit për menaxhimin financiar dhe kontrollin, në këto fusha: 1) Rishikimin e strukturës organizative, me synim reduktimin e numrit të punonjësve në përputhje me mundësitë financiare të bashkisë. 2) Miratimin e strategjisë së riskut dhe të hapë regjistrin e tij, ku të evidentohen parregullsitë dhe masat e marra për parandalimin e mashtrimit, dhe 3) Miratimin e rregullores së brendshme të funksionimit të administratës së Bashkisë.
Pagesa për punime të pakryera
Gjithashtu nga auditimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit rezulton se janë bërë pagesa për punime të pakryera në vlerën 1,874,646 lekë. Më konkretisht: 329,932 lekë (pa t.v.sh), për “Rikonstruksionin e Sheshit para Katedrales”. 160.200 lekë (pa t.v.sh), për “Sistemim asfaltim, blloku i banimit lagjja nr. 17”. 395,510 lekë (pa t.v.sh), për 3 objekte, të cilat po i sqarojmë si më poshtë: 109.480 lekë (pa t.v.sh) për “Sistemim asfaltim, blloku i banimit lagjja nr. 15”; 127.050 lekë (pa t.v.sh), për “Sistemim asfaltim, blloku i banimit lagja nr. 15 (vazhdim)”; 158.980 lekë (pa t.v.sh) për “Sistemim asfaltim, blloku i banimit lagjja nr. 17/1”. Bëhet fjalë gjithnjë për pagesa për punë të pakryera. Më saktësisht 386,801 lekë që u përkasin 2 objekteve: 266.333 lekë (pa t.v.sh), për “Sistemim asfaltim, blloku i banimit lagjja nr. 15” dhe 120.468 lekë (pa t.v.sh), për “Sistemim asfaltim rruge në blloqet e pallateve , lagja nr. 17/1. Vijojmë me të tjera pagesa të tilla: 89.600 lekë (pa t.v.sh), për “Sistemim asfaltim, blloku i banimit lagja nr. 15 (vazhdim)”. 432.443 lekë (pa t.v.sh), janë përfituar nga një operator ekonomik për kryerjen e shërbimit të pastrimit dhe situacionet e paraqitura për pagesë për çdo muaj, rezulton se janë pasqyruar në situacione volume në 17 zëra shërbimesh të pa kryera dhe përfitim më tepër. 80,160 lekë (pa t.v.sh), për “Meremetime të shkollave”. Sigurisht, Kontrolli i Lartë i Shtetit i ka kërkuar Bashkisë Korçë të marrë masa dhe të kërkojë në rrugë ligjore ndaj 7 operatorëve ekonomik shpërblimin e dëmit në vlerën 1,874,646 lekë, pasi nga auditimi i dokumentacionit teknik të zbatimit, mbikëqyrjes të punimeve të ndërtimit rezultojnë diferenca në volume punimesh të pakryera sipas kontratave të zbatimit të punimeve,
367,542 lekë shpenzuar për pritje-përcjellje
Në vijim të nga auditimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit mësojmë se me urdhër shpenzimin nr.207, datë 08.05.2013, u janë paguar në vlerën 367,542 lekë, 31 personave pjesëmarrës në pritje- përcjelljen e organizuar për hartimin e planit të restaurimit të pazarit të vjetër të Korçës, si dhe u janë përballuar shpenzimet për fjetje në hotel dhe ushqimi për 3 ditë, 31 personave respektivisht; 10 studentëve francezë dhe 29 shqiptarëve. Kjo pagesë është kryer në mungesë të ftesës, listës me personat pjesëmarrës, programit të miratuar nga Këshilli Bashkiak, në kundërshtim me pikën 7 të VKM nr. 243,datë 15.05.1995 “Për shpenzimet për pritje-përcjellje dhe trajtimi që u bëhet delegacioneve të huaja”. Ekziston një listë e pjesëmarrësve e pakuptueshme dhe e pakonfirmuar nga pjesëmarrësit, ndërkohë si ushqimi dhe fjetja është përfshirë në një faturë dhe nuk përcaktohet veças, për efekt krahasimi me procedurat dhe kuotat e përcaktuara në VKM nr. 243,datë 15.05.1995. Rekomandimi i KLSH për bashkinë është: Bashkia Korçë të analizojë dhe në mungesë të një dokumentacioni të plotë, të kërkojë në rrugë ligjore shpërblimin e dëmit në vlerën 367,542 lekë, ndaj personave pjesëmarrës në pritje- përcjelljen e organizuar për hartimin e planit të restaurimit të pazarit të vjetër të Korçës.

Marrja në dorëzim e punimeve pa komision
Gjetjet nga auditimi janë të shumta. KLSH shpjegon se marrja në dorëzim e punimeve të ndërtimit, shërbimeve të kryera, mallrave e materialeve, është bërë pa u ngritur komisione me urdhër të veçantë të titullarit, me të paktën 3 specialistë të fushës, veprime këto në kundërshtim me kërkesat e UMF nr. 30, datë 27.11.2011 “Për menaxhimin e aktiveve në njësitë e sektorit publik”. Për këtë rast rekomandimi i KLSH është ky: për të gjitha furnizimet dhe marrjen në dorëzim të punimeve të ndërtimit, shërbimeve të kryera dhe marrjes së mallrave e materialeve, Bashkia Korçë me urdhër të veçantë, të titullarit të ngrejë një komision, me të paktën 3 specialistë të fushës. Ndërkaq janë evidentuar shkelje të tjera. Nga Drejtoria e Taksave, Policisë Bashkiake dhe Drejtorisë Juridike, nuk ishin propozuar dhe miratuar në Këshillin Bashkiak paketa me llojet dhe masën e gjobës për çdo shkelje, të cilat përbëjnë kundërvajtje administrative., mos veprime këto në kundërshtim me kërkesat e nenit 6 “Shkeljet që përbëjnë kundërvajtje administrative”të ligjit nr.10.279, datë 20.05.2010 “Për kundërvajtjet administrative”. Rekomandimi i radhës: Drejtoria e Taksave, Policia Bashkiake dhe Drejtoria Juridike, të marrë masa për të paraqitur, propozuar dhe miratuar në Këshillin Bashkiak, paketën me llojet dhe masën e gjobës për çdo shkelje, të cilat përbëjnë kundërvajtje administrative.
Financime pa prokurim
Duket se shkeljet nuk kanë të mbaruar. Ja çfarë thuhet më tej në raportin përfundimtar të tij për sa u përket financimeve pa prokurim: “Bashkia Korçë, ka kryer financime Projektesh të Përbashkëta me Fondacionet, pa zhvilluar procedura prokurimi, por duke u mjaftuar vetëm me miratimin e fondeve në Këshillin Bashkiak dhe kontratave të lidhura ndërmjet dy palëve, pagesa këto në kundërshtim me ligjin nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik” i ndryshuar, nenin 4, ”Fusha e zbatimit” ku përcaktohet se; ky ligj zbatohet për të gjitha procedurat e prokurimit publik, me përjashtim të rasteve të parashikuara në nenet 5,6,7,8 e 9 të këtij ligji që rregullohen me ligj tjetër. 1) Për rastet e programeve a të reklamave, për transmetimin nga Operatorët Radiotelevizivë ose botim në median e shkruar dhe për kontratat, për kohë transmetimi nga organet e administratës shtetërore, pagesat e operatorëve privatë të kryera nga Bashkia Korçë, janë në kundërshtim me kërkesat e përcaktuara në pikat 7, 8 dhe 9 të VKM nr.1195, datë 05.08.2008. 2) Për rastet e organizimit të ngjarjeve kulturore, artistike, pagesat e operatorëve privatë të kryera nga Bashkia Korçë, janë në kundërshtim me kërkesat e përcaktuara në pikat 3,4,5,6,7, 8 dhe 9 të VKM nr. 1173, datë 06.01.2009. në lidhje me këto raste KLSH jep këto rekomandime: “Bashkia Korçë nëse do të kryejë financime Projektesh të Përbashkëta me Fondacionet, për rastet e programeve a të reklamave, për transmetimin nga Operatorët Radiotelevizivë ose botim në median e shkruar dhe për kontratat për kohë transmetimi, të ngjarjeve kulturore, artistike, të zbatohen kërkesat e përcaktuara në dispozitat ligjore të cituara më sipër”.
Pasuri të paregjistruara
Gjetje të tjera nga auditimi: Sektori i Regjistrimit të Pronave Publike, nuk ka marrë masa dhe nuk ka dërguar për regjistrim në ZVRPP Korçë, pasuri të bashkisë si: truall, objekte ndërtimi, sheshe, lulishte, rrugë, vendstrehime, buste etj, si dhe nuk janë përfshirë në inventarin kontabël pasuror të Bashkisë, në zbatim të nenin 7, të ligjit nr. 9228, datë 29.04. 2004, “Për kontabilitetin dhe për pasqyrat financiare”, ligjin nr. 10296, datë 08.07.2010 “Për Menaxhimin Financiar dhe Kontrollin” dhe kreu IV, pika 74, të UMF nr. 30, datë 27.12.2011 “Për menaxhimin e aktiveve në njësitë e sektorit publik”. Rekomandimi: Sektori i Regjistrimit të Pronave Publike, të marrë masa dhe të dërgojë për regjistrim në ZVRPP Korçë, pasuritë e Bashkisë , truall, objekte ndërtimi, sheshe, lulishte, rrugë, vendstrehime, buste etj, si dhe të kryejnë regjistrimet për pasqyrimin e tyre në evidencën kontabile të Bashkisë Korçë. Vijon…..