Abdurahim Ashiku/ A kishte “luznakë” në mitingun e Ramës në Peshkopi?

580
Sigal

Mu duk se dibranët i thanë në kor e me duartrokitje frenetike “po Skavicës”, po mbytjes së Dibrës, po korrupsionit që lidhet me të…
Do të doja të bëhej një pyetje me fjalën e hidhur luznake në kësi mortesh: “Ku do të na i caktoni varret Zotni”? E ndoqa në gërmë dhe në figurë (aq sa e lejon kronika televizive) mitingun prezantues të kandidatit të “Rilindjes” për kryetar të bashkisë së Dibrës zhvilluar në Pallatin e Sportit “Bashkim Lala” në Peshkopi. 

       
Më “ngrohu” në pikën e zhegut të gushtit premtimi një çerekshekulli i përsëritur si në garat e stafetave “katërqind metra me pengesa”, për Rrugën e Arbrit, tash me një ligjërim të veçantë… “Nuk iki nga zyra e kryeministrit pa mbaruar Rrugën e Arbrit”. Kjo më ngjau me atë meselenë e borxhliut që premtonte se do t’ia jepte paratë “të shtunën” pa i cilësuar as datën e as orën… Kështu ndodhi edhe me kryeministrin tonë, që “din ta mbajë fjalën”. Në kronikat televizive pashë në figurë e në zë të gazetarit një deputet të partisë çame PDIU(!?) dhe një deputet të larguar të partisë së Metës LSI (!?) ta pyesnin kryeministrin për Rrugën e Arbrit (gjë që ua jepte e drejta e votës së popullit ta bënin në sallën e Kuvendit, në një interpelancë të posaçme për këtë), pyetje që e detyroi atë të bënte deklaratën e njohur tashmë në media si “premtimi i karriges”. Nejse, lëshoji dushke. Me deklarata e premtime tashmë të njohura si “premtime elektorale” Dibra jo thjesht është ngopur, por është nginjur deri në fyt, nga të dy krahët, nga e djathta dhe e majta, nga Berisha, Nano, Rama, Meta, Basha…
 Me deklarata dhe premtime, mjekut të Dibrës nuk i shtohet as edhe një duzinë vota. Dibra do vepra e jo premtime. Relativisht i besueshëm do të ishte Rama sikur në udhëtimin e tij zgjedhor drejt të Dibrës të ishte ndalur në Klos e t’i ngjitej të përpjetës deri në pikën ku do të dalë tuneli i përfolur në “shtatë krajli” i Rrugës së Arbrit, të kalonte Urën e Vashës për ta regjistruar në kujtesë për një tablo të madhe për “Sallonin e Hartave”, t’i binte në këmbë trasesë së rrugës që përshkon luginën e bukur të Planit të Bardhë e për t’u ngjitur e hedhur një sy mbi Bulqizën me “këmbë në florinj” e me “trup në qefinj. Nuk e bëri… dhe as do ta bëjë ndonjëherë… Ministri i Ramës, i deleguar për fushatën zgjedhore në Dibër, Gjiknuri, ulur në radhë të parë u pa me një dritë buzëqeshjeje në fytyrë. Komod si askush. Prisja që në adresë të tij të dilte ndonjë “luznak”, ndonjë prej atyre që hidrocentrali i Gjiknurit, deklaruar se do të niste themelet e digës (dhe shkatërrimin e gjithë atij mjedisi të bukur që përmbledh Katundin e Ri me deltën e gjerë të Drinit ku do të merren inertet, Hoteshin, Selanet… ) më 1 janar 2017 t’i bëhej një pyetje e thjeshtë, një pyetje me fjalën e hidhur luznake në kësi mortesh: “Ku do të na i caktoni varret Zotni”?
 Për rrugën e Arbrit u fol në mitingun zgjedhor në Peshkopi, kurse për Skavicën e madhe dhe “sakavicat” e vogla nuk u tha asnjë fjalë. As edhe një fjalë e vetme… Rruga e Arbrit do të ndërtohet një ditë, me apo pa Edi Ramën, është në logjikën e jetës. Rruga e Arbrit pa Dibrën si e ka krijuar natyra, pa luginën e bukur të Drinit të Zi nga Mireshi në Skavicë, mbytur përjetësisht me të kaluarën historike dhe me të tashmen burim i jetës dhe i të ardhmes së trevës, bukës së “Nëntë Maleve”, nuk i shërben krahinës. Është rrugë në troje të mbytura. Është kjo që desha të dëgjoja në takimin e Ramës me dibranët… Është kjo që desha, që ndonjë “luznak” të pyeste jo për të kaluarën, por për të ardhmen e tij, për varret e pasardhësve të tij… Nuk pyeti njeri… Më vjen keq! Mu duk se dibranët, për hir të partive politike e duan Dibrën nën ujërat e turbullta… Mu duk se dibranët i thanë në kor e me duartrokitje frenetike “po Skavicës”, po mbytjes së Dibrës, po korrupsionit që lidhet me të… Mu duk… Shpresoj që shqisat e mia të gabojnë…!