Abdi Baleta: Shqipëria dhe Kosova janë të kërcënuara nga prezenca ushtarake e Rusisë në Ballkan

1429
Abdi Baleta, ish-ambasadori i Shqipërisë në OKB, në intervistën për gazetën “Telegraf”, duke skanuar tensionimin e marrëdhënieve Turqi-Rusi, si edhe ngjarjet që zhvillohen në Siri, pohon se incidenti i rrëzimit të avionit rus nga Turqia, ishte i dëshiruar, por kjo dhe lufta në Siri, në Ukrainë, Krimeja më tutje, dëshmojnë se, tashmë kemi një ballafaqim të Fuqive të Mëdha, për një rindarje të zonave të influencës, e më tepër që “Tani po shpaloset mesjanizmi i tretë rus i Putinit”. Zoti Baleta, nga ana tjetër, konstaton që kemi krizë të identitetit dhe nacionalitetit shqiptar. Edhe prania ushtarake e Rusisë në Preshevë dhe Nish, është një kërcënim për Shqipërinë dhe Kosovën. 

-Zoti Baleta, cila është domethënia e konfliktit aktual ruso-turk?
– Konflikti ruso-turk i këtyre ditëve nga shumë vëzhgues (edhe) mund të quhet rrufe në qiell të pastër. Nuk është ashtu. Incidenti ushtarak, me rrëzimin e aeroplanit rus nga ana e Turqisë, nuk besoj se është aksident. Asnjëherë nuk kemi për të mësuar të vërtetën, në raste të tilla e vërteta nuk del kurrë, sepse secila palë publikon argumentat e vet. Incidenti ruso-turk, është dëshiruar nga dikush. Nuk mund të pranohet asnjë lloj teorie tjetër. 
– Cili e ka dëshiruar incidentin ruso-turk? 
– As këtë, opinioni nuk ka për ta marrë kurrë vesh. 
– Çfarë duan të arrijnë?
– Këtu problemi është, nëse ky incident është bërë nga një veprim i pamenduar deri në fund i politikës turke? Është një përgjigje paralajmëruese që të mos bëhen veprime të tjera, të cilat kanë kondicionuar incidentin? Apo është edhe një edhe një porosi për të lëshuar sinjal? Ka një gjë; marrëdhëniet ndërkombëtare po ndjekin ulje-ngritje shumë të fuqishme.
– Cilat janë interesat e mëdha që shkaktojnë sot ulje-ngritjen e barometrit të marrëdhënieve ndërkombëtare midis shteteve të fuqishme të Botës?
– Interesat e mëdha janë interesat tradicionale; është gjeopolitika e përgjithshme botërore, e cila prej shekujsh nuk ka ndryshuar. Po të dëgjosh me kujdes analistët ruse kupton që ka një ringjallje të gjeopolitikës së kaluar. Nikonov, deputet në Dumën ruse, nipi i Molotovit bashkëpunëtorit më të ngushtë të Stalinit, është më i moderuari në të folur, por parmbrëmë tha një gjë shumë të ashpër: “Turqia gjithmonë ka qenë armiku ynë. Turqia përpiqet të ringjallë Perandorinë Osmane”. Kurse për veten e vet, nuk tha që përpiqemi të ringjallim Bashkimin Sovjetik. Disa rusë të tjerë u shprehën për interesat kombëtare që ka Turqia në Siri. Po në atë bisedë dikush tjetër tha: “Rusia, si fuqi e madhe, ka shumë interesa kombëtare e të mëdha në Siri”. Ja pra, po ngjallet fryma e së kaluarës. Gjeneral Kolonel Ivashov kujtoi që Rusia në 200 vjet ka bërë 8 luftëra me Perandorinë Osmane; u kritikuan qeveritarët ruse se përse e ngritën Turqinë në nivelin e aleatit; dhe një deputet, që përfaqëson Putinin në këto biseda, tha që asnjëherë nuk e kemi bërë këtë. Ushtarakët rusë mohuan që t’i kenë dhënë armë Turqisë, përveç armëve snaiper. Ndaj njerëzit u shqetësuan pas incidentit dhe pohuan që Bota është në prag të luftës dhe ky nuk është shqetësim i pakët, sepse nga incidentet e vogla, kur përplasen Fuqitë e Mëdha, shpërthejnë luftërat. Lavrov, ministri i Jashtëm rus, e uli tonin dhe tha se nuk do të hyjnë në luftë me Turqinë, por do të ketë pasoja në marrëdhëniet ruso-turke, siç kishte kërcënuar edhe Putini që në fillim. Ndaj tani vëzhguesit rusë po shprehen që të mos shkojnë turistë në Turqi e të ndërpriten investimet ruse në atë vend. Disa avancuan edhe më tej e thanë të krijohet aleanca e re kundër bashkëpunëtorëve të terrorizmit. Rusia shpalli si bashkëpunëtorë të terrorizmit 3 vende: Turqinë, Arabinë Saudite dhe Katarin. Madje, Turqinë e kanë cilësuar edhe bashkëfajtore me ISIS-in. Rusia po kërkon aleancë të re si ajo e Luftës së Dytë Botërore. Të gjitha këto janë në kuadër të gjeostrategjisë që vazhdon prej kohësh. Rusia synon të dobësojë solidaritetin perëndimor që të ulet kundërshtimi i SHBA-ve e BE-së ndaj politikës ekspansioniste ruse në Ukrainë. Ajo është nxitur mjaft nga qëndrimet e fundit të Francës dhe mbase i duhej një acarim në gjirin e NATO-s lidhur me incidentin në kufirin siriano-turk. Prandaj Lavrov ngriti edhe një problem: Turqia mund të ketë vepruar pa dijeninë e SHBA-ve, të cilat kanë vënë rregullin se çdo shtet aleat që ka në dispozicion avionë ushtarakë të prodhimit amerikan para se t’i përdorë duhet të marrë pëlqimin amerikan, duke mbjellë dyshimin nëse i kanë dhënë SHBA-të leje Turqisë që me F-16 të rrëzojë aeroplanin rus? Pra, Lavrov aludon se mos kanë dorë SHBA-të, sepse Turqia është vështirë të rrëzojë avion ushtarak rus pa lejen e aleatëve në NATO dhe ka marrë lejen e tyre paraprakisht. Dy ditë para këtij incidenti, në debatet ne televizionet ruse kërkohej se përse bombarduesit rusë bëjnë xhiron e Botës për të bombarduar Sirinë? Nisen nga Murmansku, kalojnë brigjeve të Norvegjisë, i bien nga mbrapa Anglisë dhe Irlandës, futen në korridorin e ujërave ndërkombëtare të Gjiblatarit, kapërcejnë Mesdheun e bombardojnë Sirinë. Ky është edhe itinerari i nëndetëses atomike ruse “Kursk” ruse në kohën e luftës së Kosovës, e cila nuk bëri veprime, dhe jo shumë kohë pas këtij lundrimi u mbyt pranë brigjeve të Norvegjisë, në rrethana që ende sot nuk janë shpjeguar. Pra, ka një ringjallje të periudhës së Luftës së Ftohtë; është një ballafaqim i Fuqive të Mëdha. Lufta kundër terrorizmit, është vetëm fasada. 
– Kjo ringjallje vjen për shkak të prishjes së balancave dhe ekuilibrave politiko-ekonomike rajonale, që u vendosën pas Luftës së Ftohtë?
– Balancat dhe ekuilibrat rajonale, herë prishen, herë ndreqen. Ekuilibër të përsosur kurrë nuk ka pasur. Pas 1990 u krijua ideja fallso, që mbeti vetëm një superfuqi, SHBA-të, që do të jetë i vetmi “xhandar” ndërkombëtar. Rusët mbetën të pakënaqur. Ndaj edhe rusët morën kursin e rivendosjes së ekuilibrave, si në kohën kur BRSS ishte një superfuqi. Prandaj bëhen edhe këto veprime të tanishme, për ta shtrirë prapë influencën ruse në të gjitha zonat që i përkisnin Bashkimit Sovjetik dhe rezultati është Ukraina. Para 2 vjetësh Ukraina e sfidoi këtë sfidë të rusëve, ndaj ata u përgjigjën fort dhe shpallën luftën kundër fashizmit, duke thënë se “Fashizmi u ringjall dhe duhet aleancë kundër fashizmit”. Rusët arritën etapën e parë të suksesit, duke aneksuar Krimenë. Praktikisht, i kanë shkëputur Ukrainës Doneckun dhe Lluganskun, të cilat janë parathënia edhe për shkëputjen e pjesëve të tjera rusishtofolëse. Në 2 vjet lufte në Ukrainë u la në heshtje Siria. Europa nuk iu bashkua, por tani kërkohet aleancë kundër terrorizmit dhe u “ringjall” Siria. Rusët nuk e pranojnë që Ukraina dhe Siria janë si dy enë komunikuese në politikën e tyre dhe në gjeostrategjinë perëndimore. Por, në fakt, Ukraina dhe Siria janë bërë dy enë komunikuese në këtë gjeostrategji ballafaquese Perëndim-Lindje. Për më tepër, Siria është bërë poligon prove për armët më të fundit dhe taktikat ushtarake më të reja të të gjitha palëve botërore. Këto ditë Krimesë i është ndërprerë energjia elektrike nga Ukraina dhe rusët këtë e quajnë terrorizëm, madje fajësojnë edhe Turqinë se ka dorë në këtë punë. Krimeja shpalli prerjen e marrëdhënieve me Turqinë. Ky acarim është në sfondin e gjeopolitikës. Lufta kundër terrorizmit është maska. Unë nuk them që nuk duhet luftuar terrorizmi, por që para 15 vjetësh kam thënë se terrorizmi nuk luftohet me ushtri. Këtë e dëgjojmë këto ditë nga analistët francezë. Terrorizmi është fantazmë, nuk e kap dot. Të vijnë 2 veta me dinamit e vethidhen në erë bashkë me të tjerët. Nuk mund të ketë luftë globale e finale kundër terrorizmit, sepse nuk mund të ketë luftë globale dhe finale kundër kriminalitetit në përgjithësi; sepse terrorizmi është formë e kriminalitetit. Këta tani po e thonë dhe analistë perëndimorë, se nuk luftohet terrorizmi me ushtri, por duhen masa shumë më të larmishme e strategjira më komplekse. 
– Çfarë është ISIS?
– Është emër konvencional, siç ishte Al-Kaeda, që është gjithandej dhe askund.
– Kujt i shërben ISIS?
– Ka disa hipoteza. Sipas meje ISIS është prodhim i të gjitha forcave ndërkombëtare që kanë dëshirën që ta mbajnë të ndezur luftën në Lindjen e Mesme. Këtu është nafta, është çështja e palestinezëve, këtu është Gjiri Persik, këtu janë rrugët e komunikimit të Botës. Një ndër arsyet pse ndodhën këto gjëra në Siri është se Rusia i ka dhënë 10 miliardë dollarë Asadit që të mos lejojë kalimin e gazsjellësve nga Katari në Mesdhe, sepse Europa Perëndimore paskëtaj bëhet e pavarur nga furnizimi me gazin rus. Asadi nuk e ka lejuar deri tani. ISIS filloi me kontrabandën dhe rusët po mburren se kanë shkatërruar qindra autobote të kësaj kontrabande. Siria është lufta për gazin, për naftën, për udhëkalimet e saj gjeografike. SHBA u hoq sikur nuk po ndodh asgjë, doli Franca që të ringjallë aleancën e vjetër ruso-franceze. 
– A është e rrezikuar paqja?
– Paqja është e rrezikuar, sepse në çdo moment mund të ndodhin ballafaqime të papritura, siç ishte rrëzimi i avionit ushtarak rus, gjë e cila vuri në provë edhe gjakftohtësinë politike të të gjitha palëve. Dy ditë para incidentit, disa analistë rusë kërkuan në ekranin televiziv që të bombardohej Turqia, e cila nuk lejon avionët rusë të shkojnë për në Siri. Tani rusët e kanë shpallur Turqinë të ngjashëm me ISIS, aleat të ISIS dhe parulla është: “Me terroristët nuk bisedohet, por asgjësohen”. Derisa thonë që terroristët asgjësohen, kushdo mund të shpallë terroristët si armikun e vet, dhe fillon lufta që ta asgjësojë. Para disa vitesh, duke biseduar me një studiues, ekspert turk i të çështjeve diplomatike, ndër të tjera i kam shprehur: “Ju ka dështuar teza e thellësisë strategjike. Me Sirinë keni dështim. Me kurdët do keni probleme. Me Iranin nuk e keni mirë. Do fillojë edhe në rajone të tjera.” “Thellësia Strategjike” është titulli i librit të Davutoglu, kryeministri i sotëm turk. NATO në këtë rast, tërthorazi i tha Turqisë, që ta gjejë fjalën me Rusinë, duke hedhur një kovë ujë, por zjarri nuk shuhet. Pjetri i Madh, që ka vdekur në 1725, ka lënë një testament për pasardhësit e tij rusë: “Duhet të shpëtoni e të ripërtërini Europën nga rënia morale, siç e ripërtërinë Perandorinë Romake të degraduar moralisht dyndjet e popujve shumë shekuj në parë ”. Aksionin e parë të rëndësishëm për zbatimin e testamentit e bëri Ekaterina e Madhe, kur aneksoi Krimenë, nga fundi i shekullit XVIII. Tani Krimeja u aneksua përsëri nga Rusia. 
– Cili, mendoni ju, do jetë hapi tjetër i Rusisë?
– Mesjanizmi sllavo-rus fillon me Pjetrin “për të shpëtuar Europën”. Për të shpëtuar Europën, mesjanizmi leninist-komunist ishte i dyti. Tani po shpaloset mesjanizmi i tretë rus i Putinit. Kjo vetëm turbullira mund të prodhojë.
– Zoti Baleta, çdo të thotë prezenca ushtarake e Rusisë në Preshevë?
– Rusia kurrë nuk e ka hequr vështrimin nga Ballkani. Ekaterina e Madhe bëri përpjekje të mëdha në Greqi, në Shqipërinë e Jugut, për të mbledhur botën ortodokse rreth planit rus. Ajo që ndodhi në Kosovë në fund të shekullit XX, Rusisë vazhdon t’i japë me dhimbje, më shumë se vetë Serbisë. Rusia nuk heq dorë nga synimet e saj në Ballkan. Baza në Preshevë dhe ajo në Nish janë kundërpërgjigje e bazës amerikane të Bonstillit, që u vendos në Kosovë pas vitit 1999. Në qendër të Ballkanit kemi tentavinë për ekuilibër forcash ushtarake midis 2 fuqive më të mëdha ushtarake të botës. Sido që të jetë në Ballkan, kjo veç tensione sjell dhe do të sjellë. Serbia thotë, unë dua të hyj në BE, por jo në NATO.
– Përse Serbia nuk e pranon NATO-n?
– Nuk do, sepse lidhjet ushtarake i do me Rusinë ose ndryshe: Kokën dhe zemrën Serbia i ka te Rusia, ndërsa barkun do ta ketë te Brukseli. Siç është Greqia, gruaja e Lindjes dhe ‘dashnorja’ e Perëndimit. 
Në udhëkryq është identiteti dhe nacionalizmi shqiptar, jo thjesht demokracia
– Nga prezenca ushtarake e Rusisë në Ballkan, a janë të rrezikuara Kosova dhe Shqipëria?
– Shqipëria dhe Kosova, jo vetëm nga prezenca ushtarake, por edhe ajo ekonomike, energjetike, politike e turistike, janë të kërcënuara nga Rusia, sepse është një armiqësi e vjetër. Nuk shuhet kjo me fjalë të mira. Janë dy botë të ndryshme. Është përplasje shekullore. Ka një urrejtje në mes. Jemi krejt të ndryshëm. 
– Zoti Baleta, si duhet të sillen shqiptarët ndaj Botës dhe ndaj vetes?
– Shqiptarët janë më të diskriminuarit në situatën e sotme botërore. Të mëdhenjtë gjithmonë do të mendojnë për strategjitë e tyre të mëdha të sundimit të Botës, në dëm të të vegjëlve, të të pambrojturve. Ne, shqiptarët, kemi qenë gjithmonë rajon, vend dhe popullsi periferike. Në Perandorinë Bizantine kemi qenë periferi, në kohën Osmane periferi, në sistemin komunist ishim periferi dhe si të tillë, mbetemi gjithnjë pas dore. Në raportet fetare, kemi qenë periferi e katolicizmit, periferi e ortodoksizmit, periferi e myslimanizmit. Të gjitha këto bëjnë që të jemi të lënë pas dore. Në kohën e demokracisë Europa na la periferi të zhvillimeve demokratike. Por ka një të keqe. Kur fillojnë turbulencat e mëdha, prodhojnë tajfune dhe shtrëngata, e për çudi, ne shqiptarët ndodhemi në syrin e ciklonit. Zona jonë tradicionalisht në shekuj ka qenë zona e përplasjeve të mëdha. Ne kemi fajet tona, se nuk kemi ditur të bëjmë më mirë sesa kaq. Ndaj Botës duhet të sillemi më me dinjitet sesa jemi sjellë e më me mend sesa jemi sjellë. Ne duhet të dimë se nga na vjen rreziku kryesor e nga na vjen rreziku i dorës së dytë; kë kemi mik, mik potencial ose edhe konjuktural; kë mund të kemi armik të vendosur historik; kë mund të kemi armik konjuktural të përkohshëm; e kujt duhet t’i ruhemi më shumë. Këto çështje ne nuk i kemi zgjidhur. Kështu që ne shqiptarët notojmë në mjegull. Në mendimin politik ne nuk jemi kurrkund. Ne nuk kemi mendim të qartë ndaj vetes. Çfarë është kryesore në jetën e një populli e të një kombi? Te libri i filozofit amerikan Majkëll Ëaltzer “The Paradox of Liberation” thuhet: “Nacionalizmi mbetet forca më potente në politikën moderne”. Politikanët shqiptarë nuk duan ta kuptojnë këtë. Intelektualët nuk duan ta kuptojnë këtë. Populli e ka të lehtë ta pranojë që nuk duhet kjo. Elez Biberaj sot thotë: “Demokracia shqiptare në udhëkryq!” Duhet të sqarojmë përse demokracia shqiptare është në udhëkryq. Por ajo që më shqetëson mua është se në udhëkryq është identiteti dhe nacionalizmi shqiptar, jo thjesht demokracia. Demokracia është një tipar i jetës kombëtare. Nëse ne nuk do arrijmë të themi që kemi krizën e nacionalizmit, krizën e identitetit, ne nuk mund të zgjidhim dot as problemet e demokracisë. Nuk ka komb tjetër që të jenë në krizë identiteti, siç janë shqiptarët e ndarë në 6 copa. Të përçarë dhe të ndarë, janë dy të këqija të kombit shqiptar. Ajo që ndodh në Kosovë nuk është luftë për demokraci; nuk është as luftë për pushtet. Çështja është madhore: Do të mbetet Kosova shqiptare, apo do të bëhet Bosnje? Këtu ndahen shqiptarët. Ne nuk e kemi të qartë se cila është vetvetja shqiptare dhe për çfarë duhet të luftojmë?! Pastaj, le ta bëjmë edhe demokracinë! Nuk mund të ketë kurrë demokraci për shqiptarët, në kushtet e sotme ndërkombëtare. Ne shqiptarët duhet të kemi shumë kujdes ndaj politikave të tutelës dhe turjelës. Sepse politika e tutelës për ne kthehet në politikën e turjelës ndaj nesh. Që nga Lidhja e Prizrenit dhe deri më sot, ne shqiptarët jemi viktima të politikës së tutelave dhe turjelave. Shqiptarët duhet t’i rikthehen vetvetes. Demokracia shqiptare do të jetë antidemokraci, deri kur të ndodhin këto përmbysje, që të rikthehemi te identiteti dhe nacionaliteti shqiptar. 
– Faleminderit!
Shkrimi u botua në Gazetën Telegraf datë 28.11.2015
Sigal