Abdi Baleta: “Politika greke inventarizoi problemet me diplomacinë e saj në Tiranë”

496
Sigal

Ish-ambasadori i Shqipërisë në OKB, diplomati Abdi Baleta në intervistën për “Telegraf”, duke skanuar vizitat e Venizellos dhe Papulias në Tiranë, brenda një ndërkohe të shkurtër, thotë se në marrëdhëniet Shqipëri-Greqi nuk u shënua asnjë afrimitet, apo “ngrohje”, por e tëra kjo ishte një ofensivë e diplomacisë greke për të ndikuar ndaj politikës dhe  diplomacisë shqiptare. Sipas zotit Baleta, nuk mund të flasim për miqësi  shqiptaro-greke, por për fqinjësi të mirë shqiptaro-greke. Qëllimi i diplomacisë greke, thotë zoti Baleta, ishte që të bënte inventarizimin e problemeve me Tiranën. Baleta, ndërkohë vlerëson diplomacinë e Ramës me Turqinë si aleat strategjik i Shqipërisë, dhe, ndërkohë shpjegon përse Greqia nuk është dhe nuk mund të jetë kurrë aleat strategjik i Shqipërisë.

Zoti Baleta, vizitat e njëpasnjëshme të zv/kryeministrit grek, Venizellos dhe Presidentit Papulias në Tiranë shënojnë një afrimitet në marrëdhëniet dypalëshe, të cilat  kanë një ndërkohë të gjatë  që janë të ftohta?

– Së pari, unë dua të them, që këto vizita nuk shënojnë ndonjë afrimitet të madh në marrëdhëniet shqiptaro-greke. Ajo që quhet “ftohje”, nuk u “ngroh”. Nuk ka kuptim që vizitat shtetërore të bëhen në këtë mënyrë, siç i bënë grekët në Shqipëri. Këtu, Venizellos dhe Papulias, u dukën sikur bënë politikë të pavarur, si personalitete, jo si politikë greke, sepse ishte e njëjta politikë greke. Ne si shqiptarë, duhet ta konsiderojmë këtë, si një ofensivë të diplomacisë greke, për të ndikuar mbi politikën dhe diplomacinë shqiptare, në një moment kur vetë politika dhe diplomacia shqiptare kishin ndërmarrë një mësymje  diplomatike shumë interesante në botë. Papuliasi tha një shprehje: “Unë kam ardhur këtu për t’i dhënë një shtytje marrëdhënieve shqiptaro-greke.”

– Ju, si diplomat me përvojë, çfarë kuptoni me këtë shprehje të Presidentit grek?

– Kuptoj, që Papuliasi do të thotë që ka një ngecje në marrëdhëniet dypalëshe,  e njohin edhe ata këtë fakt. Por ishte një lloj shprehje xhelozie, për hapat që ka ndërmarrë diplomacia shqiptare në drejtim të vendeve të tjera, sidomos ndaj Turqisë, nga e cila të lë të kuptojmë që ata janë shumë të interesuar.

– Pse e tha Papuliasi këtë shprehje dhe jo Venizellos?

– Sepse Papulasi ka marrë etiketën e “Miku i madh i Shqipërisë”, siç e quajti edhe Presidenti Nishani.  E vërteta është që Papuliasi ka dashur që ta ketë këtë paraqitje para shqiptarëve. Me  emrin e Papuliasit, lidhet  periudha e ngrohjes së marrëdhënieve shqiptaro-greke, në vitin 1984, ku u organizuan në Kakavijë, në të dy anët e kufirit festivalet e takimeve shqiptaro-greke. Atëherë, me shpejtësi të madhe, u emërua një zv/ministër i Jashtëm i Shqipërisë, Muhamet Kapllani, sepse duhet të ishte në atë detyrë, sepse Sokrat Plaka, që ishte zv/ministër, sikur nuk i plotësonte kushtet. Ortodoks me ortodoks mbase interpretohej keq, ndaj gjetën Muhametin. Pastaj edhe pas ndërrimit të regjimit te ne, ishte pikërisht Papuliasi që ka ardhur në Shqipëri me parullën: “Të hapim një kapitull të ri në marrëdhëniet tona”. Po Papuliasi lidhet edhe me incidentin e Sarandës në 2005-s, ku si President iku dhe bëri provokim shumë të rëndë. Dhe nga ajo kohë, Papuliasi nuk është ndjerë më. Venizellosi iku nga vizita në Tiranë, paksa i mërzitur, e kjo sepse diplomacia shqiptare për herë të parë arriti ta përcjellë një shef të diplomacisë greke me turi varur. Ndaj erdhi Papuliasi në Tiranë, menjëherë. Unë e mbështet edhe diplomacinë e Ramës, edhe të Bushatit, sidomos qëndrimin e tij në konferencën e shtypit me Venizellosin, si dinjitoz. Mendoj se Papuliasi nuk i dha dot shtytje marrëdhënieve shqiptaro- greke.

Përse keni këtë përshtypje?

– Nuk kanë ndryshuar gjërat që duhet të ndryshojnë.

– Po a ka të drejtë Greqia të pretendojë se e kërkon sipas toponimeve që ka dorëzuar dhe njeh OKB-ja?

– Greqia mund të dorëzojë çfarë të dojë në OKB. Unë nuk ia kontestojë këtë të drejtë, që Selanikun ta quajë Thesalonik.

– Është e detyrueshme nga shtetet e tjera  që të zbatojnë edhe në dokumentet e tyre zyrtare,  këto emërtime të dorëzuara në OKB nga një shtet për toponimet e saj?

– Absolutisht, jo! Pejës serbisht, i thonë Peç. Stambollit i thonë Instambull. Po askush nuk mund të na detyrojë neve që në dokumentet e shtetit shqiptar t’i shkruajmë ashtu si duan ata. Vetëm nëse bëhet një traktat marrëveshjeje midis dy shteteve për këtë çështje. Më vjen keq që Greqia të krijojë të tilla pretekste me fqinjët e saj. Po të vazhdojnë kështu, as Papuliasi dhe asnjë nuk do të japin asnjë kontribut. Është ngërçi i çështjeve të pasurive, çështja e Ligjit të Luftës. Papuliasi pranoi që ka problem minoriteti, por vetëm minoriteti grek në Shqipëri. Greqia, pa heqë dorë nga ky refren, nuk mund të japë shenjë të vullnetit të mirë, sepse kështu, minoriteti grek po merret në qafë në Shqipëri. M’u duk gabim i rëndë i diplomacisë greke që Presidenti grek, së pari takoi Janullatosin e Dulen dhe pastaj shkon e takon Presidentin e shtetit që e ka ftuar. Sepse, së pari, presidenti duhet të takojë atë që e ka ftuar. Kjo nuk ishte që t’u merrte mendim, se çfarë ankesa kanë ata. Nëse këto gjëra nuk i bën qëllimisht, është gafë e rëndë, se Papulasi është diplomat i regjur.  Në qoftë se këto gjëra i bën qëllimisht Papuliasi, është skandal.

– Diplomacia jonë, në këto vizita të Venizellosit e Papuliasit në Tiranë, nuk e shtroi për diskutim fare njohjen e Kosovës nga Greqia. Sipas jush, përse?

– Në formë të butë, por e përmendi Nishani, në deklaratën e fundit. Natyrisht, e ka shtruar shumë-shumë butë. Diplomacia jonë, natyrisht, duhet ta kishte vënë kushtin, që për çdo përparim të mëtejshëm të marrëdhënieve shqiptaro-greke, të jetë njohja e Kosovës. Sepse, nuk ka fyerje më të madhe, nuk ka akt më armiqësor ndaj shqiptarëve, sa ai, që fqinji nuk të njeh vëllanë tënd, që u bë shtet. Kur Greqia kërkon të fshihet pas së ashtuquajturës “ E drejta ndërkombëtare”, amerikanët nuk e njohin atë të drejtë ndërkombëtare, që e kanë njohur Kosovën? Qëndrimi i Greqisë për Kosovën është armiqësi e hapur ndaj shqiptarëve në përgjithësi. Diplomacia shqiptare, po të kishte dinjitetin e duhur kombëtar, këtë do ta bënte të parën.

– Greqia a është e interesuar, që Shqipëria të integrohet sa më shpejt në BE, për hir të minoritetit grek?

– Nuk e besoj. Greqia nuk mund të jetë e interesuar për këtë, sepse di që nuk do ta ketë këtë fat që ta lërë Shqipërinë jashtë BE-së. Greqia ka një gjë. Për çdo hap që do të bëjë Shqipëria si vend dhe si komb në drejtim të realizimit të aspiratave të tyre, ajo do që të marrë një harxh për vete. Vetëm ky është problemi grek ndaj Shqipërisë. Greqia e di që minoriteti grekofon në Shqipëri do të jetë si veshka mes dhjamit.

– I intereson Greqisë që Shqipëria të mos jetë në BE?

– Greqisë i intereson që të vonohet sa më shumë integrimi i Shqipërisë në BE, në mënyrë që të zhvatë sa më shumë lëshime e privilegje nga Shqipëria.

–  Nisur nga përvoja juaj shumë e gjatë në diplomaci, shikoni një erë të re të diplomacisë shqiptare të qeverisë Rama?

Unë nga lëvizjet e Ramës, shikoj ca gjëra të reja. U pezmatova kur Rama tha që në strategjinë e tij do të ketë zero probleme me fqinjët. Dhe m’u kujtua doktrina e Davutoglusë ( ministër i Jashtëm turk), që tha, që thellësia strategjike do të thotë  zero probleme me fqinjët. Kjo nuk qëndron, sepse me fqinjët kurrë nuk mund të ketë zero probleme. Mund të mos ketë probleme shumë të mëdha, por gjithmonë do të ketë probleme. Më duket se Rama e ka korrigjuar pak këtë. Ka thënë, që nga ana jonë do të punohet që do të ketë zero probleme. Këtë korrigjim e pranoj, nëse e ka bërë.

– Mos vallë zero probleme, do të thotë edhe zero pretendime ndaj fqinjëve për interesat tona kombëtare?

– Po të jetë kështu, është skandaloze fare.

– Kështu  e kritikoi opozita e tanishme.

-Ata spekulojnë. Kritikat që i bën sot PD-ja diplomacisë së Ramës, lëri mënjanë. Zero probleme në marrëdhëniet me fqinjët, është e pamundur, jo se nuk e dua. Janë utopira. Unë shikoj të re, inventarizimin e problemeve me Greqinë, guximin  për t’i thënë qartë shumë gjëra. Me Turqinë e ka kuptuar objektivisht, që kemi interesa. Edhe nëse interesat ekonomike rregullohen me Turqinë, kjo është shumë pozitive edhe për diplomacinë. E keqja vjen nga ajo ne  nuk ka një bosht, një tabu të programit kombëtar, nga e cila askush të mos guxojë njeri të dalë. Grekët kanë deklaratën e Miçotaqis, të korrikut 1993, një deklaratë ultra-shoviniste, pika 6 e cila thotë: “Çfarë të kërkojë Shqipëria për shqiptarët e Kosovës, të kërkojë Greqia në Shqipëri për minoritarët”.

Jo miqësi shqiptaro-greke, por fqinjësi, e cila ende nuk është fqinjësi e mirë

 – Cilat janë ato ngërçe, që janë tabu  dhe pengesë, e nuk mund të kapërcehen dot nga politika,  në krijimin e një klime të mirëkuptimit reciprok në marrëdhëniet shqiptaro-greke?

Të jemi të sinqertë. Flasim për miqësi shqiptaro-greke. Unë dua ta përjashtoj këtë terminologji. Ne duhet të flasim për fqinjësi, që ende nuk është fqinjësi e mirë. Është fqinjësi me shumë të përpjeta, me shumë pengesa. Me vizitat e Venizellosit e Papuliasit në Tiranë, u bë një inventar i problemeve që ekzistojnë midis dy vendeve, gjë që nuk është bërë deri më sot. Pas fjalimit të Enver Hoxhës në 1967, kur ai u tha grekëve, që nëse tentoni të sulmoni Shqipërinë, do ta kini keq dhe Vorio-Epirin do ta shihni kur të shikoni majën e veshit pa pasqyrë, 40 e ca vjet nuk ka patur një qëndrim kaq të vendosur të politikës e diplomacisë shqiptare, sa gjatë takimeve me Venizellosin e Papuliasin në Tiranë. Ky është një hap shumë i rëndësishëm në drejtim të uniformizimit të politikës shqiptare, në drejtim të krijimi të boshtit politik shqiptar me Greqinë dhe pozitive është që u bë inventari i problemeve dhe që pengojnë ecjen më tej të marrëdhënieve të dy vendeve. Presidenti Nishani ngriti Çështjen e Çamëve, problemin e emigrantëve shqiptarë në Greqi, që këtu të kihet kujdes se nuk mund t’i barazojmë me problemin Çam. Ngriti problemin e toponimeve, që Greqia e ka ngritur si pretekst të keq, për të ndikuar keq në marrëdhëniet tona. Nuk mund t’i imponohesh një shteti, që  dokumentet e gjendjes civile, do t’i bësh sipas emërtimeve të mia.