Abdi Baleta: Gjermania kërkon të ngrej “stanin” e saj në Ballkan

939
Baleta, ish ambasador i Shqipërisë në OKB, dhe njohës shumë i mirë i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe i diplomacive të mëdha, në intervistën ekskluzive për gazetën “Telegraf” ngre 10 tezat e tij për Ballkanin Perëndimor, për politikën e Fuqive të Mëdha të kohës, për përpjekjet e tyre që të formojnë një Jugosllavi të tretë, për hir të konkurrencës së tyre me Rusinë dhe pse shqiptarët vënë në plan të parë integrimin dhe jo çështjen kombëtare, kur ndërkohë, fqinjët tanë, serbë dhe maqedonas, zgjidhin çështjen kombëtare e pastaj shikojnë integrimin.
-Zoti Baleta, sot, a mund të pohojmë që në Ballkan është krijuar një klimë e re mirëkuptimi dhe bashkëpunimi, marrë shkak edhe nga Samiti i Vjenës?
– Kjo është vetëm fasadë. Ballkani është Ballkani që ka qenë. Ballkani është rajon i veçantë i Europës. Lufta e ftohtë në Ballkan nuk pushoi asnjëherë. Fytyra e Ballkanit nuk ka ndryshuar, siç pretendojnë disa. Në Ballkan kanë ndryshuar kufijtë, ka ndryshuar numri i shteteve, por kontradiktat dhe problemet ballkanike mbeten ato që kanë qenë. Para 3 muajsh kam bërë një bisedë me një politologe boshnjake.
– Cila ishte?
– E cila ishte myslimane dhe në diskutimet tona ramë dakort që, nisur dhe nga përvoja e saj në Bosnjë, problemet që çuan në rrënimin e Federatës Jugosllave nuk janë zhdukur, sepse të dy konstatuam përshtypjen që Federata Jugosllave është klonuar në 5 Jugosllavi të reja, përsa i përket kontradiktave. Do t’ju jap dy shembuj, Bosnjën dhe Hercegovinën, kontradikta që brejtën Abdi Federatën Jugosllave. Unë dua të shtoj që Kosovën duan ta bëjnë një mini Jugosllavi tjetër, me të njëjtat kontradikta. Unë shikoj sot, që në këtë drejtim po ecet. Kosovën po e boshnjakëzojnë. Mali i Zi është i boshnjakëzuar, se po të mos ishin 4 % e votave të shqiptarëve, ky vend nuk bëhej i pavarur, si rrjedhojë e konflikeve të malazezëve me serbët atje. Vetë Serbia është një tjetër mini Jugosllavi, sepse ka të pazgjidhura problemet e Sanxhakut dhe Vojvodinës. Të gjitha këto tregojnë që kontradiktat që ka patur Federata Jugosllave janë klonuar në mini Jugosllavi të vogla. Tani ka edhe një gjë tjetër. Europa kërkon krijimin e një Jugosllavie të re dhe është ajo që quhet Ballkan Perëndimor.
– Si erdhi në realitetin e sotëm, emërtimi “Ballkan Perëndimor?
-Është term i pasaktë dhe spekulativ.
– Politikisht, apo gjeografikisht është spekulativ?
– Herën e parë, gjeografikisht. Pastaj historikisht. Pastaj, edhe politikisht. Ndarjen e parë të madhe të Ballkanit e ka bërë vija e Theodhosit, kur ndau perandoritë romake të Lindjes dhe Perëndimit, që kalonte përmes Bosnjës, linte Kroacinë, Slloveninë, dhe dilte deri në Bunë. Sipas kësaj u bë ndarja fetare, në katolik dhe ortodoks, derisa erdhi myslimanizmi. Pastaj në Ballkan ka patur ndarje të tjera. Edhe në kohën e komunizmit kishte dy blloqe komuniste në Ballkan. Edhe perandoria Osmane, kur ballafaqohej me Perëndimin, kishte një vijë në Bosnjë. Nëse flasim për Ballkan Perëndimor, gjeografikisht, historikisht, është Sllovenia, Kroacia dhe Shqipëria. Ballkan Qendror është Serbia sot, mundet edhe Maqedonia, pa shqiptarët kuptohet. Ballkan Perëndimor quhet sepse blloku gjerman i Europës realizoi në vitet 1990 synimet e veta për të shkëputur Kroacinë dhe Slloveninë dhe me këtë duan të thonë, që Sllovenia dhe Kroacia nuk janë më fare në Ballkan. Termi Ballkani Perëndimor më ka shqetësuar që në 2003, kur u bë mbledhja e nivelit të lartë të BE në Selanik. Që atëherë kam thënë se çfarë është kjo mënyrë e të vepruarit e BE, që do të përjashtojë Slloveninë nga Ballkani, Kroacia ende nuk ishte anëtare e BE-së, dhe të fuste Shqipërinë. Ballkani Perëndimor realisht është Ballkani Qëndror, plus Shqipërinë. Jashtë BE tani ka mbetur një konglomerat popujsh, shtetesh, emërtimesh, këtu, në qendër të Ballkanit, që e quajnë Ballkan Perëndimor dhe duan ta trajtojnë si njësi më vete. Kur u bë nisma e Berlinit, vitin që shkoi, unë kam thënë, që nuk duam stan gjerman në Ballkan, sepse Gjermania kërkon të ngrejë stanin e vet politiko-ekonomik, strategjik në Ballkan. Këtë e them jo sepse jam kundër Gjermanisë, por sepse mendoj që për shqiptarët parësore është prania e SHBA-ve në Ballkan.
– Përse Europa e mban larg saj Ballkanin Perëndimor?
– Janë më shumë spekulime gjeo-strategjike që janë bërë. Politika globaliste e Perëndimit ishte e interesuar për ta shtyrë sa më shumë kufirin drejt Lindjes. U pranuan Bullgaria e Rumania, që nuk e meritonin të ishin anëtare në BE; siç nuk meritonte as Greqia, atëherë kur u pranua; sikurse edhe Sllovenia e Kroacia nuk kanë arritur ndonjë standard europian. Madje nuk e ka arritur as Polonia e Hungaria. Shtrirja e BE drejt Lindjes ka qenë më shumë shtrirje politike për të futur edhe Europën Lindore në skemën e globalizmit Perëndimor. Ballkanin Perëndimor BE do ta trajtojë si njësi, pasi u lodh me zgjerimin. Po të donte BE që ta integronte Ballkanin Perëndimor, do ta pranonte, pa i vënë asnjë kusht.
– Mos vallë BE i duhet thjesht që të ketë influencën e saj në Ballkanin Perëndimor, në konkurrencë me Rusinë, se sa ta ketë anëtar?
– Mos u çuditni që një ditë të bukur BE ta shpallë Ballkanin Perëndimor anëtar të vet, se ju ka mbetur një njollë e vogël në hartë dhe nuk ka më kuptim kështu. BE dhe SHBA problemin e kanë me Serbinë, që duan me çdo kusht ta nxjerrin nga influenca ruse dhe po i krijojnë maksimumin e mundësive që Serbinë ta tërheqin në kampin e tyre. Teza e Ballkanit Perëndimor dhe e krijimit të kësaj Jugosllavie të tretë është për t’i dhënë Serbisë rolin që ka patur. Serbia quhej garancia e stabilitetit në Ballkan. Këtë ma kanë thënë amerikanët, kur kam qenë ambasador në OKB, SHBA e do Serbinë si faktor të ruajtjes së stabilitetit në Ballkan dhe kanë një rrymë të fuqishme në SHBA, e sidomos në Angli, Francë, tani edhe në Gjermani, që Serbinë ta kenë, herë si xhandar në Ballkan, siç e kanë patur në kohën e Milosheviçit, e herë si faktorin qendror. Emrin e Ballkanit Perëndimor diplomacia europiane e përdor se ka ngecur me çështjen shqiptare dhe ka 1 shekull e gjysëm që Europa e nuk di se çfarë të bëjë me çështjen shqiptare.
– Nuk di, apo nuk do?
– Edhe nuk di, edhe nuk do. Edhe tani që duhet ta zgjidhë, Europa nuk gjen dot zgjidhje. Ka ngecë, ka rënë në çarkun e vet diplomacia europiane për çështjen shqiptare. Europa e ndau kombin shqiptar. Para 3 muajsh kam patur biseda me disa ish diplomatë francez, këtu në Tiranë. I thashë njërit prej tyre: “Çfarë bën Perëndimi ndaj shqiptarëve, qw na trajton ende me shpërfillje, ndryshe nga të tjerët” dhe ai m’u përgjigj: “Problemi juaj, i shqiptarëve është se nuk keni një Vladimir Putin tuajin, sepse po ta kishit, do t’ju shihnin ndryshe.” I kujtojva se që të kishim një Putin, ne duhet të ishim Rusia. Se edhe Putin të ishte në Shqipëri, nuk do të bëhej dot Vladimir Putini i Rusisë, sepse Shqipëria nuk ka potencial për të mbështetur një politikë kundërshtimi, si ajo e Putinit.
– Shqipëria, nuk ka potencial, apo nuk ka strategji kombëtare?
– E para, nuk kemi potencial, edhe sikur të duam. Ne nuk mund të bëjmë një strategji putiniane, që të jemi kundërbalancuesi i një blloku shtetesh.
– E kisha fjalën, a kemi ne strategji të bashkimit mbarëkombëtar?
– Është një temë e diskutuar gjatë. Shumë nga intelektualët tanë, në vite kanë bërë lojën me terma “Shqiptarët nuk kanë program kombëtar”. Unë e kam kundërshtuar. Shqiptarët kanë program kombëtar, po nuk duan ta zbatojnë. Programi kombëtar i shqiptarëve është caktuar në Lidhjen e Prizrenit, e cila kërkoi bashkimin e 4 vilajeteve, si parashteti i vetëm kombëtar shqiptar. Kur ke një program, duhet të kesh edhe një strategji dhe një taktikë për ta realizuar atë. Difekti ynë është se strategjinë nuk e kemi përpunuar. Taktikat i kemi krejt të mbrapshta; njëri i bie gozhdës, e tjetri patkoit.
– Udhëheqësit shqiptarë në Tiranë, në Prishtinë e në Shkup kanë një unison. Do integrohemi siç jemi në BE dhe aty do bashkohemi si komb. Ju ç’mendim keni?
– Gjithë politikanët shqiptarë kështu bëjnë, shumica e “intelektualëve” tanë kështu thonë, sepse është formula më e lehtë, formula më e papërgjegjshme, për t’i shpëtuar përgjegjësive. Kur ishim në socializëm, na thoshin se në socializëm do zgjidhet problemi. Është një letër e Jusuf Gërvallës, dërguar Enver Hoxhës, ku i thoshte se nuk mund të presim fitoren e revolucionit botëror, për të bërë bashkimin kombëtar. Edhe tani, duhet të themi: Nuk mund të presim ne, parajsën europiane, për të bërë bashkimin kombëtar. Se në këtë rrugë nuk ka ecur asnjë deri tani. Kjo është formula për t’i bërë bisht bashkimit kombëtar. Shqiptarët nuk mund të integrohen copa-copa në Europë. Shqiptarët ose duhet të integrohen me dinjitet dhe të kërkojnë të na bashkojnë, ose të paktën të mos na pengojmë, të hyjmë edhe ne, si kombet e tjera, të barabartë. Në Maqedoni më i zellshmi për këtë është Ali Ahmeti, që mori armët, u bë komisar i luftës, e që tani thotë se duhet të luftojë për integrimin e shtetit maqedonas. Një paradoks i madh. Ahmeti futi popullin shqiptar atje në luftë, që të bëjë shtetin maqedonas europian. Këtë nuk e kishim dëgjuar. Rizvan Sulejmani thotë se ku dallon serbi, sllavi dhe shqiptari nga programi kombëtar? Ai thotë, që shqiptarët i dhanë përparësi integrimit mbi zgjidhjen e problemit të tyre, të çështjes kombëtare. Sllavët i dhanë përparësi zgjidhjes së problemeve të tyre kombëtare mbi integrimin. Dhe unë komentoj: Serbët dhe maqedonët, duke i dhënë përparësi zgjidhjes së problemeve të tyre kombëtare, diçka arritën. Shqiptarët, duke i dhënë përparësi integrimit mbi zgjidhjen e interesit kombëtar, nuk arritën asgjë.
– Zoti Baleta, ju e keni diskutuar edhe me diplomat të huaj bashkimin kombëtar të shqiptarëve. Ky bashkim kombëtar, a nuk do të sjellë ndryshime të kufijve në Ballkan? Sa i pranueshëm është kjo nga diplomacia e Europës dhe e SHBA?
– Për mendimin tim, nuk duhet të shtrohet më kjo pyetje, sepse është analizuar. Vetëm ne shqiptarëve na e thonë këtë, që do ndryshohen kufijtë. Cilët kufij do ndryshohen?
– Kini parasysh diplomacinë greke e serbe për “Shqipërinë e Madhe”. E cila do hapë Kutinë e Pandorës në Ballkan.
– E punë e madhe se thonë ata kështu.
– Në kontaktet që ju keni patur me diplomatët amerikanë e europianë, ata çfarë thonë për këtë?
– Ata kanë për të thënë, sikurse diplomacia greke dhe serbe, jo me atë ton, por ndryshe. Ata thonë: Vërtet do krijohen probleme. Le të krijohen probleme. Ç’faj kemi ne se do të krijohen probleme?!Ne nuk kërkojmë një gjë që nuk duhet të ndodhë. Dhe këtë problem unë e kam thënë në NATO.
– Kur dhe çfarë përgjigje keni marrë për këtë?
– Asnjë përgjigje. Viti 1991, në qershor, unë kam qenë në SHBA. Kemi shkuar në DASH 12 vetë nga Kosova dhe Shqipëria. Hera e parë që ndodhte kjo. Atje na thanë që nuk do lejojnë të merren nëpër këmbë të drejtat e njeriut në Kosovë. Unë i thashë shefit të departamentit, prapa të cilit rrinte Kris Hilli, që erdhi më vonë diplomat këtu: Zorëri po u shtrua problemi kështu nuk përparojmë. Në Kosovë, Milosheviçi nuk po shkel të drejtat e njeriut, por shkel të drejtat kombëtare. Milosheviçi i shkel të drejtat e njeriut në Beograd. Kosova është rasti i fundit i dekolinizimit në Europë”. Nëqoftëse nuk kuptohet kështu, nuk kemi për të ecur përpara në çështjen kombëtare. Sigurisht , atëhere kjo nuk i pëlqeu shefit zyrës në DASH. Një vit më vonë, në nëntor 1992, kam qenë kryetar delegacioni në NATO, dhe në Komandën Ushtarake të NATO bëra pyetjen: Pse nuk ndërhyni në Bosnjë? Më thanë që nuk ndërhyjnë në Bosnjë, se nuk kemi autorizim. Iu përgjigja,- Nga kush e doni? Nga OKB! E keni kërkuar? Jo, – tha gjenerali, këtë e kërkojnë politikanët. Por na thanë që nuk është e lehtë të hyjmë në Bosnjë se serbët janë të fortë, bëjnë edhe luftë partizane të fortë. U thashë që ju do ndërhyni një ditë, po do jetë vonë. Kur shkuam në Komitetin Politik të NATO, na bënë pyetjen: Sipas jush, cila është zgjidhja më e mirë për Kosovën? Ju thashë: Doni të flas si shqiptar, apo të flas si në OKB? Më thanë që duan sinqeritet. Dhe unë u thashë: Zgjidhja më e mirë për Kosovën, është të bashkohet me Shqipërinë. Dhe u dhashë 5 argumenta. U thashë, që 5 argumentat këtu nuk gjejnë mirëkuptim dhe ne duhet të bëjmë kompromis. Dhe kompromisi ynë është: Kosova shtet i pavarur dhe sovran përkohësisht, derisa të krijohen kushte për t’u bashkuar shqiptarët në një shtet. Kjo do të jetë garancia për sigurinë dhe paqen për Ballkanin, që e keni problem ju. Dhe tani për ngjarjet e Maqedonisë shqiptarët po kërkojnë ridefinimin e shtetit e të pozitës së shqiptarëve. Redifinimi i Maqedonisë nuk mund të bëhet jashtë kësaj logjike që përmenda për Kosovën në NATO, nuk bëhet me formula integriste. Redifinimi i Maqedonisë bëhet vetëm nëpërmjet rrugës që u ndoq në Kosovë. Maqedonia të bëhet federatë ose konfederatë, deri në momentet që të krijohen kushte për bashkimin e gjithë Shqipërisë. Shqiptarët e Maqedonisë nuk duhet t’ja lejojnë vetes që t’i përjashtojnë dhe as të vetëpërjashtohen nga detyra që çështjen e tyre kombëtare ta zgjidhin në kuadër të zgjidhjes globale të çështjes shqiptare. Teoria e Jugosllavisë së tretë, stani gjerman, janë për ta zgjatur krizën në Ballkan. Kështu, diplomacia europiane e ka lënë shtegun të hapur për luftëra të reja në Ballkan.
-Ideja që tha Rama në Samitin e Vjenës, që Ballkani, nëse nuk integrohet në BE, mund të rinisë një cikël gjakderdhje, është real?
– Real është. Nëqoftëse problemet ekzistuese nuk zgjidhen, rreziku i luftës në Ballkan ekziston. Nuk ka rënë Lufta e Ftohtë në Ballkan, nuk ka marrë fund trashëgimia osmane në Ballkan, sepse shembja e Perandorisë Osmane presupozonte krijimin e shteteve kombëtare. Shteti Kombëtar Shqiptar nuk është krijuar. Dhe përgjegjësia është e Europës.
– Pse BE nuk është e interesuar për integrimine Ballkanit Perëndimor? Problemi është me standardet e paarritura europiane demokratike?
– Të ta them sinqerisht, ku e kanë hallin europianët…
– Thuajeni!
– Bashkimi Europian është ende një klub i krishterë. D’Esteni, ish presidenti i Francës, kur do të hartohej Kushtetuta e BE, nguli këmbë që të futej kërkesa e Papës, që BE ndërtohet mbi bazën ë besimit të krishterë. Nuk u pranua kjo, por në mendjen e udhëheqësve europianë, kjo vepron ende. Prandaj, pengohet Turqia, pengohen dhe shqiptarët. Shqiptarët janë popullsia më e madhe myslimane autoktone në Ballkan. Ka udhëheqës në BE që nuk duan të kenë anëtarë në BE shtete me popullsi shumicë myslimane dhe duke bërë këtë njësi të Ballkanit Perëndimor, Jugosllavinë e tretë, justifikohen që sakrifikojnë edhe popullsi të krishterë, për të mos pranuar dy shtete me shumicë popullsie të besimit islam, Shqipërinë dhe Kosovën. Neve shqiptarët udhëheqësit e sotëm të BE na trajtojnë akoma me modelin e vjetër të trajtimit të Europës mbi bazën e besimeve fetare. Këtë e tregojnë me veprime konkrete, e jo me fjalë.
– Faleminderit!
Sigal