Abdi Baleta: Fajësoj shumë mbikëqyrjet ndërkombëtare për mjerimin e demokracisë në Shqipëri

521
Abdi Baleta, ish ambasadori shqiptar në OKB, në intervistën për “Telegraf” shpreh mendimin që tashmë, pas 25 vjetësh, OSBE duhet të largohet nga Shqipëria. Jo për shkaqet që reaguan disa nga politikanë tanë, të cilëve, kur iu preken interesat e tyre personale, kërkojnë që të djegin edhe jorganin për një plesht. Por zoti Baleta, si një njohës shumë i mirë i marrëdhënieve diplomatike, thotë se OSBE ka dështuar në Shqipëri, në këto 25 vjet, derisa “në 25 vjet nuk kemi krijuar një Kod Zgjedhor të rregullt, një Etikë Zgjedhore, por për çdo zgjedhje themi: “Të bëjmë kodin dhe etikën e zgjedhjeve” dhe gjendja vazhdon e keqësohet. Ndaj, duhet parë funksionimi dhe efikasiteti i mbikëqyrjes europiane dhe ndërkombëtare në Shqipëri ». Zoti Baleta thotë se jo rastësisht, mund të ketë rrjedhë raporti i « punës » i OSBE, mbase, sipas zotit Baleta, ata donin të publikohej në këtë mënyrë, ndoshta ngaqë duan edhe të bëjnë eksperimente me ne shqiptarët. Zoti Baleta thotë se për gjendjen e mjerueshme të demokracisë në Shqipëri fajëson mbikëqyrjen ndërkombëtare, mbase Diplomacia Europiane dëshiron që në Shqipëri të mos ketë stabilitet demokracia, as integritet, por të ekzistojë përherë një gjendje amullie. 
-Zoti Baleta, Raporti i OSBE (jo zyrtari) për politikanët tanë, që u publikua jo zyrtarisht, sipas jush, çfarë shkaktoi realisht?
– Shkaktoi konfuzion; ata nuk duhet të presin gjë tjetër, veç konfuzionit. Ne nuk e meritojmë që të na bëjnë eksperimente të tilla. Përfaqësuesit e OSBE-së në Tiranë dhe në Vjenë e dinë që shqiptarët janë shumë të ndjeshëm dhe shumë të gatshëm për të reaguar ndaj lloj –lloj gjërave në mënyrë spekulative. Prandaj them që raporti i OSBE ka qenë një kontribut shumë i keq për Shqipërinë; jo se ai nuk qëndron, pasi nuk po gjykoj faktet. Por mënyra se si u interpretua, qoftë këtu në Shqipëri, qoftë nga mekanizmat e OSBE-së, krijojnë konfunzion. Nga praktika diplomatike që di unë, ka dy lloj raportesh. Ka raporte për përdorim të brendshëm, raportet që i bëjnë nëpunësit e zyrës këtu, për hesapet e veta, për të bërë raportin përfundimtar. Ka raporte që mbeten konfidenciale edhe brenda shërbimit që i bën. OSBE këtu në Tiranë bën raporte që nuk guxon t’ia përcjellë as OSBE në Vjenë, sepse nuk e ka bërë formulimin përfundimtar. Këto raporte mbeten konfidencialë. Pastaj vendoset nga qendra nëse raporti do të marrë formë të zyrtarizuar, do të bëhet publike, ose do t’i jepet Shqipërisë zyrtare. Nga ambasadori i OSBE në Tiranë, Florian Raunig dhe nga Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Lamberto Zannier, u tha se nuk është raport zyrtar, por është një material pune i brendshëm. Por si i tillë, ai nuk duhet bërë publik. Ai material që bëhet publik, nuk është më një material pune i brendshëm i mekanizmit diplomatik, që e prodhon, por është një veprim zyrtar. OSBE nuk ka treguar profesionalizëm, aq më tepër, që e di se vepron mbi një terren shumë të minuar, shumë të acaruar, siç është terreni politik në Shqipëri. OSBE, në vend që të na gjendej përkrah, ka dhënë shkas për sherrnajë më të madhe.
– Po reagimi i diplomacisë dhe i politikanëve tanë, është i justifikueshëm?
– Diplomacia jonë duhet të reagojë, por ka edhe ajo problemet e veta. Unë e dëgjova shpjegimin e Sekretarit të Përgjithshëm të MPJ dhe mu duk shpjegim profesional. “Ne nuk kemi kërkuar largimin e OSBE, siç u tha këtu, por kemi kërkuar të vëmë një rregull më shumë në veprimtarinë diplomatike praktike që bëhet”. Deri këtu, nëse vërtet është kështu, unë nuk shoh ndonjë difekt të diplomatit të MPJ. Nëse lind problemi nga një fjale, “rrudhje”, e përdorur në shkresë, zyrtari i lartë i MPJ pranoi që i ka shkarë. Nuk duhet kapur pas një fjale. Për mua, diplomacia jonë ka bërë një gabim shumë të madh që i ka lënë të zhvillohen marrëdhëniet ndërkombëtare në mënyrë të shpartalluar; qoftë me shtetet e huaja, qoftë edhe me mekanizmat ndërkombëtare. Çfarë na duhet MPJ, nëse të gjitha ministritë e tjera kthehen në ministri të jashtme, që njëra i bie gozhdës, e tjetra patkoit. Ndaj, shkresa që MPJ u ka dërguar ministrive të tjera për planet e punës që do kenë me OSBE, me Këshillin e Europës, apo me çdo institucion ndërkombëtar e shtete të tjera, është plotësisht në të drejtën e saj ligjore. Duhet që veprimtaria diplomatike e shtetit shqiptar të ketë një drejtues, “pronar” dhe ky “pronar” është MPJ, e cila duhet të jetë banka e të gjitha të dhënave të veprimtarisë diplomatike të shtetit shqiptar. Kështu bëjnë të gjitha shtetet e tjera. Por ne, gjatë gjithë këtyre viteve, kemi pasur diplomaci të shpartalluar.
– Sipas jush, cili është qëllimi i OSBE, që publikoi këtë raport “pune”, që iu referohet politikanëve tanë?
– Tani, meqë u bë publik, ky raport nuk është më pune, por është raport zyrtar.
-Mos vallë, OSBE kërkonte që këtë raport “pune”, donte ta bënte zyrtare, duke e lënë të rrjedhë në publik?
– Nëse e kanë bërë këtë, kanë dashur ta kapin veshin e majtë me dorën e djathtë nga mbrapa kokës. Kjo nuk është metodë e diplomacisë.
– Mos vallë ky ishte edhe qëllimi i OSBE, që ata donin ta publikonin në këtë mënyrë?
– Nëse donin ta publikonin në këtë formë, atëherë OSBE nuk duhet të zemërohet që krijoi pakënaqësi edhe te qeveria jonë, edhe te zyrtarët tanë, edhe te opinioni ynë.
– Mos vallë OSBE i interesonte më shumë që të çonte mesazhin e saj te publiku shqiptar, duke e lejuar rrjedhjen e raportit të punës, ngaqë nuk munden ta bënin raport zyrtar?
– Për mendimin tim, detyra e tyre nuk është sensibilizimi i opinionit publik. OSBE nuk është OJQ. OSBE është mekanizëm shumë i rëndësishëm në Europë, të paktën kështu pretendojnë dhe kanë përgjegjësi në çdo fjalë dhe në çdo hap që bëjnë. Përvoja e veprimtarisë së OSBE këtu në Shqipëri është shumë negative. Më shumë na kanë dëmtuar, sesa na kanë ndihmuar.
– Përse?
– Sepse kanë dashur të bëhen lojtarë, pa u takuar një gjë e tillë.
– Në ç’kuptim?
– Sa herë ka pasur tronditje këtu në Shqipëri OSBE ka marrë rol aktori vendimtar, sidomos Dan Evertsi në vitet 1997 dhe 1998 dhe ata morën përsipër të vendosin se kush do jetë në qeveri dhe kush jo. Ata vendosën se cila palë duhet të bëjë lëshime dhe cila jo. Për OSBE unë kam shumë ndjesi të përziera. Unë kam frikë nga teknokracitë ndërkombëtare, të cilat, ndonjëherë, nuk nisen nga nevojat tona, nga psikologjia jonë, nuk nisen nga synimi për të dhënë vërtet një kontribut modest në heshtje, por kërkojnë planin e parë të skenës. Një përfaqësi diplomatike ka detyrë që të bashkëpunojë e të koordinojë me qeverinë.
– Rastësisht, rrodhi ky informacion i OSBE në media?
– Nuk ka rastësi. Së pari, ndoshta ka ndodhur ajo që OSBE kështu ka dashur ta bëjnë, dhe gjetën këtë marifet për të sensibilizuar opinionin. Ose, pastaj, ka një veprimtari agjenturore brenda OSBE, të cilët duan të nxitin sherr në Shqipëri. Kështu nuk duhej të ndodhte. Zyrtarët shqiptarë nuk duhet të njiheshin nëpërmjet shtypit me këtë raport të OSBE.
– Ky informacion i OSBE, a ndihmoi opinionin shqiptar për transparencën ndaj politikanëve tanë?
– Ky informacion, i cili është i bazuar në të dhënat e shtypit (marrim si të vërtetë çfarë pohuan vetë zyrtarët e OSBE), nuk ka sjellë ndonjë kontribut të ndjeshëm, sepse janë gjëra që janë thënë. Ka vetëm këtë të re, që ato marrin vulën e një mekanizmi ndërkombëtar, e ndoshta për disa mund të bëhet më serioz.
– Ky raport i OSBE, mos vallë përgatiti terrenin që Shqipëria të pranojë prokurorin amerikan të hetojë çështjet e korrupsionit në Shqipëri?
– Këto mund të jenë të gjitha brenda, ne nuk i dimë. Diplomacia ndërkombëtare këto gjëra ka kohë që i thotë, por emrat e të inkriminuarve po i thonë me pikatore. Populli ynë nuk është në gjendje akoma të orientohet në këto gjëra.
– Mos vallë kjo mënyrë rrjedhjeje informacioni, është në kuadër të atyre apeleve që kanë bërë ndërkombëtarët, për të dhënë në dritë dosjet e politikanëve tanë, që kanë lidhje me krimin?
– Kjo mund të jetë një mënyrë, por nuk kanë dhënë gjë të re. Me thashethemet duhet të kemi kujdes.
– Po politikanët tanë, që duke reaguar, kërkuan të largojnë OSBE nga Shqipëria, mos kaluan në skajin ekstrem?
– Nuk e di kush e ka thënë këtë nga politikanët tanë. Unë i besoj qëndrimit zyrtar të MPJ, që tha: “Nuk kemi kërkuar largimin e OSBE nga Shqipëria”. Nëse më pyesni, nëse duhet të rrijë ose jo OSBE, unë them që ka ardhur koha që të mendohet edhe për largimin e OSBE nga Shqipëria.
– Duhet të largohet OSBE nga Shqipëria, ngaqë kemi arritur atë stad demokratik, sa prania e saj është e tepërt?
– Jo se kemi arritur stadin demokratik, sepse atë stad demokratik ne mund të mos e arrijmë asnjëherë. Por nëse demokracia jonë, gjatë 25 vjetëve, me gjithë këto kujdestaritë e shumta ndërkombëtare kanë arritur në këtë pikë, duhet kërkuar njëherë difekti në mbikëqyrjen ndërkombëtare. Për këtë gjendje të mjerueshme të demokracisë në Shqipëri unë fajësoj shumë mbikëqyrjet ndërkombëtare.
– Ku e shikoni ju, këtë fajësi të ndërkombëtarëve?
– E shoh për shembull te sistemi zgjedhor; nuk kemi stabilizuar njëherë një sistem zgjedhor.
– Po a mund të imponojnë ndërkombëtarët, kë sistem zgjedhor të zbatojmë ne?
– Ata, po të duan, e imponojnë, siç kanë imponuar edhe mjaft zhvillime të tjera. Madje ka edhe kuptim të imponojnë, por jo të na çojnë sa andej-këtej. Njëri të na thotë kështu, e tjetri të na thotë ashtu. Dhe ne jemi katandisur në atë gjendje sa në 25 vjet nuk kemi krijuar një Kod Zgjedhor të rregullt, një Etikë Zgjedhore, por për çdo zgjedhje themi: “Të bëjmë kodin dhe etikën e zgjedhjeve” dhe gjendja vazhdon e keqësohet. Ndaj, duhet parë funksionimi dhe efikasiteti i mbikëqyrjes europiane dhe ndërkombëtare në Shqipëri. Këtë duhet ta bëjnë jo vetëm shqiptarët, por duhet ta bëjnë edhe Këshilli i Europës, Parlamenti Europian dhe OSBE, që të shqetësohen dhe të pyesin: Si shpjegohet që me gjithë këtë ndihmë që kemi dhënë Shqipërisë, përse nuk po jep rezultat? A janë pasojë edhe difektet e ekipeve që dërgojmë në Shqipëri? Ndaj them, që është dështim i diplomacisë europiane në Shqipëri; nuk është vetëm dështim i klasës politike shqiptare në Shqipëri.
– Mos vallë vetë diplomacisë europiane, i intereson, të na mbajë kështu dhe pak i intereson integrimi dhe demokracia në Shqipëri?
– Diplomacia europiane nuk do stabilitet në Shqipëri. Pikë! Do që të mbajë këtë gjendje amullie. Dhe kjo ka të bëjë me integrimin e Shqipërisë në BE.
– Cilat lobe politike janë më të interesuara që Shqipërinë ta mbajnë në këtë amulli?
– Lobet ekstremiste fanatike të Europës, që për shumë kohë e kanë parë Shqipërinë si mish të huaj në kontinentin tone dhe vazhdojnë ta shikojnë kështu, për shkak se e ka shumicën e popullsisë myslimane. Unë kam qenë para 7 vjetësh në një seminar në Turqi, sapo kishte dalë nisma e Sarkozisë (president asokohe i Francës), që të bëhej një marrëveshje midis BE dhe vendeve mesdhetare. Në atë seminar kam thënë: “E keni lexuar ju, miq turq, këtë? Ky është mesazh për ju dhe për ne. Krijohet koncepti partner associe; pra jo partner tamam. Ju dhe ne, që jemi mysliman, nuk bëheni anëtarë të BE të krishterë, por mbetemi anëtarë të shoqërizuar.” Këtë dyshim ma kanë konfirmuar edhe njerëz të diplomacisë europiane, që janë në kontakt me diplomacinë e Brukselit, të cilët nuk punojnë në Shqipëri. Edhe nisma për Ballkanin Perëndimor mendoj se synon pikërisht atë që unë e kam quajtur “stan gjerman”, i cili do që vendet e Ballkanit Perëndimor të mos integrohen secili në BE, por si një njësi sui generis, ku duke i bashkuar të gjitha këto vende, krijohet një popullsi lehtësisht më e madhe e krishterë, mbi myslimanët shqiptarë dhe boshnjakë, dhe Europa e krishterë të thotë se nuk ka shtet me shumicë myslimane në gjirin e saj. Ndryshe nuk ka asnjë kuptim që ende një pjesë e Ballkanit të lihet jashtë.
– Faleminderit!
Sigal