Abdi Baleta: Europa, pa zgjidhur problemin shqiptar nuk mund të bëjë asgjë në Ballkan

757
Abdi Baleta, ish ambassador në OKB dhe politikolog e balkanolog, në pjesën e dytë të intervistës për gazetën “Telegraf”, shprehet se diplomacia jonë nuk ka ndrysuar asgjë nga ajo e Ismail Qemalit, Gurakuqit dhe Esat Toptanit, është edhe sot esadiste. Zoti Baleta shprehet kundër pajtimit serbo-shqiptar, sipas modelit franko-gjerman, por do duhet kohë që të flitet për modus vivendi. Ndërsa për Gjykatën Speciale, zoti Baleta thotë se ajo do të godasë prestigjin e UÇK, cënon sovranitetin e Kosovës. Ndërsa për bashkimin kombëtar zoti Baleta thotë se formula “1 komb, 1 qëndrim” është bosh, por duhet “Gjithçka në funksion të bashkimit kombëtar. Jashtë kësaj, janë taktika”.
-Zoti Baleta, në këto 2 vjetët e maxhorancës së Majtë, diplomacia ka ndryshuar, ka rol më progresiv?

– Sot diplomacia jonë ka në krye të saj dyshen më të mirë të këtyre 25 vjetëve: Kryeministrin Rama dhe ministrin e Jashtëm Bushati. Nuk kam asnjë simpati të veçantë për Ramën, madje kam qenë kundërshtar. Por në këta 25 vjet kjo dyshe ka shtruar më prerë dhe më qartë kërkesat e shqiptarëve kundrejt fqinjëve, veçanërisht Greqisë. Por në tërësi, diplomacia shqiptare në thelb nuk ka ndryshuar asgjë nga binarët që vunë Ismail Qemali dhe Esat Toptani. Madje mund të them se diplomacia e sotme shqiptare është më esadiste, sesa diplomacia e Esatit. Ismail Qemali thoshte marrëdhënie me fqinjët, siç kanë thënë edhe rilindasit, por me preferencë Greqinë. Esati thoshte, marrëdhënie të mira me fqinjët, me preferencë Serbinë. Gurakuqi thoshte marrëdhënie të mira me fqinjët, me preferencë Italinë. Në këtë linjë kanë vijuar të gjitha qeveritë shqiptare. Marrëdhënie të mira me fqinjët, kërkoi Ahmet Zogu, kërkoi Enver Hoxha, kërkoi Ramiz Alia. Marrëdhënie të mira me Serbinë kanë kërkuar Berisha, Nano e të gjithë drejtuesit e Shqipërisë gjatë këtyre 25 viteve. Këto po e kërkon fort edhe Rama. Është esadizmi pra, diplomacia që e bënte me këmbëngulje Esat Pashë Toptani. Po ne çfarë kemi bërë? E kemi sulmuar, demonizuar atë si person, demonizojmë esadizmin si një trend politik e diplomatik dhe nuk shikojmë se, si gjithë të tjerët që shkojnë e vijnë, bëjnë të njëjtën politikë e diplomaci ndaj Serbisë e Ballkanit. Besnik Mustafaj kur u bë ministër i Jashtëm në qeverinë e Berishës të vitit 2005, tha se në politikën e jashtme nuk do të kishte ndryshime nga vija që kishin ndjekur qeveritë e Nanos dhe e kryeministrave të tjerë socialistë para tij. Në fakt thoshte një të vërtetë; nuk pati e nuk ka ndryshime në diplomacinë shqiptare, pavarësisht se e kujt ka qenë qeverisja. Lidhur me politikën ndaj Greqisë ka mbizotëruar ideja se “Greku na mban me bukë”. Edhe lidhur me politikën ndaj Serbisë pushtetarët e të dy krahëve kanë ndjekur të njëjtën vijë mendimi e arsyetimi politik. “Serbinë duhet ta rrethojmë me demokraci,” – thoshte Fatos Nano. “Serbinë ta nxisim të ndryshohet me demokraci nga Brenda,” – thoshte Sali Berisha. Madje, Berisha u bëri thirrje shqiptarëve të Kosovës të merrnin pjesë në zgjedhjet serbe për të mbështetur Drashkoviçin. Por fatmirësisht e kundërshtoi Rugova. Në intervistën në gazetën tuaj, shefi i sotëm i sektorit të jashtëm të PD, thoshte se po të kritikojmë BE, siç bëri Rama, do t’i hapim rrugën ndikimit rus në Shqipëri. Ç’janë këto përralla për shantazh?! I trembën kosovarët e shkretë duke u thënë “Ose pranojeni Gjykatën Speciale, ose po nuk e bëtë vetë ju do ta bëjë Këshilli i Sigurimit me kërkesën e Rusisë”. Nëse puna duhhej të shkonte deri këtu, propozimin në Këshillin e Sigurimit mund ta bënte vetë diplomacia perëndimore, pse t’ia linte këtë Rusisë?! Për të justifikuar servilizmin ndaj BE nuk ka përse të spekulohet me kërcënimin rus.

– Meqë e përmendët, ku është e keqja e një Gjykate Speciale në Kosovë?

– Gjykata Speciale në Kosovë është një gjë e pa precedent në botë. Është një nëpërkëmbje totale e sovranitetit të një shteti.

-Pse SHBA e pranoi, atëhere?

– SHBA e pranoi se ka prakticizmin e vet. Nëse e pranoi SHBA, unë nuk mund të them a prirori që është e mirë.

– Sa e ka mbështetur SHBA Kosovën, dihet, ndaj tani si mund të pranojë një të keqe për të?

– SHBA e mbështet, por pastaj thotë bëj si të them unë. Ndërsa unë, teorikisht, këtë unë s’mund ta pranoj, sepse Gjykatë Speciale për ish Jugosllavinë kishte; në Gjykatën e Hagës çuan si shqiptarët, edhe serbët, kroatët, e boshnjakët. Gjykimi mbaroi atje. Drejtësia ndërkombëtare ka 15 vjet që drejton Kosovën.

– Sipas jush, cili është qëllimi që duan të bëjnë të huajt me Gjykatën Speciale në Kosovë?

– Qëllimi nëpërmjet Gjykatës Speciale është të godasin prestigjin e UÇK, të barazojnë xhelatin me viktimën dhe t’u hapin rrugën disa elementëve në politikën kosovare që janë zgërlaqur e pranojnë të bëjnë çfarëdo u thotë kushdo, të godasin çfarëdo rezistence; është revizionim i planit të Ahtisaarit. Këtë revizionim të planit të Ahtisaarit kanë të drejtë ta kërkojnë vetëm shqiptarët, sepse atyre u ka bërë dëm, ndërsa serbëve vetëm të mira u bëri. Ndërsa këtu kërkohet e kundërta, revizionim, revizionim pas revizionimit të planit të Ahtisaarit, për ta çuar në hiç pavarësinë e Kosovës. Pavarësinë e Kosovës po e shpuplojnë dhe druaj shumë se ka për të ardhur dita që studiuesit tanë ose të huaj të botojnë libra me titull “Rënimi i pavarësisë së Kosovës”, siç e pat botuar para disa vitesh Ejup Statovci librin “Rrënimi i autonomisë së Kosovës”.

– Zoti Baleta, disa analistë kosovarë kanë protestuar ndaj kryeministrit Rama, duke i thënë: Cili jeni ju që doni të na pajtoni me Serbinë”. Cili është mendimi juaj?

– Ata analistë kosovarë flasin kot, se pajtimin serbo-kosovar e kërkojnë udhëheqësit dhe akademikët e Kosovës. Këto janë lojëra politike që bëhen. Pajtimi serbo –shqiptar nuk ka kuptim të kërkohet nga asnjëri; as nga Rama, as nga kosovarët. Ka 25 vjet që dëgjojmë këtë gjë: Që kosovarët e serbët të rregullojnë marrëdhëniet e tyre, si gjermanët e francezët. Ky krahasim është absurd. Kam shkruar se është herët të besohet e të flitet për pajtim shqiptaro-serb. Në marrëdhëniet shqiptaro-serbe duhet të flitet për mjaft kohë vetëm për modus vivendi, jo për pajtim sipas modelit franko-gjerman.

– Pse? As simbolik nuk vlen?

– Sepse Xhozef Xhofi, një analist gjermano-amerikan, qysh në 1994 ka shkruar: “Miqësinë gjermano-franceze e kanë bërë amerikanët.” Shtrohet problemi: Do të jenë gjermanët ata që do bëjnë miqësinë serbo-kosovare? Unë e shoh gati të pamundur.
– Mund të jenë sërish amerikanët…

– As ata nuk kanë për ta bërë. Pajtimi nuk është çështje imponimi nga jashtë. Pajtimi franko-gjerman pati një proces mjaft të gjatë dhe ata u pajtuan vetëm atëherë kur do të vendosnin edhe njëfarë hegjemonizmi franko-gjerman mbi Europën.

– Klima e re Rama- Vuçiç a ka sjellë një frymë mirëbesimi?

– Aspak. Janë krejt iluzione. Këto janë lojëra se bëjnë batuta Rama me Vuçic. Vuçiçi kanë thënë që bëj batuta me Ramën, Nikoliçi luan rol tjetër e Daçiçi luan rol tjetër. Pajtimet kombëtare nuk janë lojëra udhëheqësish. Ka një logjikë historike e nuk shkohet kundër kësaj. Përderisa ka një strategji për të mos e lejuar kombin shqiptar të jetë i barabartë me të tjerët, nuk ka pajtim. Kjo strategji është me marrëveshjen serbo-greke, qysh më 1864 për ndarjen e tokave shqiptare; që të mos lejohej më vonë njohja e kombit shqiptar në kohën e Lidhjes së Prizrenit, për të mos lejuar krijimin e një shteti normal shqiptar në kohën e Luftërave Ballkanike, e të mos lejohej njohje e shtetit shqiptar më vonë. Dhe përdorin teorinë e “Shqipërisë së Madhe”. Ç’është Shqipëria e Madhe? Bashkimi i trojeve shqiptare. E, pastaj?!

– Ka mungesë liderësh në Ballkan, që të marrin përsipër të ndërtohen marrëdhëniet e mirëbesimit midis popujve e shteteve ballkanike, apo mbizotërojnë idetë nacionale?

– Idetë nacionale mbizotërojnë në të gjithë botën e jo më në Ballkan. Mungesa e liderve nuk është fenomen vetëm shqiptar apo ballkanik, është fenomen botëror. Në një takim Putin – Shmid, ish kancelari gjerman i thotë Putinit: “Nuk ka më lider si De Goli, Adeanuri. Sot kemi dekadencë të lideshipit,”. Te ne nuk është kristalizuar ende ç’do të thotë të jesh lider shqiptar; ç’do të thotë të shtrosh problemin tënd. Po nuk e shtrojnë se nuk e kanë për zemër. Strategjia e globalizmit botëror është një qeveri botërore, me një klasë të veçantë botërore dhe këta do të komandojnë gjithë botën, nëpërmjet nëpunësve të tyre, që quhen qeveri shtetesh. Europa, pa zgjidhur problemin shqiptar nuk mund të bëjë asgjë në Ballkan dhe të heqë paragjykimet fetare ndaj shqiptarëve. Vetëm nëse zgjidhet problemi shqiptar mund të ketë paqe e marrëdhënie të mira në Ballkan. Këto ditë ridoli në shtyp një term i vjetër. “Një komb një qëndrim”. Këtë e ka thënë Berisha në 1998. Unë atëherë botova një shkrim me titull “Një komb – një qëndrim,po çfarë qëndrimi?” Formula “Një komb, një qëndrim” në vetvete është boshe, sepse kur thua një komb – një qëndrim, së pari duhet të thuash: Çfarë qëndrimi? Berisha deri më sot nuk e ka thënë cili duhet të jetë ky qëndrim unik. Përgjigjja është: Sot shqiptarët nuk kanë një qëndrim të përbashkët strategjik për të zgjidhur problemin e tyre kombëtar. Qëndrimi duhet të jetë ky: Gjithçka në funksion të bashkimit kombëtar. Jashtë kësaj, janë taktika.
Sigal