A “sinjalizoi”Presidenti Meta nga Berlini shtyrjen e datës së zgjedhjeve?

912
Sigal

Politika shqiptare këtë ditë duket mjaft e ngurtë. Mazhoranca nuk po lëshon pe nga bindja për të realizuar zgjedhjet më 30 qershor, ndërsa opozita nuk po heq dorë nga kërkesa për largimin e Edi Ramës dhe ngritjen e një qeverie tranzitore që do ta cojë vendin në zgjedhje të parakohshme.

Roli i Presidentit Ilir Meta në këtë mes, si palë mbi palët është kritikuar nga shumica në më shumë se një rast, ndërsa nga opozita, aleatët i Bashës i kanë bërë thirrje që të ndërhyjë duke shtyrë datën e zgjedhjeve.

Që data e zgjedhjeve mund të shtyhet, Ilir Meta nuk e përjashtoi as nga Gjermania, por përmes një mesazhi të Kancelares Angela Merkel, një mesazh që mund të interpretohet si një mesazh i koduar, që Presidenti e shpërndau përmes rrjeteve sociale.

“Siç u kujtoi Kancelarja Angela Merkel njohësve të mirë të historisë: “Çdo gjë, dhe nëse duket e gdhendur në gur dhe e pandryshueshme, në të vërtetë mund të ndryshojë”, shkruan ai.

Presidenti është shprehur i gatshëm që të ndërhyjë duke shtyrë zgjedhjet, por për këtë kërkon që më parë të arrihet një marrëveshje politike mes dy palëve. A mund të arrihet deri atje? Meta paralajmëroi disa ditë më parë se e kishte të pamundur që të bëntë bashkë në një tryezë Ramën e Bashën.

“Shpreh gadishmërinë time institucionale, që në përputhje me kompetencën që më jep shkronja “gj” e nenit 92 të Kushtetutës, të rishikoj Dekretin për caktimin e datës së zgjedhjeve vendore dhe të dekretoj një datë tjetër për zhvillimin e tyre, në përputhje me vullnetin e shprehur të palëve politike”, deklaroi Presidenti pak ditë më parë.

Sipas kreut të shtetit, fryma dhe përmbajtja e Kushtetutës e mundësojnë rishikimin e datës së zgjedhjeve, ndryshe nga sa mendon Kryeministri Edi Rama, që 30 qershori është afati i fundit kushtetues dhe çdo shtyrje e zgjedhjeve do ta shkelte atë.

Por, Presidenti Meta, veç nenit që i ngarkon tagrin e caktimit të datës së zgjedhjeve, i referohet edhe një tjetër neni të Kushtetutës. Bëhet fjalë për nenin 3 të saj.

“Pavarësia e shtetit dhe tërësia e territorit të tij, dinjiteti i njeriut, të drejtat dhe liritë e tij, drejtësia shoqërore, rendi kushtetues, pluralizmi, identiteti kombëtar dhe trashëgimia kombëtare, bashkëjetesa fetare, si dhe bashkëjetesa dhe mirëkuptimi i shqiptarëve me pakicat janë baza e këtij shteti, i cili ka për detyrë t’i respektojë dhe t’i mbrojë”, saktësohet në këtë nen.

Si institucion në ruajtje të Kushtetutës, Presidenti Meta mendon se mbajtja e zgjedhjeve më 30 qershor pa pjesëmarrjen e opozitës shkel këtë nen duke rrezikuar pluralizmin.