A kemi një polici, e cila të përballet me terrorizmin?

527
Ngjarjet e muajve të fundit në disa vende të Europës, si dhe ngjarja më tronditëse që ndodhi në kryeqendrën e saj Parisin, ka sjellë shpërgjumjen e shërbimeve inteligjente, njëherësh angazhimin maksimal të strukturave policore në Francë dhe dhjetëra vende të tjera edhe në Rajonin e Ballkanit. Edhe tek ne në Tiranë, Ministria e Brendshme nxitoi të nxirrte në rrugët e kryeqytetit dhe disa prej qyteteve kryesore të vendit, patrulla policore të pajisura edhe me kallashnikov, gjë e cila ngjante më tepër me një paradë “force” e atashuar në selitë e pushtetit dhe institucionet e tjera qendrore. Askund tjetër policia nuk mund të mbronte qytetarët, por veç institucionet dhe kollaret e piramidës së pushtetit. 

Blindohen institucionet, lihen jashtë kontrollit 86 xhamitë e paligjshme
Është dashur tragjedia e Parisit, që qeveria të nxitojë dhe t’i veshë “çunat” e Tahirit me antiplumb dhe i vendosi tek Kryeministria, Ministritë, Kuvendi, Presidenca, Gjykata e Lartë, godinat e tjera shtetërore dhe nuk harroi të vendoste policë edhe tek vilat dhe pallatet e ministrave. Kjo për faktin se, “është hata e madhe t’i gjejë gjë ministrat”, ndërkohë që, 86 xhamitë në gjithë vendin janë jashtë kontrollit të KMSH ja delegoi si detyrim ligjor t’i vigjilonte SHISH-it. Një angazhim më tepër se gjysmak i një makinerie shtetërore policore për të mbrojtur “kokat e shtetit”, duke lënë fare pas dore sheshet, tregjet, qendrat tregtare, ndërmarrjet dhe rrugët nacionale, atje ku grupimet terroriste nuk do të ngurronin të goditnin dhe të shkaktonin një kasaphanë të vërtetë (në rast se e planifikonin) edhe në qytetet tona. Por, a është e gatshme policia shqiptare të përballet me elementë dhe grupime të ngjashme me ato të terrorizmit që goditën Parisin? 

Ish-koloneli i Policisë: Të pastërvitur profesionalisht për t’u përballur me terroristët
Mendoj se jo, sipas një rrëfimi të një ish-kolonel të uniformave blu, dhe kjo për shumë arsye. E para, siç rrëfen ish-koloneli i uniformave blu, Policia Shqiptare nuk ka një strukturë të përgatitur profesionalisht për të zbuluar dhe parandaluar elementë terroristë, por ajo punon vetëm me informata të marra nga homologët e tyre europianë e rajonalë. E dyta, jo vetëm në rrethe, por edhe në Tiranë, ne akoma nuk kemi qoftë edhe një specialist të fushës së terrorit të përfaqësuar sot dhunshëm nga ISIS, kur mjaft shtete të tjera europiane dhe rajonale, edhe fqinjë me ne kanë logjistikën e duhur për të zbuluar qysh në kufijtë e tyre shtetërorë elementët e rekrutuar nga shteti islamik. E treta, efektivët e Policisë së Shtetit në Tiranë dhe rrethe nuk kanë përgatitjet e duhura psikologjike, logjistike, fizike dhe arsimore të përballen me efektet dhe elementët terroristë të rekrutuar nga shteti islamik. 

Sot ne kemi një polici të mbushur me efektivë, që janë nën nivelin e duhur arsimor, fizik, psikologjik, që janë punësuar atje me ndihmën e deputetit, politikanit, farefisit, apo duke dhënë para. Asnjë prej efektivave policorë nuk do të ishte në gjendje të përballej me zhdërvjelltësinë e një elementi terrorist, të rekrutuar nga shteti islamik, që është përgatitur qysh nga mësimi i gjuhës së huaj, tek përdorimi i logjistikës elektronike që do t’i shërbente atij për të kryer aksionin e dhunshëm në vendet publike. Tek shikoja në televizionet belge aksionet policore të parandalimit, zbulimit dhe goditjes së elementëve terroristë, mendoja se policia shqiptare kurrë nuk do të ishte në gjendje t’i bënte ballë një situate të tillë, nga ku do të gjendej e hutuar, kaotike, duke stimuluar dështimin e aksionit dhe jo asgjësimin e elementëve terroristë. Akoma ne nuk kemi arritur të kemi një trupë policore, e cila të jetë e aftë profesionalisht dhe psikologjikisht t’i bëjë ballë situatave, si ajo e tmerrshmja që ndodhi në Paris. Mjafton të shikosh, takosh dhe bisedosh me inspektorët e lagjeve, mjafton t’i shikosh ata si vishen, si e mbajnë uniformën, si komunikojnë, si përgjigjen dhe si e zbatojnë ligjin, si i përdorin makinat e shtetit dhe me cilët ulen në kafene, dhe të bindesh se me këta njerëz, që fatkeqësisht mbajnë uniformën e shtetit, ne jemi të pambrojtur fare. 

Dhjetëra shkolla fetare, në apartamentet me qira
Në mjaft qytete ka me dhjetëra e dhjetëra apartamente që janë marrë me qira nga elementë radikalë islamikë, dhe që janë kthyer në “shkolla”, ku jepen mësime mbi gjoja “islamin”, por që deri sot asnjë inspektor në lagje nuk ka dijeni çfarë ndodh atje. Tirana, Elbasani, Kavaja, Durrësi, Korça, Librazhdi, janë disa prej qyteteve, ku “shkolla” të tilla do të gjesh në çdo lagje, madje në mes të ditës ato mbushen me fëmijë të moshave 7 deri 14 vjeç, duke i mbajtur me orë të tëra dhe duke u mësuar atyre me libra dhe disqe të incizuara në arabisht lloj-lloj profecish të sajuara, aq sa prindërit nuk gjejnë derman, ku të ankohen. Në vend të merren me probleme të tilla jetësore për fatet e komunitetit, inspektorët e lagjeve të drejtorive policore në rrethe, shpesh gjatë orarit të shërbimit merren me baste –live, apo kërkojnë ndonjë dopio raki nga miqtë e tyre dyqanxhinj. 

 Dhe si mund të presë qytetari mbrojtje nga këta rrogëtarë hallexhinj, që mezi presin t’u mbyllet 8 orarëshi, të shkojnë në shtëpi, të mbushin sediljet e makinave me ushqimet e familjes dhe të mashtrojnë shefat e tyre me raportimin se “shef sot asgjë nuk ka lëvizur, gjithçka qetë”. Dhe si mund të presë qytetari mbrojtje nga këta rrogëtarë të punësuar, kur edhe kroskotët e makinave të policisë shpesh i mbushin me kanoçe birrash të dhëna nga miqtë e tyre dyqanxhinj. Jo, me këta policë, me këta rrogëtarë që nuk e dinë se ku e kanë harruar kapelën, treguesin kryesor të uniformës tyre, qytetari kurrë nuk ka siguri, as nga terroristët as nga krimi rrugës. Ndoshta Zoti ka menduar për ne dhe ka menduar vërtetë, pasi në rast se siguria e qytetarëve shqiptarë nga terrorizmi do të varej nga mbrojtja e kësaj policie, këtu do të kishin ndodhur çdo muaj tragjedi njerëzore. Një polici që arrin të dalë nga binarët, si shkak i mungesave, ajo është e destinuar të dështojë. Misionin e Policisë e përmbush përkushtimi, aftësimi dhe vendosmëria për të zbatuar ligjin, dhe ligjin e zbatojnë fanatikët dhe jo shkelësit e tij, profesionistët dhe jo mediokrit. 
Sigal