A janë vërtet zgjedhjet, zgjidhja më e mirë për socialistët ?

751
Në qarkun verilindor të Kukësit, e majta me PS-në në krye është drejt shkatërrimit të plotë. Disa zgjedhje radhazi si për pushtetin vendor, ashtu edhe për zgjedhjet parlamentare I ka humbur. Bile as vetë nuk e dinë nëse ndonjëherë mund të rikthehen në strukturat e pushtetit. Vetë socialistët kuksianë ndjehen plotësisht të braktisur, ndaj vetë thonë se, “kjo është arsyeja që ne në çdo zgjedhje nga humbja vijmë, drejt humbjes shkojmë”. Vetë ata pyesin: A janë këto zgjedhje që u caktuan me shpejtësi, zgjidhja më e mirë ? Në fund të fundit, këto zgjedhje, a do të mund të zgjidhin lumin e problemeve që sollën deri hyrjen në grevë urie të një grupi militantësh të saj ? Kësisoj këto ditë u shënua një përplasje mes grupeve të njërit e tjetrit përfaqësues të komandës së lartë të PS-së. As përplasja, as futja në greve urie e një grupi militantësh nuk I dha ndonjë zgjidhje problemit. Vetë socialistët thonë se, largimi i Mimi Kodhelit si e deleguar për qarkun e Kukësit dhe sjellja në vend të saj të Safet Gjicit, ka shkaktuar menjëherë përplasjen. Një përplasje që çuditi shumëkënd jashtë radhëve të PS-së. Sepse vetë socialistët e dinin prej kohësh se kazani po vlonte. Një ditë do të shpërthente aq sa disa socialistë për këtë arsye hynë edhe në greve urie duke çuditur dynjanë. Sepse ne shqiptarët deri tani kemi treguar se dimë vetëm për t’u shërbyer politikanëve. Për këtë ç’nuk bëjmë, bile hyjmë edhe në grevë urie. Ndërsa vetëm dimë të heshtim për t’i shërbyer familjes sonë. Sepse ç’është e vërteta, tashmë varfëria po kap majat në shumicën e familjeve shqiptare (pale më kuksiane). Varfëria në rritje, ndërsa vetëm një grup oligarkësh e politikanësh kanë kapur majat e pasurisë. Aq sa edhe vetë shteti nuk ua di sa e kanë në të vërtetë. Dhe askush nuk di të na thotë si ia arritën kësaj farë pasurie që e vendosën në pak vite ? Gjithçka po zvarritet në heshtje me të vetmin synim: E vërteta t’i fshihet përgjithmonë popullit, i mësuar vetëm të gënjehet nga kjo klasë politike që nuk di të ndryshojë prej afro 30 vitesh. Edhe pse mbahet mend se di të pasurohet për vete duke varfëruar shumicën e shqiptarëve. Këtë të vërtetë e dimë të gjithë ne shqiptarët, këto që kemi mbetur në këtë anë të kufirit dhe ato që fatmirësisht po kënaqen që kanë mundur t’u shpëtojnë kthetrave të grupit oligark të palo-politikanëve tanë. Zgjedhjet po afrohen, ndërsa socialistët kuksianë janë të detyruar të futen në zgjedhje. Edhe pse, vetë e dinë, se këto zgjedhje, nuk mund ta bëjnë sërish PS-në nuse. Të paktën nuse të virgjër jo. Kjo nuse është prej kohësh e zhvirgjëruar. Edhe pse për këtë heshtin socialistët. Heshtin, sepse ndjehen fajtorë. Se kanë gënjyer jo pak. Kanë shtuar ndjeshëm varfërinë. Po kryesorja është se kanë mundur të instalojnë një pushtet tërësisht familjar. Aq familjar sa kanë çuditur dynjanë. Aq sa tashmë është thuajse krejt e pamundur të shembin ndërtesën familjare të ngritur me votat e popullit gjithnjë e më të varfëruar. Se ndodh kështu, pa u shpallën me shpejtësi marramendëse zgjedhjet e reja për strukturat drejtuese, që ishin zgjedhur pak kohë më parë. Ndaj, të gjithë pyesin: këto zgjedhje çfarë mund të ndryshojnë ? Askush nuk e di të japë një përgjigje të përafërt. Sepse shembja e familjes drejtuese me një të rënë të lapsit është e pamundur. Po diçka duhet të lëvizë tani, kur zgjedhjet e pushtetit vendor po afrohen. Aq sa në Kukës, shumë janë bërë kureshtarë. Nëse edhe në këto zgjedhje, PS do t’i kërkojë borxh ndonjë kandidat LSI-së ashtu siç bëri 4 vjet më parë? Dhe nuk është thjesht një shuarje kureshtjeje, në kushtet, kur grindjet brenda vetë PS-së janë në kulmin e tyre. Pavarësisht grindjeve (që ne shqiptarët i kemi të zakonshme mes vetes), kryesorja në këto zgjedhje do të jetë: Premtimi për hapat që do të ndërmarrë PS në shkatërrimin e këtij pushteti familjar që vetë e ka instaluar. Është një nga veprimet më neveritëse që me hir, apo me pahir po instalon hapur fillimin e humbjes edhe në zgjedhjet që po afrohen. Kthimi i rrotës së saj drejt fitores, kërkon ndryshime cilësore. Duke nisur që në këto zgjedhje e duke vazhduar me ngritjen e strukturave socialiste efikase në shërbim të gjithë popullit e jo vetëm të familjes drejtuese. Për socialistët që nuk janë pak ata që janë zhgënjyer, nuk ka rëndësi se kush është I deleguari, Mimi Kodheli, apo Safet Gjici. Kryesorja është reforma që secili prej tyre pritet të kryejë në radhët e PS-së që tashmë është kthyer nën jë grumbull miqsh e shokësh, po pak i thonë forcë politike. Gjithsesi greva e urisë e socialistëve kuksianë ka evidentuar faktin e rënë se, sa poshtë ka rënë klasa jonë politike. Aq sa prej saj vështirë që ne shqiptarët të vazhdojmë të shpresojmë se do të mund të na përmirësojë jetën tonë të rënduar nga kriza dhe varfëria. Edhe pse me hipokrizi, kjo klasë politike vazhdon të flasë 24 orë në 24 “për suksese dhe arritje madhështore”. Aq sa gjithnjë e më tepër shumicës së shqiptarëve po u mbushet mendja se e ardhmja do të vazhdojë të mbushet me zymtësi. Ndaj e vetmja mundësi për të shpëtuar nga kjo e keqe që e ka kapur këtë vend është largimi në emigracion. Se e vërteta është se shumica vazhdojnë të mbushin trastat e të largohen. Këtë e dimë ne, që ende kemi mbetur këtu, e dinë edhe politikanët tanë që dinë veç të pasurohen duke plaçkitur pasurinë kombëtare vetëm për familjen e vet. 

Riza Hoxha
Sigal