A është tradhtar Ahmet Zogu? E thotë Himni Kombëtar!

556

Po citoj tre deklarime të bëra prej Kryeministrit Sali Berisha, prej Presidentit të Republikës Bujar Nishani dhe prej Presidentes së Kosovës Ahtifete Jahjaga, ditën që mbreti ikanak Ahmet Zogollin e kthyen në Shqipëri si skelet në valixhe, pas mbi 73 vitesh, që prej 7 prillit 1939, ditës kur me gruan, djalin, motrat, oborrin mbretëror dhe valixhet e thesarit shqiptar, ia mbathi nga atdheu, pa hedhur asnjë pushkë mbi pushtuesin fashist:

1. Bujar Nishani: “Sot në prag të 100- vjetorit të Pavarësisë, është gjest fisnik, detyrim moral dhe patriotik që eshtrat e Ahmet Zogut, këtij patrioti e shqiptari të madh, të prehen në vendin, të cilit ai i kushtoi vitet më të mira të jetës së tij.

2. Sali Berisha: Kthimi i eshtrave të mbretit Zog në Atdhe, janë një nder për çdo shqiptar dhe një nderim për figurën e madhe patriotike e atdhetare të Ahmet Zogut, këtij shqiptari që bëri histori për bashkimin e shqiptarëve, për pavarësinë dhe lirinë e atdheut, për mbrojtjen e trojeve shqiptare nga të huajt…

3. Ahtifete Jahjaga:  Eshtrat e patriotëve nuk i tret dheu i huaj dhe guri i rëndë peshon në vendin e vet, ndaj ndihem e nderuar, që sot jam prezente në këtë ceremoni të kthimit të eshtrave mbretit patriot e atdhedashës Ahmet Zogu, në Atdheun e tij, për të cilin luftoi dhe përkushtoi gjithçka deri në fundin të jetës së tij.   Të tre shtetarët e lartë të kombit shqiptar, janë në një vijë “melodike”: nderojnë Ahmet Zogun, e deklarojnë dhe e shpallin atë “atdhetar, “patriot:, luftëtar e prijës të shquar të luftërave për liri” etj., etj.. Në fakt, ky “nderim” zyrtar i ish- mbretit Zog, po bëhet privatisht që prej 1 viti dhe veçanërisht tre muajt e fundit, prej Kryeministri Sali Berisha. Tashmë Ahmet Zogu e ka një “emër” të cilin ia ka vendosur vetes, kur ia mbathi në 7 prill 1939, ditën kur Shqipëria u sulmua nga Italia fashiste. Ky emër është “TRADHËTAR”. Kryeministri Sali Berisha, natyrisht për interesa të tij e të atyre që e urdhërojnë nga jashtë kufijve veriorë të Shqipërisë, po rropatet për t’ia hequr Ahmet Zogut damkën e stamposur historikisht si “tradhtar”, si “anti-shqiptar”, si “shitës i trojeve shqiptare tek serbët”, si “vrasës i patriotëve shqiptarë”, si “despot”, si “kryeministër e mbret, që e la vendin në gjendje shoqërore dhe ekonomike mesjetare”, si “kryeministër e mbret, që pranoi dhe realizoi me pazare të pista pushtimin e Shqipërisë në vitin 1939”, si “mbret që ia mbathi si lepur, duke braktisur vendin përballë pushtimit”. Kryeministri Sali Berisha dhe “bordero e kolltukë historianët” e pushtetit të tj, po vazhdojnë ta glorifikojnë TRADHËTARIN Ahmet Zogu, si “figurë të madhe historike të shtetit shqiptar” dhe si “atdhetar të madh e të shquar të kombit”. Kësaj “melodie” komike e të qëllimshme pro-serbe të Sali Berishës për të konvertuar tradhtinë dhe anti-shqiptarizmin e Ahmet Zogut në “patriotizëm, atdhetarizëm e shqiptarizëm të madh”, iu bashkua edhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bujar Nishani, edhe Presidentja e Kosovës Ahtifete Jahjaga, duke përdhosur faktet e dokumentuara historike të anti-shqiptarizmit, të tradhtisë dhe shërbesave pro-serbe të Ahmet Xhemal Zogut. “Historiani” Sali Berisha, po trumbeton me histeri se ish-mbreti Zog është “maja e atdhetarizmit”, kur në fakt me dokumente fakte historike është damkosur” si tradhtar, si antishqiptar, si copëtues dhe shitës i trojeve të vendit, si vrasës i patriotëve të shquar të kombit, që luftonin për lirinë dhe trojet e vendit. Kamë disa pyetje për “trion” Berisha, Nishani, Jahjaga, që kërkon të pastroj “profilin e tradhtarit e anti-shqiptarit Ahmet Zogut:

– Nëse nuk quhet “tradhtar”, çfarë mund të quhet një mbret, që braktis vendin kur ai sulmohet ushtarakisht?

– A mund të quhet “atdhetar”, një mbret që ia mbath nga fronti i luftës për mbrojtjen e atdheut, kur mbreti edhe në sundimin e Zogut, quhej “komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura kombëtare, që drejton e udhëheq ushtrinë dhe popullin në çdo rast sulmi ushtarak që bëhet nga një vend tjetër, duke qëndruar deri në vdekje, në frontin e mbrojtjes së pavarësisë dhe trojeve të vendit”.

– Kur ikën mbreti (komandanti i përgjithshëm) nga lufta: Pa nisur ajo, në mes të luftës, apo kur lufta humbet ose fitohet?! Sepse me sa di unë edhe në lojën e shahut, mbreti dorëzohet i fundit?

– Çfarë është kjo IKJE hajdutçe dhe duke vjedhur thesarin e shtetit: Atdhetari, apo tradhti?

– A mund të nderohet e të ngrihet në piedestal një mbret, që ka vrarë me porosi të serbëve patriotët e shquar shqiptar Bajram Curri, Avni Rustemi, Hasan Prishtina etj., etj., të cilët luftonin për mbrojtjen e trojeve shqiptare nga copëtimi serb?

– A mund të nderohet e të ngrihet në piedestal një mbret, i cili ka copëtuar trojet shqiptare dhe ia ka bërë dhuratë serbëve?

Duke mos vazhduar të komentojmë asnjë “shkronjë” nga lëvdatat e treshes Berisha, Nishani, Jahjaga bërë publikisht për mbretin e vet-klonuar, kriminel ordiner e politik, hajdut, anti-shqiptar e tradhtar Ahmet Zogu, por po të sjellim në kujtesë, një poezi të të madhit Ali Asllani, kushtuar “mbret-lepurit” shqiptar të 7 prillit 1939, Ahmet Zogu, këtij “patrioti e atdhetari të shquar”, që ia mbathi nga Shqipëria ditën kur ajo po pushtohej, ndërkohë që si “mbret i shqiptarëve” (siç vet-deklarohej), duhej të ishte në krye të luftës për mbrojtjen e lirisë dhe pavarësisë së vendit.  Ju treshes Berisha, Nishani, Jahjaga që nuk e cilësoni Ahmet Zogun si “tradhtar anti-shqiptar”, po ju kujtoj “Himnin Kombëtar Shqiptar”, i cili e përcakton qartë se kush quhet “TRADHËTAR I SHQIPËRISË”, i shkruajtur nga Asdreni që në vitin 1908 dhe i njohur, ligjësuar, i shpallur dhe i kënduar si i tillë prej shqiptarëve, që prej ditës së Shpalljes së Pavarësisë në 28 Nëntor 1912, pra 27 vjet përpara se Ahmet Zogu i vet-shpallur mbret, braktisi atdheun e popullin e ia mbathi si frikacak përballë detyrimit për mbrojtjen e atdheut nga pushtimi! Besoj, se ju treshja Berisha, Nishani, Jahjaga e keni lexuar dhe e kenë kënduar shumë herë “Himnin Kombëtar” si fatosa, si pionierë, si nxënës, si studentë, si deputetë, si politikanë, si ministra, kryeministra, si presidentë dhe si… shqiptar?! Madje e kënduat dhe atë ditë 17 nëntori 2012, kur tradhtarin dhe anti-shqiptarin Ahmet Zogu e quanit “Atdhetar të shquar të kombit”, kur e mbuluat me flamur kombëtar dhe e dekoruat me “Urdhrin e Flamurit”. Por nuk e di se si jeni ndjerë ju treshja Berisha, Nishani, Jahjaga, kur përballë skeletit të njeriut që ia mbathi kur atdheu pushtohej në 7 prill 1939, këndonit këto vargje të “Himnit Kombëtar”:

Prej lufte veç ai largohet

Që është lindur tradhëtor

Kush është burrë nuk frikësohet

Por vdes, por vdes si një dëshmor!