A është gazetari i “The Ekonomist” Judah, “silueta” që ka menaxhuar reklamën 360 milionë euro?

589
Ende pa kaluar 48 orë nga prezenca e gazetarit të “The Economist”, investiguesit dhe reportazhistit Tim Judah në malet e Vlorës, “desantuar” posaçërisht me helikopter qeveritar mes plantacioneve të hashashit në Tragjas me ftesë dhe shoqërim të Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, nga kupola e “Rilindjes”, ka dalë dhe po qarkullon “thashethemi”, se gazetari britanik nuk është hera e parë që “shkel” në Shqipëri. Thuhet, se 8 muaj më parë, konkretisht në janar 2016 ai ka qenë në Tiranë si i “ftuar special” prej kryeministrit Rama, për një “vizitë pune”, tipik si “vizita turistike” e këshilltarit të “Rilindjes”, ish-kryeministrit britanik Toni Blair, bërë në rezidencën qeveritare shqiptare në Vlorë, po me ftesë të shefit të tij, kryeministrit shqiptar Edi Rama! Sipas informacionit të ardhur dje në redaksinë e gazetës “Telegraf”, thuhet se gazetari i “The Economist”, rezulton të jetë “sekseri” që ka “kapur” e po kështu “menaxheri” që ka menaxhuar reklamën prej 8 faqesh, publikuar në datën 14 janar 2016, me objekt promovimin e arritjeve të mëdha ekonomike, resurset e shumta turistike dhe sigurinë që ofron Shqipëria nën qeverisjen e “Rilindjes” për investimet e huaja në çdo sektor, objekt ky i publikuar në “Fletore Zyrtare” edhe nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA), strukturë shtetërore në Ministrinë e Ekonomisë dhe Turizmit, sipas të cilës thuhet: “Qëllimi i këtij publikimi është të krijojë një dialog për investime në Shqipëri dhe ta kthejë Shqipërinë në rekomandim kryesor për investime të huaja”! Nuk e kemi fjalën për skandalin shpalljes së fituesit të tenderit 360 milionë lekë, disa ditë para se të shpalljes njoftimi për tenderin, as për botimin e reklamës në “The Economist” në datën 14 janar 2016, kur shpallja zyrtare e fituesit është bërë në datën 16 janar 2016 dhe as për skandalin shtetëror që 360 milionët e reklamës janë paguar qysh në datën 8 janar 2016! Por e kemi fjalën për “thashethemin” që ka dalë nga “të pakënaqurit” e kupolës së “Rilindjes”, të cilët thonë se gazetari “Tim Judah i “desantuar” 2 ditë më parë me porosi dhe helikopter qeveritar në fermat e hashashit në malet e Vlorës, ka qenë personi që ka “menaxhuar” reklamën prej 8 faqesh tekst me përmbajtje arritjet e qeverisë “Rilindja” dhe me pamjen e Sahatit të Tiranës, me pamjen e 1 mali në verilindje, të 1 lugine lumi në veri, të një bregu deti në Jon, të 3 kullave në Tiranë dhe të 2 fotografive ballore të kryeministrit, të faqosura në 8 faqe “A-4”, që u paguan me 360 milionë lekë nga taksat e shqiptarëve. Se sa e vërtetë është kjo, këtë mund dhe duhet ta konfirmoj me letra vetë “the Economist”, mbasi qeveria shqiptare nuk pranon asnjë akuzë që i bëhet, duke i quajtur “agjitacion e propagandë armiqësore anti-qeveritare”! Gjithsesi, një dorë e “tinëzare” brenda “rilindjes” e ka çjerr pak “petën” e Lakrorit të reklamës 360 milionë lekë, kur në emër të qeverisë ka publikuar “CV” e gazetarit britanik të “The Economist”, duke e profilizuar gazetarin Tim Judah, si analist politik të gazetës britanike “The Economist”, shumë të angazhuar për ngjarjet në ish-Jugosllavi e Kosovë, autor i shumë artikujve analitikë dhe reportazheve për vendet e Ballkanit, mes tyre ka shkruar edhe disa reportazhe për Shqipërinë, kryesisht duke promovuar ndryshimet pozitive të bëra në 3 vitet e fundit
——————————————
Kastriot Islami: “Gazetari britanik të distancohet nga kjo farsë. Shpresoj të mos jetë përzier Tony Blair”
Gazetari Tim Judah, duhet të distancohet nga kjo farsë që kanë përgatitur këta mashtrues…, dyshja Rama-Tahiri! Shpresoj të mos jetë përzier Toni Bler, në këtë farsë!? Ndërkohë, që Edi Rama i ka nxirë faqen Toni Blerit, tani është radha e Sajmir Tahirit që t’i nxijë faqen prestigjiozes “The Economist”. Ështe turp dhe e paimagjinueshme, që një gazetar i një reviste me reputacion ndërkombëtar të shoqërohet me helikopter nëpër arrat me kanabis, nga ministri famëkeq i Republikës së Kanabisit, i cili është krye-organizatori i kultivimit të kanabisit të Shqipëri. Ky është Ministri i Gjeneratës së Kanabisit. Ky është Ministri i Degjeneratës së Kultivimit të Kanabisit. Nëse Tim Judah, gazetari i “The Economist” dëshiron të shkruajë një shkrim me të vërtetat për kultivimin e kanabisit në Shqipëri, duhet të kërkojë ndihmë tek gazetarët e ndershëm investigativë, tek shumë intelektualë të ndershëm, por vetëm te Sajmir Tahiri dhe Edi Rama nuk duhet të drejtohet. Le t’i bëjë një pyetje Tim Judah edhe Tahirit edhe Ramës, nëse janë të gatshëm të bëjnë testin e drogës. Dhe nëse Tim Judah, dëshiron të bëjë një shkrim për Republikën e Kanabisit të drejtuar nga Rama dhe Tahiri, të fillojë në fshatin e Ministrit të Brendshëm. Nëse të gjitha këto nuk do të ndodhnin, atëherë Sajmiri dhe Rama do t’i nxijnë faqen edhe prestigjiozes “The Economist”. Gazetari Tim Judah, duhet të këtë parasysh se shqiptarët e dinë të vërtetën, po ashtu edhe të gjithë shërbimet e huaja inteligjente. Kjo e vërtetë, nuk shtrembërohet e nuk fshihet dot..!
——————————-
Qeveria: “Po, kemi paguar 259 mijë euro tek “The Economist”, për shkrim promocianal” 
Qeveria shqiptare, duke e parë reportazhin në “The Economist” si një mundësi të shkëlqyer për të promovuar vendin tonë, njësoj siç kane vepruar edhe qeveritë e vendeve të tjera si Maqedonia, Kroacia, Turqia apo Serbia, ka nënshkruar një kontrate prej 36 milionë lekësh për te publikuar një reportazh të zgjeruar mbi Shqipërinë. Por në reagim nuk jepet asnjë shpjegim se përse Ministria e Ekonomisë nuk e përmendi këtë fakt se shkrimi ishte i paguar, kur e shpërndau atë për mediat një ditë më parë. Revista nuk merr përsipër të vërtetësinë e lajmit, pasi bëhet fjalë për reklamë. Por qeveria pretendon të kundërtën. “The Economist, si një prej revistave më prestigjioze dhe me lexueshmëri më të lartë në shkallë botërore, nuk mund te publikojë asnjë informacion që nuk është i vërtetë, që nuk është i verifikuar dhe që nuk është shkruar nga gazetarë të certifikuar të saj. 
Përparim HALILI

Sigal