A duhej të dorëhiqej Rama si Zaev? Meta ironi therrëse: Naiv kush do ta besonte

486
Sigal

Presidenti Ilir Meta gjatë intervistës së dhënë sot për “News 24” është pyetur nga gazetari Robert Rakipllari nëse e ka pritur një dorëheqje të kryeministrit Rama, në shembullin e Zaevit, pas refuzimit nga BE të hapjes së negociatave. “Nëse ne do të prisnim një reflektim të tillë nga ana e kryeministrit tonë sot, mendoj se do të ishim pak naivë”, – është përgjigjur me ironi Kreu i Shtetit.

PJESË NGA INTERVISTA

 Gazetari: Në këtë kuadër zoti President, refuzimi ishte edhe për Shqipërinë dhe për Maqedoninë e Veriut dhe reagimi i dy kryeministrave të Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut ishte i ndryshëm. Kryeministri i Maqedonisë së Veriut ka shpallur zgjedhje të parakohshme pas atij vendimi të refuzimit, ndërsa kryeministri i Shqipërisë thotë që, nuk ka ndonjë përgjegjësi dhe se zgjedhjet do të jenë në vitin 2021. Ju e prisnit një reagim të tillë të kryeministrit? Prisnit një dorëheqje të tij si reflektim?

Presidenti Meta: Nëse ne do të prisnim një reflektim të tillë nga ana e kryeministrit tonë sot, mendoj se do të ishim pak naivë, për arsye sepse nëse do të kishte ndier 1/100-n e përgjegjësisë që ka ndier Zaevi, i cili në rastin konkret për mua është një “viktimë” nuk është një përgjegjës….

Gazetari:“Viktimë” e kujt?

Presidenti Meta:…“viktimë” e rrethanave të caktuara.

Pra në rast se kryeministri ynë do ndiente 1/100-n e përgjegjësisë së Zaevit, ne do t’i kishim çelur negociatat para dy vitesh, para një viti në qershorin që kaloi dhe absolutisht nuk do të vihej në diskutim tani.

Aq më tepër që ishim bashkë me Maqedoninë e Veriut dhe mund të përfitonim shumë nga suksesi i madh që shënoi ky vend në planin ndërkombëtar, për shkak të Marrëveshjes së Prespës.

Mua më vjen keq ta them këtë gjë, sepse jam President i Shqipërisë, por Maqedonia e Veriut edhe me këtë sjellje që tregoi pas mosmarrjes së çeljes së negociatave, që ishte një padrejtësi e madhe, tregoi edhe njëherë tjetër se e meritonte çeljen e tyre.

Sepse mënyra e sjelljes së saj ishte shumë demokratike, shumë europiane, sepse i ishte premtuar popullit që edhe zgjidhja e emrit edhe bërja e disa reformave bëheshin sepse ishte e sigurt çelja e negociatave, përveç anëtarësimit në NATO.

E vërteta është, që shumica e të gjitha vendeve të Bashkimit Europian, me ndonjë rast të veçantë, kanë qenë që Maqedonia e Veriut ta merrte dritën e jeshile qoftë dhe duke e ndarë me Shqipërinë.