A doni të kontribuoni edhe ju në PD, zoti Selami?

526
Petraq BAJRAMI
Zoti Eduard Selami, besoj se e keni marrë vesh, që qeveris Edi Rama. Besoj se e dini, që kryeministri Edi Rama qeveris Shqipërinë 5 vjet. Besoj, se e mësuat dështimin e plotë të lobingut të kryeministrit Rama në Berlin, ku Gjermania, e cila udhëheq BE-në, deklaron se është ende herët që BE-ja të hapë negociata me Shqipërinë. Domethënë, që qeverisja e kryeministrit Rama ka dështuar në të gjitha reformat e integrimit. Zoti, Selami, besoj se edhe ju keni dëgjuar për kanabizimin e gjithë Shqipërisë, dhe që Shqipëria është bërë kryeqendra e trafikimit të Kokainës në Evropë. Veçse, çuditërisht, ju, zoti Eduard Selami keni heshtur, nuk keni folur asnjëherë, nuk keni kritikuar për asgjë qeverisjen e kryeministrit Rama. Ju, zoti Selami, si kandidati kryesor për kryetar i PD-së në zgjedhjet e fundit, asnjë ditë, nuk keni ushtruar aspak opozitë. Nuk keni kontribuar fare në Opozitën e Bashkuar. Ndoshta, keni të drejtën tuaj, që nuk ju zgjodhën deputet, që ju nuk fituat as për kryetar i PD-së dhe këtë zemërim ju e shprehët me heshtje politike, me moskontribuim politik për çështjen e Opozitës. Siç, duket, ju zoti Selami, politikë bëni vetëm kur ju emërojnë deputet, ose, nëse do të ishit zgjedhur kryetar i PD-së. Por, ju kujtoj, që edhe 4 vite si deputet i PD-së, ju asnjëherë nuk ushtruar kritikë, as në parlament kundër qeverisjes së kryeministrit Rama. Çuditërisht, dje, ju zoti Selami, u zgjuat nga gjumi letargjik politik dhe derdhët lumin e kritikave vetëm ndaj kryetarit të PD-së. Pak rëndësi ka, sa të drejtë keni në kritikat tuaja ndaj kryetarit të PD-së. Pyetja e vetme për ju, zoti Selami është: Doni të kontribuoni në PD, duke bërë opozitë ndaj keqqeverisjes së kryeministrit Rama? Apo, doni të kontribuoni në PD vetëm duke kritikuar kryetarin e PD-së, vetëm e vetëm që të zbrazni mllefin tuaj personal, ngaqë nuk u zgjodhët deputet?
Sigal