Sigal

TIRANE– Në një kohë kur pritet vetëm fjala e fundit nga presidenti i Republikës për ligjin për shembjen e Teatrit Kombëtar, nëse do ta dekretojë apo jo, vjen reagimi nga Ilir Meta. Në një deklaratë para gazetarëve Meta tha se nuk do të ndikohet nga asnjë faktor i jashtëm, ndërsa theksoi se do t’i përmbahet përgjegjësive të presidentit.

“Dua t’ju siguroj se në çdo vendim, nuk do të ndikohem nga asnjë faktor jashtë atyre përgjegjësive që ka presidenti në mbajtjen e qëndrimeve të tilla”, tha Meta.

Ndërkohë opozita është shprehur kundër këtij ligji, duke dalë në krahë të artistëve, shoqërisë civile dhe qytetarëve që janë rreshtuar kundër shembjes së teatrit.

Kujtojmë se pak ditë më parë maxhoranca votoi me 75 vota pro ligjin për shembjen e teatrit, duke i hapur rrugë ndërtimit të një godine të re. Pavarësisht refuzimit nga ana e opozitës dhe protestave që kanë vijuar edhe përgjatë këtyre ditëve, qeveria nuk u tërhoq nga vendimi.