Sigal

Presidenti i Republikës, Ilir Meta i ftuar sot në mbrëmje në emisionin “Opinion” të gazetarit, Blendi Fevziu ka komentuar për herë të parë propozimin e kryeministrit Rama për ta dekretuar në postin e Ministrit për Europën dhe Punët me Jashtë.
I pyetur nga Fevziu nëse do e dekretojë ose jo, Meta është përgjigjur: “më duhet një kohë e mjaftueshme për t’u këshilluar dhe për të dhënë një vlerësim të plotë”.

PJESË NGA INTERVISTA

Gazetari: Që prej tri-katër ditësh jeni në qendër të vëmendjes me kryeministrin e Shqipërisë, madje ditën e premte ai ka qenë agresiv me ju, duke ju konsideruar një lloj zgjatimi, po e quaj, apo çizmeje e opozitës shqiptare. Në fakt sot kryeministri ka deklaruar se do të marrë vetë përsipër postin e ministrit të Jashtëm. Ky është lajmi më i fundit. Çfarë qëndrimi keni?

Presidenti Meta: Është një lajm i freskët dhe mesa jam në dijeni, pak më parë ka mbërritur apo është protokolluar një propozim i tillë, për të cilin natyrisht që më duhet një kohë e mjaftueshme për t’u këshilluar dhe për të dhënë një vlerësim të plotë.

Gazetari: Ç’do të thotë një kohë e mjaftueshme, zoti President? Për çfarë do të këshilloheni ju për Edi Ramën?

Presidenti Meta: Besoj se kohë e mjaftueshme do të thotë që çdo veprim të bëhet me përgjegjshmëri, duke respektuar Kushtetutën dhe duke marrë në konsideratë çdo kërkesë të vetë Kushtetutës.

Gazetari: A do të përdoren kriteret që janë përdorur edhe në rastin e Cakajt për Ramën? Që do të thotë, a do të shihet edhe përmbajtja e deklaratave të tij lidhur me qëndrimin për shembull ndaj shkëmbimit të territoreve, idesë së shkëmbimit të territoreve midis Kosovës dhe Serbisë dhe qëndrimi i diplomacisë shqiptare në këtë drejtim?

Presidenti Meta: Jua thashë edhe një herë që një kërkesë e tillë sapo është depozituar dhe do të kërkojë kohën e saj. Dhe përgjigjja do të jetë tepër e përgjegjshme, por edhe transparente.

Së dyti, nuk mund të bëjmë një paralelizëm të rastit të kandidatit të mëparshëm me kandidatin e vetëpropozuar, për arsye se në rastin e dytë kemi të bëjmë me një figurë të njohur politike, ndërsa në rastin e parë kishim të bënim me një figurë tërësisht të panjohur deri më sot, të paktën për mua si President i Republikës, por kam përshtypjen edhe në tërësi për opinionin publik.

Gazetari: Që do të thotë zoti Meta, se ju do t’i përgjigjeni ‘po’, pra do ta dekretoni Ramën si ministër të Jashtëm?

Presidenti Meta: Që do të thotë se do të më duhet kohë për të dhënë një përgjigje të qartë, të plotë dhe shteruese.