90 vjetori i KLSH, Meta: Angazhohemi të garantojmë pavarësinë institucionit

397
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta gjatë aktivitetit të organizuar të martën në mjediset e Kuvendit me rastin e 90-vjetorit të krijimit të KLSH-së, vlerësoi rolin dhe misionin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, ndërsa shprehu vullnetin e legjislativit për të garantuar më tej pavarësinë e këtij institucioni. “Duhet të ndihemi krenar që shteti shqiptar dhe themeluesit e tij, që prej vendosjes së pavarësisë në vitin 1912 kanë pasur largpamësinë për të krijuar edhe një strukturë të pavarur shtetërore, që do të mbikëqyrte mënyrën e shpenzimit të asaj arke simbolike të shtetit të ri të sapokrijuar. 
Me vendosjen e sistemit demokratik në Shqipëri, ashtu si gjithë institucionet shtetërore dhe publike edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit iu nënshtrua reformimit institucional, kushtetues dhe ligjor, me qëllim për t’iu përqasur standardeve bashkëkohore ndërkombëtare, parimeve të shtetit ligjor dhe rregullave të ekonomisë së tregut. Sot, vërejmë me kënaqësi se me kalimin e viteve të tranzicionit dhe fillimin e proceseve për integrimin e Shqipërisë në strukturat euroatlantike, KLSH ashtu si edhe institucione të tjera të pavarura kushtetuese, kanë rritur shkallën e përgjegjshmërisë për të përmbushur jo vetëm objektivat afatshkurtra dhe afatmesëm institucionale, por edhe për të ngritur në një nivel edhe më të lartë shkallën e bashkëpunimit dhe të bashkëveprimit me institucionet ligjzbatuese. Ai veçoi gjithashtu edhe përfaqësimin e KLSH-së në strukturat ndërkombëtare”, tha Meta.
Kryetari i Kuvendit vlerësoi se “ky institucion kushtetues që zgjidhet dhe shkarkohet nga Kuvendi me propozim të Presidentit të Republikës, realisht gëzon një pavarësi institucionale, organizative dhe funksionale”. “Një nga sfidat që ka shoqëruar jo vetëm funksionimin e KLSH-së por edhe maxhorancat që kanë zgjedhur kryetarin e këtij institucioni është shmangia nga ndikimi politik i veprimtarisë së KLSH-së për t’u përdorur si mjet ndëshkues në kohën e rotacioneve politike. Mendoj se marrëdhënia e përgjegjësisë reciproke, bashkëpunuese e konstruktive që ekziston midis Kuvendit dhe KLSH-së, ofron një vlerë të shtuar jo vetëm për parametrat e mirëqeverisjes së Shqipërisë, por edhe një kontribut në kuadër të avancimit të integrimit europian të vendit tonë”, vijoi më tej Meta.
Kryetari i Kuvendit siguroi se pushteti legjislativ është i angazhuar për të garantuar pavarësinë financiare të KLSH-së si dhe pavarësinë në funksionimin dhe drejtimin e saj në përputhje me parimin kushtetues dhe legjislacionin e brendshëm”.
Sigal

Leskaj: Të vendosur të ruajmë pavarësinë e KLSH-së

I pranishëm në ceremoninë për 90-vjetorin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, ishte edhe kreu i KLSH-së, Bujar Leskaj. Gjatë fjalës së tij, Leskaj tha se misioni i këtij institucioni është rritja e transparencës së përdorimit të fondeve. “Jemi të vendosur të ruajmë pavarësinë institucionale”, tha ai më tej.