80 % e shqiptarëve kërkojnë largimin e Ramës dhe qeverisë së tij të inkriminuar

613
Sigal

Intervista e Kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi për “Top-Channel” theksoi, se 80 % e shqiptarëve duan që të largojnë Edi Ramën dhe qeverinë e tij të inkriminuar.

Znj. Kryemadhi, aksioni opozitar sa do të vazhdojë, deri më 28 qershor?

Aksioni opozitar vazhdon, vazhdon që në momentin që ne jemi prezent, pavarësisht se Parlamenti i ka përfunduar të gjithë etapat e tij të komunikimit të një Parlamenti demokratik. Unë mendoj që aksioni opozitar do të vazhdojë, shqiptarët sot, për hir së vërtetës 80% e tyre kërkojnë largimin e kësaj qeverie, e cila është totalisht e inkriminuar.

A prisnit më shumë njerëz në shesh më 26 maj znj. Kryemadhi?

Unë mendoj që shumë media janë viktima të makinës propagandistike të Edi Ramës. Pjesëmarrja ka qenë shumë e madhe, edhe pse ka qenë një nga ditët më të nxehta të Shqipërisë. Ajo që është e dhimbshme është që Edi Rama ka punuar me një plan shpërbërje të Shqipërisë, ekzaktësisht shumë të saktë për të rritur shkallën e dëshpërimit në mënyrë të tillë që shqiptarët të shikojnë si të vetmen zgjidhje largimin e tyre. Por nuk mund të largohen dot të gjithë shqiptarët. Të jetë i bindur që unë do jem e fundit, që do largohem nga Shqipëria dhe, kur të largohem, do largohem bashkë me të.

Znj. Kryemadhi një deklaratë e juaja në e lidhur me ministrin e brendshëm Fatmir Xhafaj, në opinionin publik ka tingëlluar si një hap mbrapa e LSI-së nga PD, e cila e quan fajtor edhe moral edhe ligjor ministrin e brendshëm për shkak të vëllait të tij.

Nuk është e vërtetë, unë e përgënjeshtrova menjëherë. Unë them se Fatmir Xhafaj mban përgjegjësi dhe morale dhe ligjore dhe politike dhe fizike në momentin që vëllai i tij ka përdorur të gjithë segmentet e policisë së shtetit. Këtu nuk është çështja e Fatmir Xhafës, sepse Fatmir Xhafaj në fund të ditës është njëri nga ushtarët e perandorisë së Edi Ramës, ashtu si deri dje ishte Saimir Tahiri, i cili deri dje e kërcënonte me fotot me videot me gjithë materialet që ai dispononte për vëllain e Edi Ramës dhe familjarët e Edi Ramës. Dhe mbajtja e z. Xhafaj për shkak të pozicionit të vëllait të tij, është një masë profilaktike ose po themi një lloj prezervativi që Rama e përdor për çështjen e vëllait të tij, që nesër pasnesër do t’i shpërthejë shumë shpejt.

Jeni e bindur për këtë?

Sigurisht që jam e bindur, ka prova dhe i kam parë dhe me sytë e mi. Por nuk jam e autorizuar për t’i thënë, sepse ka institucione ligjore jashtë shqiptare, të cilat po merren me të.

Si duhet ta lexojmë në momentin kur ju bojkotoni sallën e Parlamentit, ndonjëherë deputetët tuaj qëndrojnë në sallë dhe votojnë. Kjo është liri brenda grupit Parlamentar apo thjesht nuk janë të bindur që bojkoti funksionon? A ju kërkoni llogari këtyre deputetëve?

Ne nuk bojkotojmë si grup Parlamentar, e kemi bërë shumë të qartë si LSI. Për sa i përket qëndrimeve politike me PD jemi të unifikuar. Ndërsa për sa i përket çështjes së bojkotit të komisioneve Parlamentare, ne si LSI kemi marrëdhënie të kushtëzuar me komisionet Parlamentare, për shkak të vetë pozicionimit dhe në çdo komision, të jeni të bindur që do ketë nga një përfaqësues të LSI-së, për të vetmen arsye sepse nga eksperiencat tona, por edhe nga praktika kemi që Rilindja funksionon në manipulimin e procesverbaleve. Pra kalohen projektligje, si rasti i dy projektligjeve që janë kaluar në komisionin e mediave që nuk kanë pasur koorumin. Janë kaluar për t’u sjellë në seancë, pra duke shkelur procedurat dhe duke bërë një proces falsifikimi. Duke qenë që ne kemi një Sekretar të përgjithshëm të Parlamentit shqiptar, ish-Sekretarin e përgjithshëm të z. Tahiri, të ministrisë së Brendshme, i cili ka probleme shumë të mëdha për mendimin tim dhe shpresojmë që në mos sot drejtësia vonon, por nuk do të harrohet. Do të mbajnë përgjegjësi për të gjitha zullumet e tyre që kanë bërë. Jam e bindur që kjo histori, është një histori, që duhet të tregojmë jo vetëm thjesht anën e forcës dhe të prezencës në Parlament, por duhet të tregojmë edhe mençurinë tonë për të menaxhuar, vërtetuar dhe për të evidentuar çdo shkelje dhe falsifikim, që po bën maxhoranca e këtij krimi të organizuar.