8 të fuqishmit që do të monitorojnë vettingun e drejtësisë shqiptare

563
Do të jenë 8 vëzhgues afatgjatë të përcaktuar nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit që do të shoqërojnë dhe monitorojnë procesin e Vettingut në drejtësi.
Kjo është bërë e ditur nga Zyra e Bashkimit Europian përmes një njoftimi për mediat në faqen zyrtare, e cila ka treguar edhe emrat e vëzhguesve. Sipas këtij njoftimi, ekipi do të jetë i përbërë nga 7 vëzhgues që vijnë nga sistemet gjyqësore të vendeve të BE dhe një nga ai i Bashkimit Europian.
Ata pritet të vendosen në Tiranë brenda javëve në vijim, së bashku me stafin e tyre mbështetës. Ky ekip do të asistojë ONM-në në procesin e Vettingut, përmes monitorimit të procesit, aq shumë të kërkuar nga Bashkimi Europian.
Në këtë mënyrë, Vettingu merr formë ndërsa reforma në Drejtësi duket tashmë jo vetëm e pandalshme por edhe nën kontrollin dhe monitorimin e drejtpërdrejtë të ndërkombëtarëve.
Më poshtë është edhe profili i secilit prej anëtarëve:
Theo Jacobs aktualisht është prokuror në Gjykatën e Apelit të Brukselit. Së fundmi ka përfunduar detyrën e tij në krye të Zyrës Qendrore për Konfiskim dhe Sekuestrim. Ai bën pjesë në sistemin gjyqësor të vendit të tij prej vitit 1982, duke mbuluar pozicione të ndryshme.
Jacobs nuk është i panjohur për shqiptarët, pasi ka shërbyer edhe në Kosovë si kryeprokuror i misionit të EULEX dhe si anëtar i ekipit europian të Drejtësisë në këtë vend.
Ferdinando Buatier de Mongeot aktualisht një gjykatës i çështjeve kriminale në Gjykatën e Komos në Itali. Teksa De Mongeot ka kontribuar edhe si gjykatës ndërkombëtar në Gjykatën e Shkallës së Parë për Eulex në Kosovë, si edhe ka qenë këshilltar për Zyrën e Prokurorisë në Maqedoni.
Elka Ermenkova prej Janarit të vitit 2012 është gjykatëse ndërkombëtare në Gjykatën e Lartë në Kosovë dhe është njëkohësisht anëtare e Panelit të rishikimit të të Drejtave Njerëzore për Misionin e Eulex në Kosovë. Zonja Ermenekova ka shërbyer si gjykatëse në Bullgari nga vitin 1998, ndërsa mes viteve 2008 dhe 2011 është angazhuar me operacionet e menaxhimit të krizave civile në Bosnje, Palestinë, Kosovë, etj.
Branko Hrvatin sapo ka përfunduar mandatin e tij 12-vjeçar si President i Gjykatës së Lartë në Kroaci. Ndër vite ai ka shërbyer si nënkryetar i Këshillit të Drejtësisë në këtë vend dhe si president i Komisionit të Zgjedhjeve Shtetërore. Në vitin 2014 ai u zgjodh zëvendëspresident i Rrjetit të Presidentëve të Gjykatave të Larta të BE.
Hans Kijlstra është një gjyqtar në Gjykatën e Rrethit në Amsterdam prej vitit 2002. Ai është aktualisht kryetar i dhomës së ekstradimeve dhe Mandateve Europiane të Arrestit.
Mia Roessingh-Bakels eksperte në çështjet që lidhin gjyqësorin me median dhe me shumë gjasa do të ushtrojë detyra të ngjashme gjatë procesit të vettingut.
Marie Tuma gjykatëse e çështjeve kriminale brenda misionit të sundimit të ligjit EULEX në Kosovë. Para kësaj detyre, ajo ka qenë drejtoresha e Institutit Raoul Ëallenberg në Suedi, ku ka manaxhuar organizata ndërkombëtare të të drejtave njerëzore. Tuma ka asistuar edhe në Gjykatën e Bosnje-Hercegovinës, si një gjykatëse për krime lufte.
John S. Leonardo, i vetmi anëtar i ekipit nga Shtetet e Bashkuara është emëruar në vitin 2012 nga Presidenti dhe konfirmuar nga Senati për të shërbyer si Avokat i SHBA në Arizona. Deri në vitin 2017 ai ka shërbyer si prokuror federal, ndërsa nga viti 1993 deri në 2012 ka ushtruar funksionin e gjyqtarit të Gjykatës së Kontesë Pima në Arizona.
Sigal