“8 Dhjetori” si “8 Nëntori”

845
Sigal

Festohet dita e protestës së studentëve, mungojnë dhjetoristët e vitit ‘90-të

Zyrtarët e opozitës dhe të pushtetit tentojnë të privatizojnë vit pas viti 8 dhjetorin, e cila është festa që u takon të gjithë shqiptarëve. Gëtja shkroi baladën “Vallja e të vdekurve”, ku tregohet se një fëmijë i vogël ngaqë kishte frikë të mbushte ujë, natën në pus, thirri xhindet për ta ndihmuar. Pastaj kur mbushi bucelën e ujit, atij i doli një problem tjetër i madh: Nuk i largoheshin xhindet, pra ai nuk dinte se si të vepronte për të larguar hijet e frikshme të natës. Kjo gjë ka ndodhur më në fund me studentët shqiptarë të dhjetorit të vitit 1990. Ata dolën për të “mbushur ujë” të pastër kristali, në natën e 8 dhjetorit të vitit 1990. Por ngaqë kishin nevojë për ndihmë ata thirrën për t’i ndihmuar një grumbull intelektualësh. Dhe që atëherë, ky grup i vogël ka tentuar dhe po tenton të bëjë për vete festën e demokracisë.

Tetë dhjetori

Në Qytetin Studenti ndodheshin shumë pak konviktorë, ngaqë një pjesë e tyre ishin larguar nëpër rrethe, për të studiuar lidhur me sezonin e provimeve. Por atë natë ndodhi demonstrata e parë zyrtare, pasi një mbrëmje më parë, kishte dështuar një e tillë. Fjalët e para që u artikuluan nga protestuesit ishin “drita” dhe “ujë i ngrohtë”. Por pas mbërritjes urgjente të Kryeministrit Adil Çarçani u fol edhe për të drejtat e njeriut, apo për lirinë e fjalës. Më vonë, Ramiz Alia thirri Sali Berishën të cilin e dërgoi të bisedonte me studentët. Në të njëjtën orë, Edi Rama ishte duke kërcyer rock- and –roll, tek Akademia e Arteve. Pastaj gjërat dihet si shkuan. Katër ditë më vonë në shtëpinë e Pashkos u themelua Partia Demokratike, ndërsa dy muaj më vonë greva studentore e 20 shkurtit mundësoi rrëzimin e bustit. Kjo gjë, padyshim, që ishte një fitore historike, por sot heronjtë e vërtetë janë spostuar nga Berisha, apo Rama ndërkohë që, piedestalet bosh kanë porositur statujat e kokave të tyre. Problemi kryesor në këtë rast nuk qëndron tek fakti se sot janë shmangur themeluesit dhe iniciatorët e vërtetë të rezistencës opozitare në vend, por në radhë të parë ngërçi ka të bëjë me ftohtësinë e publikut të gjerë ndaj kësaj date. Me pak fjalë, përderisa kjo datë e shenjtë u privatizua vetëm nga disa mostra të politikës së sotme, ndofta vlen të merret parasysh propozimi i shumë dhjetoristëve që thonë, se në të ardhmen është më mirë që kjo festë të mos përmendet më. Kjo, për arsye se pas sakrificës së studentëve idealistë u shfaqën intelektualët karrieristë dhe pak orë më vonë, vërshuan spiunët. Janë pikërisht një pjesë e këtyre spiunëve që caktojnë sot ftesa në adresë të njerëzve të tjerë dhe janë pikërisht, mumiet e dikurshme të diktaturës që përpilojnë sot listat se kush është demokrat dhe kush jo, ose kush meriton të jetë i ftuar në festë dhe kush duhet të bojkotohet. Për këtë arsye duke u përulur para madhështisë së protestës së studentëve të djeshëm, qindra e mijëra njerëz kanë bojkotuar festat e burokratëve të sotëm, të cilët e kanë privatizuar 8 dhjetorin.

Edi Rama: Shqipëria sot më pranë Europës

Lëvizja Studentore Shqiptare ‘90-‘91 ka zhvilluar dje, një aktivitet me rastin e 23 vjetorit të ndryshimit pluralist. Në aktivitet mori pjesë edhe Kryeministri Edi Rama. Ai vlerësoi edhe një herë rëndësinë e lëvizjes së dhjetorit dhe deklaroi se nëse Europa në atë kohë ishte më tepër prodhim i imagjinatës Shqipëria sot është gjithnjë e më pranë Europës. “Me siguri 23 vjet janë një fjalë goje, por janë edhe një pjesë jete. Shumë shpresa shumë dëshira shumë përpjekje shumë përplasje, por edhe jo pak rigjetje si kjo e sotmja. Këto 23 vjet janë edhe shumë ëndrra, ëndrra e atij dhjetori “E duam Shqipërinë si gjithë Europa dhe “Liri demokraci”, sot e gjithë ditën mbeten sfida për të gjithë ne. Është forca e atyre ëndrrave që e sjell Shqipërinë gjithmonë e më pranë Europës”, – deklaroi Rama

PD në festën e Rinisë

Partia Demokratike ka organizuar dje, një koncert në pallatin e sportit “Asllan Rusi” për të festuar 23-vjetorin e themelimit të saj  dhe 23-vjetorin e pluralizmit politik në Shqipëri, nën moton “Festojmë lirinë”. Në fjalën e tij, kreu demokrat, Lulzim Basha tha:

Sot është dita e Rinisë dhe lirisë për shqiptarët deklaroi Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha gjatë fjalës që mbajtur në koncertin “Festojmë lirinë”. “Sot është dita juaj në kalendarin e festave zyrtare të festave zyrtare të Shqipërisë. Sot është dita jote rini. Në dritën e dëshmive të asaj nate që depërtuan terrin arritën të çajnë bllokimin e shumëfishte të censurës kujtojmë sot daljen e vrullshme të studentëve duke thirrur njëri-tjetrin. Shpërthimin për herë të parë në gjuhën shqipe të fjalëve liri, demokraci. Nisjen pa komandë të atyre djemve dhe vajzave. Nisje kuptimplotë, nisjen që tregonte drejtimin e ri dhe e epokën e re të shqiptarëve”,- u shpreh Basha.

Erion Kristo: 8 dhjetori dhe Sigurimi i Shtetit

 Sot është dita më e madhe e mashtrimit në historinë tonë, gjoja dita e demokracisë, gjoja dita e studentëve. Gjithçka qe planifikuar me kujdes nga regjimi, ishte pikërisht Sigurimi i Shtetit që po planifikonte ndryshimin e sistemit. Kjo duket të pardesytë e bardha. A nuk ju duket qesharake, që Sigurimi i Shtetit, që u tall në “Radiolojë” me CIA-n amerikane, që gjatë dekadave të komunizmit nuk i ndodhi asgjë që s’e kishte nën kontroll, të linte pa projektim ardhmërinë demokratike? Që të bindeni, shikoni pse në dy dekada është e njëjta klasë politike, ku në gjithë botën ka pasur përmbysje. Shikoni se si riciklohen figurat e degjeneruara të politikës dhe hajdutërisë, e mbi të gjitha, shikoni ligjin 7501, drejtësinë e kryekorruptuar. Pse vjedhin këta? Sepse e dinë që nuk ka forcë në botë t’i ndalë. Këta vjedhin me leje. Kjo është shenjë projektimi. Po s’jeni dakord me mua, duhet të jeni dakord me studimet e bëra në Bullgari dhe Rumani, ku ka qenë e njëjta skemë, megjithatë, ju ta gëzoni festën, se demokracia do vijë përsëri tek ne, ndoshta më 8 dhjetor, ose dhe 8 nëntor, po që do vijë, do vijë…

Sabit Brokaj: Si u manipulua lëvizja studentore

 Unë kam menduar gjithmonë dhe vazhdoj të mendoj se kjo lëvizje studentore, si edhe themelimi i Partisë Demokratike, apo vendosja e pluralizmit, ishin vepër e dorës së Ramiz Alisë. Këtë operacion historik e ka iniciuar ish -Presidenti Alia, i cili disa herë ka përmendur shkarazi faktin se ai ka dërguar Berishën tek studentët. Por unë mund t’ju them këtu se në themelimin, apo në fillimin e Partisë Demokratike Ramiz Alia ka aktivizuar një numër shumë të madh spiunësh të Sigurimit të Shtetit, me misionin përkatës brenda kësaj partie. Me këtë veprim Alia donte nga njëra anë të lahej me kërkesat e ndërkombëtarëve për pluralizmin dhe nga ana tjetër të kishte plotësisht nën kontroll opozitën shqiptare, pra Partinë Demokratike. Por sipas modelit të PD-së, Ramizi inicioi në atë kohë edhe themelimin e disa partive të tjera, me ish -komunistë të thekur, apo me agjentë të Sigurimit të Shtetit. Këtë e bazoj tek numri i shumtë i spiunëve që militonin dhe militojnë akoma brenda Partisë Demokratike. Disa prej tyre populli i thjeshtë i njeh me emra dhe me pseudonime, por disa të tjerë, ende nuk janë bërë publikë. Sepse hapja e dosjeve sot për sot është një gjë e ndaluar. Pra, prania e shumtë e spiunëve si edhe dyndja e ish- komunistëve më servilë drejt Partisë Demokratike, vërtetojnë faktin se, kjo parti ishte e dyshimtë që në fillim. Madje, për shumë njerëz ishte krejtësisht e qartë se kjo parti në thelb ishte një parti e Sigurimit të Shtetit.

 …

Aleksandër Meksi: Lëvizja studentore u keqpërdor

 Zoti Meksi, ku janë sot liderët e dhjetorit të vitit 1990?

Atë gjejeni juve. Unë kam kohë që nuk i shoh dhe gjithmonë e më tepër ndihem i panjohur mes atyre që shfaqen sikur përfaqësojnë lëvizjen e dhjetorit të vitit 1990.

 Çfarë ndodhi konkretisht, në 8 dhjetorin e vitit 1990?

 Ajo natë e ftohtë dhe e errët u kthye në një pishtar për Shqipërinë, por më vonë u keqpërdor.

 A mendoni se kjo lëvizje u keqpërdor nga spiunët apo misionarët e Ramiz Alisë?

 Pikërisht, ata ndikuan ndjeshëm në keqpërdorimin e protestës.

 Ku ishit në ditën e 12 dhjetorit, gjatë themelimit të PD-së?

 Ajo ditë ishte vazhdim i ngjarjeve që kishin nisur më 8 dhjetor, në Qytetin Studenti, por që më pas kishin përfshirë të gjithë Shqipërinë. Kështu në 12 dhjetor në orën 8:30, unë kisha lënë takim me Gramoz Pashkon. Aty ai më njohu edhe me dy të rinj. Njeri ishte Azem Hajdari dhe tjetri Arben Imami. Më vonë erdhën edhe të tjerë, si Mond Budina, Genc Ruli, Eduard Selami, Sali Berisha dhe mbaj mend edhe një studente, që quhej Moza dhe ishte nga Vlora. Pastaj erdhën edhe të tjerë dhe ne nisëm të shkruajmë programin minimal të partisë që u lexua në mitingun e pasdites.

Flet Mimoza Ferraj, ish -studente e Dhjetorit dhe e grevës së urisë

 Shqipëria, 23 vjet pas protestave studentore për ta bërë si e gjithë Europa

 Në bashkëbisedimin e djeshëm me ish- studenten e dhjetorit 1990, ajo e nisi kështu prologun e mesazheve të saj: Po e filloj përgjigjen e intervistës suaj me vargjet e poetit vlonjat Eduart Pasha Vlonjati: “Kthetrat e kohës së vjetër, ngulur thellë pas shpine. Mes ditësh humbet malli i strukur, mbi copëza kujtimesh”. Këtë gjë jua lë bashkatdhetarëve të mi që ta gjykojnë. Para disa kohësh në bisedë me një përfaqësues klerik të njohur nga Izraeli, i bëra një pyetje se pse populli i tyre duhet të vuante kaq shumë, pasi tashmë populli shqiptar po vuan njësoj si ju në kohët e luftërave botërore. Por, ndërsa ju e keni kaluar këtë vështirësi së bashku dhe të bashkuar kudo në botë, ne shqiptarët jemi të ndarë dhe duke persekutuar veten tonë me ndasitë shumë të mëdha që kemi dhe me absurditetin tjetër se, “duam të bashkohemi një komb”. Më pas thënia e tij rreth bisedës tonë ishte: “Çfarë di nuk ka rëndësi, çfarë mëson dhe çfarë do të mësosh ka rëndësi”. Kjo ishte pjesa e hyrjes së bisedës sonë, për intervistën që po paraqesim para lexuesve.

Çfarë është për ju 8 dhjetori i 1990-s, si nisi protesta dhe ku ishit ju atë ditë?

– Atë që unë di nga 8 Dhjetori i ‘90-s, është fakti se është zbatuar 100 % Katovica edhe në Shqipëri. Arkitekti dhe zbatuesi i saj ka qenë Ramiz Alia me kastën e re politike që ai kishte pagëzuar dhe kishte bërë gati duke përfshirë në të një pjesë prej studentëve, pedagogëve dhe intelektualëve që ai kishte përzgjedhur me kujdes. Kjo kastë e re politike ishte programuar jo me afat të shkurtër, por për disa pesëvjeçarë deri në realizimin e plotë të planit të Katovicës.

 Si nisi greva e studenteve dhe a mendoni që kjo sakrificë ishte pikënisja e dorëheqjes së buroistëve?

– Përfaqësia në takimin e studentëve u mundua të ishte e gjitha nga përzgjedhja e tij, por në atë takim shkuan edhe studentë të tjerë ndër të cilët isha edhe unë pjesë e tyre. Në protestë kishte edhe provokatorë edhe pjesë e strukturave të qeverisë komuniste, të cilët nuk i bënë dot përballje dhe rezistencë uraganit studentor dhe atij popullor të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë që erdhi më pas.

Ju kërkuat heqjen e emrit të Enverit nga universiteti, por sot, pas 23 vitesh ka filluar të lartësohet portreti i Enverit. Sipas jush pse vjen një gjë e tillë; nga dashuria për diktatorin, apo zhgënjimi për këto forca politike?

– Më shumë kjo rrjedh nga zhgënjimi prej forcave politike, pasi kthimi i diktatorit ka mbetur vetëm një relike dhe nostalgji për ish- Komunistët e pastër dhe të sinqertë të papërlyer me pushtet, të cilët kanë akoma nostalgji për sistemin dhe ish -idhullin e tyre.

Si do e konsideroni faktin që asnjë prej nismëtareve studentë të Dhjetorit nuk janë në jetën politike, madje konsiderohen si “reaksionarë” të sistemit? Madje, sot në botë ambasadorët e rinj dhe ata të kohës së Berishës janë funksionar ose pinjollë të komunizmit?

– Disa janë eliminuar fizikisht, disa ishin pjesë e klanit të Ramizit dhe planit të Katovicës, të cilët i eliminoi koha. Ata që kanë qenë të palëkundur nga idealet e Dhjetorit, duke qenë se nuk e gjetën veten te idealet e tyre dhe të mposhtur nga personat e zgjedhur prej Ramizit dhe byrosë politike, u larguan jo vetëm fizikisht nga Shqipëria, por edhe politikisht prej pushtetit të ri dhe kastës së re politike që u krijua.

Luftuat për pronat, por ato nuk u morën, kërkuat drejtësi, por kjo sipas raporteve ndërkombëtare dhe sidomos të USA janë më të korruptuara. Si e komentoni këtë?

– Pikërisht kjo është një arsye më tepër që unë theksova më lart kur thashë se u zbatua Katovica në Shqipëri, duke instaluar jo vetëm pushtetin politik, por edhe atë ekonomik me klasën e re kapitaliste që lindi nga vetë ish Byroistë, Sekretarët e pare dhe Komunistët në udhëheqje. Ky proces, madje, është shtrirë shumë keq sidomos në sistemin e drejtësisë, ku në gjyqësor dhe prokurori mbizotërojnë pikërisht kjo klasë dhe kastë politike.

A është humbja e PD-së në 23 Qershor si ajo e marsit ’91 dhe kush është shkaku i vërtetë?

– Kalbëzimi deri në palcë që e çoi qeverisja e partive gjatë gjithë sistemit të qeverisjes në nivel qendror dhe atë lokal. Korrupsioni në nivele tmerruese në drejtësi, administratë, largimi nga baza dhe sidomos idealet e vetë shtresës që përfaqësonte e djathta dhe e majta. Një ndikim shumë të madh pati edhe “shitja” që iu bë pasurisë kombëtare dhe deri edhe në meritoret e saj. Përveç sa thamë më sipër edhe pushteti të konsumon dhe gjithmonë populli do rotacionin dhe një qeverisje më të mirë. Mirëpo, sot votuesit shqiptarë nuk dinë se me kë të martohen dhe me kë të divorcohen me gjithë këto pasiguri që krijohen nga njëra qeverisje në tjetrën, pasi kurdoherë klasa politike ka parë vetëm interesin e saj dhe aspak të popullit.

Liderët e sotëm janë unikal në Europë dhe po ngjajnë me Byroistët e Diktaturës pasi u bënë 24 vite në pushtet. Si mendoni ju?

– Kjo pasi të gjithë politikanët e të gjitha krahëve janë pjellë e sistemit Komunist të trashëguar dhe nuk duan ta lënë pushtetin e tyre të trashëguar prej etërve të tyre, por e ndajnë me rotacion mes veti.

E fundit, ju studentët ishit kundër privilegjeve të Bllokmenëve dhe PD në fillim u morën edhe me kafet e Nexhmijes ndërsa sot, grabitjet, vilat, milionat e udhëtimeve me avion dhe hotele luksoze janë tmerrësisht të paimagjinueshme. Cili është mendimi juaj?

– Normal as që e kanë me gjithë mend që të merren seriozisht me njëri-tjetrin. Për sa i përket thelave që ata marrin gjatë çdo qeverisje të radhës që ata votohen nga populli, por secila palë kur vjen në pushtet gjen forma e mënyra se si do të vjedhë e rrjepë deri në palcë pasuritë kombëtare dhe popullin që e voton. Mendoj se edhe në këtë pikë është zbatuar pikë për pikë Katovica. Mbetemi me shpresë që kjo gjë të marrë fund një herë e mirë dhe të vihen para përgjegjësisë të gjithë politikanët që kanë grabitur deri në palcë këtë popull.

 Partizan Myftari: “8 Dhjetori” si “8 Nëntori”

Të mos e zgjatim shumë! Shpesh më duket si 8 Nëntor i motivuar prej njerëzve të etur për pushtet edhe sot dhe që nuk ka asgjë të bej me njeriun e lirë në mendime për një shoqëri me vlera. Rrjedhimisht një ditë e zakonshme pa Rilindje Individuale e Sociale. Përmbysje palësh, rregullime hesapesh, qepje jorganësh të vjetër me copëra të reja “demokratike” që nuk kanë qenë kurrë të tillë. Shkurt: Tufë njerëzish që turren për pushtet e për para.