8 Dhjetori i Demokracisë tonë, i ndan sërish politikisht shqiptarët. Gjysma në protesta, të tjerë sabotues, si në 1990!

646
Sot, më 8 Dhjetor 2015, është 25 vjetori i ditës së parë të protestave antikomuniste dhe fillimi i një epoke të re historike për popullin shqiptar. 8 Dhjetori i 1990, u gdhi me protestat e studentëve kundër regjimit diktatorial komunist 46 vjeçar dhe rinia studentore, në protestën e parë antikomuniste, vrau frikën dhe kërkoi publikisht të drejtën e fjalës, demokracinë! Pas 25 vjetëve, nga 8 Dhjetori i 1990, gjysma e shqiptarëve do të protestojnë sërish, si atë ditë, kundër varfërisë, keqqeverisjes, me kërkesa thuajse të ngjashme me ato të 8 Dhjetorit 1990, ndërsa gjysma tjetër, do të përpiqen që ta sabotojnë protestën, për të ruajtur statukuonë e pushtetit, (keq)qeverisjen. Në këto 25 vjetët, pas përmbysjes së pushtetit diktatorial të komunizmit, Shqipëria shumë pak ka përparuar në integrimin e saj demokratik, shumë pak është realizuar ajo dëshirë dhe ëndërr e shqiptarëve, që buçoi për herë të parë në 8 Dhjetor 1990, që edhe Shqipëria të bëhet si Europa. Sot, në 8 Dhjetor 2015 Shqipëria është i vetmi shtet i bllokut komunist që nuk është bërë anëtarë i Bashkimit Europian, madje Shqipëria është i vetmi vend, që ende nuk mund të fillojë negociatat për pranimin e saj në BE, pasi gjatë 2015 nuk plotësoi asnjë nga 5 kushtet që BE i ka vënë Shqipërisë, duke dëshmuar që demokracia jonë në këto 25 vjet është e mbërthyer në një stanjiacion tranzitor, ku korrupsioni, krimi i organizuar, mosrespektimi i të drejtave të Njeriut, prona private janë çështje themelore që ende nuk janë zgjidhur në Shqipëri. Ndaj edhe këto do të jenë motivi i protestës së sotme. Por 8 Dhjetori nuk duhet të ishte i ndarë, i partizuar në parcelat e interesave partiake. Qeveria duhet të kishte organizuar një agjendë zyrtare, sepse 8 Dhjetori, është Dita e Demokracisë për Shqiptarët dhe nuk i përket asnjë partie. 8 Dhjetori duhet t’i bashkojë shqiptarët në Ditën e Demokracisë dhe jo t’i ndajë në kundërshtarë politikë. Ndarja e shqiptarëve edhe në 8 Dhjetor, dëshmon sa e brishtë është demokracia jonë, që është në fazën e saj foshnjore. 8 Dhjetori nuk duhet të jetë dita e revansheve politike të asnjë force politike për të marrë pushtetin, apo për të mbajtur pushtetin. 8 Dhjetori i përket çdo shqiptari, i cili në këtë ditë duhet të krahasojë sa të drejta demokratike ka fituar dhe sat ë drejta demokratike gëzon, si individ dhe si shoqëri. Sepse në 25 vjet, të paktët, që përfituan nga 8 Dhjetori shijuan pushtetin, ndërsa të shumtët nuk kanë shijuar ende lirinë demokratike. Qeveria organizoi ‘Natën e Bardhë’, ku shpenzoi nga taksat e popullit miliona lekë për koncerte, ndërsa tani për Ditën e Demokracisë, hesht. Bota mbarë feston me madhështi Rënien e Murit të Berlinit, ndërsa 8 Dhjetori, që është Dita e Rënies së Murit të Berlinit Shqiptar shpërfillet, përçmohet. Kjo shpërfillje zyrtare e 8 Dhjetorit dëshmon edhe hipokrizinë e pushtetit, për gjoja proceset demokratike dhe integruese të Shqipërisë, për të cilat zotohet se angazhohet. Mbi 200 protestues do të vazhdojnë protestat e tyre, përtej ditës së sotme, do të jenë aty, në shesh për të protestuar papushim, do të kenë më vete batanije, sikurse studentët e 8 Dhjetorit 1990, do të ndezin edhe zjarre, të ngrohen dhe do të presin ditën tjetër të protestës, sikurse studentët që protestuan me ditë të tëra. 
Sali Berisha: Revolucioni demokratik po marshon drejt Tiranës
Revolucioni demokratik po marshon drejt Tiranës! Dhe pak orë na ndajnë nga ora e shumëpritur. Banditëve në pushtet po iu dridhet shpirti i tyre i zi dhe leqet e këmbëve! Rama thuhet se po ja mbath me disa prej mëkatarëve kryesorë dhe me të vetët. Qeveria e shndërruar në organizatë kriminale organizon antispot dhe antimiting, njëlloj si Ramiz Alia në vitin 1990. Hajdutët e shtetit kanë shpërndarë me mijëra emaile dhe kanë bërë qindra telefonata bizneseve, punonjësve të administratës, nxënësve, studentëve, me kërcënime për gjoba, pushime nga puna, etj, etj. Asgjë nuk e shpëton regjimin e bandave nga zemërimi mbarëpopullor.
Dr. Halim Kosova: 8 Dhjetori shënon rrëzimin e Murit mes diktaturës dhe demokracisë
8 Dhjetori është një ditë e shënuar dhe një ditëhomazhi për të gjithë shqiptarët, të cilët sakrifikuan, u internuan, u burgosën dhe u pushkatuan për t’u vrarë Fjalën e Lirë! 8 Dhjetori shënon rrëzimin e Murit mes diktaturës dhe demokracisë dhe kjo ditë duhet të jetë sot dhe mot një festë kombëtare për të gjithë shqiptarëtr, brenda dhe jashtë Shqipërisë. 8 Dhjetori duhet të bashkojë shqiptarët pa dallime politike, besimeve fetare, bindjeve dhe ideve, pasi qëllimi kryesor i të të gjithëve neve, shqiptarëve është përparimi i Kombit shqiptar, Uniteti dhe dalja nga varfëria, çlirimi nga krimi dhe korrupsioni. 
Bujar Nishani: 25 vjetori i rënies së sistemit komunist dhe hyrjes në liri, të celebrohej në mënyrë të organizuar shtetërore
Viti 2015 përkon me 25 vjetorin e rënies së regjimit komunist në Shqipëri. Thirrja simbol ishte ‘liri, demokraci’ në atë kohë. Demokracia ende mbetet një sfidë shumë e madhe e shoqërisë për t’u ndërtuar, si një përvjetor domethënës në kuptimin historik, por më shumë përmbajtjesor…Gjykova si një obligim institucional që edhe në Shqipëri, që ishte vendi që e përvuajti në mënyrë ekstreme sistemin e regjimit totalitar, ishte vendi që doli më i fundit nga ky kalvar i gjatë vuajtjesh, persekutimesh, t’i jepnim dhe ne dimensionin që meritonte, vlerësimin e figurave dhe refleksioneve të brezit aktual për më tutje. Ishte e denjë për shoqërinë shqiptare që 25 vjetori i rënies së sistemit komunist dhe hyrjes në liri të celebrohej në mënyrë të organizuar shtetërore, me një platformë të qartë që t’i përmbante të gjitha dimensionet, kujtesën, dënimin e së keqes, vlerësimin e njerëzve antikonformistë, dhe natyrisht refleksionin mbi idealet që e ngritën… Gjithsesi mungesa e një bashkërendimi institucional dhe aktorëve shoqërorë nuk tregon civilizim… Ndaj gjykova për t’i dhënë profilin shtetëror celebrimit të një periudhe shumë të gjatë që kulmojnë me Dhjetorin e 90-ës, të merrja në patronazh dhe të nxisja krijimin e disa veprimtarive modeste, por me një qëllim, për të mos harruar dhe për të transmetuar mosharresën tek ata që duhet ta përçojnë stafetën më tutje, që është brezi i ri. 
Ish-studentët e Dhjetorit 1990
Altin Goxhaj: Nuk protestoj për partitë! Dal për veten, si në 1990!
Nesër në 8 Dhjetorin e vonuar unë s’do dal për partitë! Unë nesër do të dal për vete! Njësoj si në 1990! Këtë herë me batanije në krah, si në 8 Dhjetor 2014!!! Ky është statusi im i një viti më parë! Pikërisht kur PD anuloi protestën e 8 Dhjetorit 2014 dhe gjithë protestat e tjera, pas vizitës së George Soros në zyrat e PD-së (6 Dhjetor 2014)! Ndaj duhet të jemi të gjithë para Kryeministrisë nesër, në 8 Dhjetorin e Vonuar 2015! Që të mos bëjmë gabimin e 8 Dhjetorit të shitur 2014! Që të mos i japim më kohë Ramës që të terrorizojë qytetarët, siç bëri përgjatë një viti, duke përfituar nga tërheqja e shëmtuar e Opozitës nga linja e fortë e protestave, sepse kështu deshi Kolona e Pestë e Soros në PD!!! Dhe qytetarët e paguan me burgje selektive, arrestime selektive, gjoba selektive, shembje shtëpish dhe pronash selektive, mbyllje biznesesh selektive, pushime nga puna selektive… sepse Opozita as nuk frikësonte më dhe as kishte kush ta mbronte popullin opozitar… Mendo, vunë në PD si mbrojtës të popullit një dordolec debil analfabet, atë Pinokun e Neim Qilit, që do të mbronte popullin opozitar nga falangat e Policisë dhe Tatimorëve, të INUK-save dhe Fuksave… dhe populli opozitar u ndje më i pafuqishëm se kurrë, më i braktisur se kurrë, më i friguar se kurrë… Nesër duhet të jetë ndryshe, nëse bëhemi shumë atëherë s’do të ketë më frikë populli,por falangat e qeveriut!!! Ndaj dhe unë nesër do të jem me një batanije në krahë! Për të thirrur mosbindjen civile! Për të mos u shkulur nga sheshi deri në rrëzimin e kësaj qeverie…
Jamarmbër Malltezi: Miqve tanë u themi: “Nëse nuk të ka gënjyer qeveria, mos protesto
Çfarë përfaqëson 8 Dhjetori? 
8 Dhjetori 1990 është ndër ngjarjet më madhore të historisë së Shqipërisë. Ato ditë mbetën periudha më e bukur e jetës sime dhe besoj edhe e shumicës së bashkëmoshatarëve tanë. Shumë breza intelektualësh dhe patriotësh u sakrifikuan pa arritur ta përjetojnë atë datë të madhe. Jemi me fat që i përjetuam dhe falënderojmë Zotin që ishim pjesëmarrës aktivë në anën e duhur të historisë, në anën e të drejtave njerëzore themeltare të shqiptarëve. Ajo ishte mrekullia shqiptare, mrekullia studentore. ndodhi papritmas dhe pa organizim të veçantë. Ngjarjet e Dhjetorit shënjuan fort historinë e Shqipërisë dhe ishin gur kthese për kombin tonë. Ngjarjet e Dhjetorit u shoqëruan me shembjen e idhujve të rremë, besimi në komb, besimi në të ardhmen dhe besimi se mund të bëhemi si gjithë Evropa. 
Pse duhet të protestojmë sërish sot?
Duhet të protestojmë për të mbrojtur liritë dhe të drejtat tona si shoqëri e lirë. Në këto dy vite janë përkeqësuar në mënyrë thelbësore të drejtat me bazë, duke filluar nga e drejta e punës dhe e pronës, dinjiteti njerëzor, etj. Qeveria gënjeu dhe nuk mbajti asnjë nga premtimet që e votuan njerëzit. Premtuan ulje çmimesh, por gënjyen, premtuan ulje të çmimit të energjisë elektrike, por e rritën, premtuan shëndetësi falas, por ndanë qindra milionë euro me Nushët, kafexhinjtë, apo emigrantët me veç 1 punëtor në kompani. U tallën me shqiptarët dhe i dhunuan ne dinjitet, liri dhe të drejta bazë. Është dhunuar deri edhe liria e të shprehurit, pasi qeveria ka blerë thuajse gjithë mediat. Miqve tanë u themi: “Nëse nuk të ka gënjyer qeveria, mos protesto”. Është më therëse se çdo argument tjetër. 
Oerd Bylykbashi: Dhjetëra arsye për të protestuar më 8 Dhjetor
25 vite pas studentëve, duhet të ngrihemi përsëri në protestë më 8 Dhjetor. Qindra mijëra shqiptarë kanë dhjetëra motive për të protestuar. Papunësia, skamja, korrupsioni, krimi, droga, kontrabanda, dhuna e shtetit, luksi i qeveritarëve, taksat, grabitja e pronave, prishja e banesave, energjia, burgu për një kupon, mbyllja e bizneseve me gjoba, kontributet e rritura për profesionistët, etj, janë arsye për të protestuar. Më 8 Dhjetor në sheshin ‘Skënderbej’ në orën 11 eja edhe ti, bashkë me ne!
Albana Vokshi: Zoti Rama, ja pse vajzat dhe gratë nesër do të jenë në vijën e parë të protestës!
Ky ka qenë viti më i trishtë, i sakrificave deri në vetëmohim i grave dhe nënave që janë përballur me varfërinë dhe mjerimin që gjunjëzon. Është gruaja dhe nëna, viktimë e një diskriminimi të thellë të politikave qeveritare, arrogancës qeverisëse, korrupsionit masiv dhe interesave të krimit. Ndaj, në 8 Dhjetor, do të jemi të gjitha bashkë sepse çdo grua, nënë, vajzë e ka një arsye qenësore për të protestuar kundër qeverisë së krizës. Në 8 Dhjetor do të protestojmë për shpresën e humbur dhe dëshpërimin e thellë që solli Rilindja. Në 8 Dhjetor do të protestojmë për varfërinë dhe papunësinë në rritje që po mbyt të tashmen dhe të ardhmen e çdo gruaje. Në 8 Dhjetor do të protestojmë për ato mijëra gra e vajza që u larguan dhunshëm nga vendet e tyre të punës, e për shumë të tjera që u detyruan të paguajnë mijëra euro për ta mbajtur atë. Në 8 Dhjetor do të protestojmë për Brunildën, Melitën e për dhjetëra gra që nuk janë më mes nesh, u vetëvranë dhe hoqën dorë nga jeta, viktima të papërgjegjshmërisë dhe mungesës së humanizmit të kësaj qeverie. Protesta e 8 Dhjetorit do të jetë homazh për këto nëna, për këto gra, për këto jetë të humbura padrejtësisht. Në 8 Dhjetor të gjitha gratë dhe vajzat shqiptare do të jenë të gjitha bashkë në shesh për të mbrojtur familjet e tyre nga skamja, varfëria, padrejtësia, presioni, shantazhi, burgosja, përçmimi, denigrimi, poshtërimi. Në 8 Dhjetor do të jemi të gjitha bashkë për t’i thënë ndal burgosjes së familjarëve tanë, që qeveria i akuzon padrejtësisht për të mbuluar vjedhjen shtetërore në energjetikë, në dogana apo në tatime. Në 8 Dhjetor do protestojmë për çmimet tejet të larta, faturat e papërballueshme të dritave ujit, transportit. Në 8 Dhjetor do protestojmë për mohimin e të drejtës për shërbim shëndetësor, për mohimin e të drejtës së fëmijëve tanë për arsimim dhe edukim. Gratë dhe vajzat nuk mund të heshtin më!
Lisen Bashkurti: 8 Dhjetori 1990 Përvetësimi politik i historisë, korrupsioni me i lartë
Në Ballkan vuajmë nga dy sëmundje: 
-nga historizimi i politikës dhe 
-nga politizimi i historisë. Këto ditë shohim e dëgjojmë përpjekje të drejtpërdrejta dhe tërthore për përvetësimin e historisë, pikërisht 8 Dhjetorin 1990. Ndërkohë, që bëhen përpjekje të zbardhet historia njëqind vjeçare e Shqipërisë, politika demonstron posesivizëm partiak, pushtetor dhe arrivist për deformimin a papranueshëm të së vërtetës së 8 Dhjetorit 1990. Përvetësimi i historisë nga politika është shkalla më e lartë e korrupsionit të saj. Ata, ose ai/ajo që tenton të përvetësojë historinë, nesër pa asnjë lloj dyshimi do të na përvetësojnë edhe jetën shpirtërore e materiale. Përvetësimi i historisë është fundi dështak dhe korruptiv i politikës.
Muharrem Xhafa: Përrallë që Socializmin e përmbysën studentët në 8 dhjetor 1990, por tradhëtia me në krye Ramiz Alinë
Për 8 dhjetorin 1990! Sot do të bëhet në Tiranë një demostratë e organizuar nga PD-ja e ata që i shkojnë pas! Pastaj demostruesit do të shkojnë te shtëpia! Ti kot je shqetësuar, se kurrgjë tjetër nuk do të ndodhë! Sa për pyetjen: A qenë studentët më 8 dhjetor 1990 ata të cilët përmbysën socializmin e pushtetin popullor në Shqipëri, kjo është një përrallë me mbret, e cila ka 25 vjet që tregohet! Se socializmi e pushteti popullor për “grevën, a lëvizjen studentore” do të jetonin edhe 1.000 vjetë të tjera, pa u lëvizur një qime! Se pushteti popullor ishte aq i fuqishëm, sa jo vetëm të mund të neutralizonte e të bllokonte atë “grevë”, duke mos përdorur hiç mbi të forcën e 
dhunës, po edhe të përballonte një ndërhyrje komplekse të huaj ushtarake! Socializmin e përmbysi tradhëtia me në krye Ramiz Alinë nga brenda, në bashkëpunim me faktorin armiqësor të jashtëm euroamerikan!
Sigal