72-vjetori i masakrës greke, Mamo: Çamët nuk zhduken

484
Sigal

Deputeti i PDIU-së, Omer Mamo i kërkon palës greke që të tërheqë deklaratat se çështja çame nuk ekziston, duke theksuar se çamët nuk kanë qenë bashkëpunëtorë me nazistët, por vetë grekët të cilët kanë bashkëpunuar në masakrimin e popullsisë hebreje.

Duke folur në përkujtimoren e 72-vjetorit të masakrës së shtetit grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë, deputeti Mamo theksoi se qëndrimet e ministrit të Jashtëm grek në Tiranë ishin të papranueshme pasi mohonin çështjen çame.

“Ju e patë se si në Tiranë një diplomat babaxhan që pretendon se do të nisë një histori të re në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë, foli njësoj si ata që i kishin duart me gjakun tonë. Këta zotërinj vijnë e na thonë në Tiranë, se çështja Çame nuk ekziston. Këtu nga ky vend ku prehen të parët tanë, unë i them Kotziasit e gjithë Zervistëve se ne ekzistojmë, ne jemi gjallë, ne nuk na zhdukni dot. Ne deri në frymën e fundit do të luftojmë për të drejtën tonë. Këtu në këtë vend zoti Kotzias, nuk ndodhen bashkëpunëtorët e nazizmit. Këtu ndodhen të varrosur gra, fëmijë dhe pleq. Në të gjithë Çamërinë janë ende varret e burrave e djemve që u masakruan vetëm se ishin shqiptarë e flisnin shqip. Historia nuk harron se kush ishin kriminelët e vërtetë të asaj kohe.

Në vijim të fjalës së tij, deputeti i PDIU-së theksoi se shteti grek ka qenë bashkëpunëtor me nazizmin, ku sipas tij, kjo gjë dallohet më së miri në masakrën që i ka bërë popullatës hebreje gjatë Luftës së Dytë Botërore. “Shqiptarët që strehuan e ushqyen çdo të huaj në vështirësi, apo grekët e Zervës që therën gra e fëmijë dhe jo vetëm shqiptarë. Ju e dini se Greqia ishte vendi që masakroi në masë hebrenjtë. Grekët bashkëpunuan hapur me nazizmin për të zhdukur këtë popull që ne shqiptarët e shpëtuam. Këtë gjithë bota e di, dhe asnjë grek nuk mund ta fsheh më turpin që disa politikanë e quajnë veten modern duke thënë se Çështja Çame nuk egziston. Por Çamëria, jo vetëm për ne çamët dhe gjithë shqiptarët, por edhe për vetë shtetin grek, ekziston dhe do të eksitojë në jetë të jetëve. Ne do të kthehemi në tokën tonë sepse po vjen koha jonë. Po vjen koha kur padrejtësia më e madhe në Europën e pas luftës së dytë botërorë të zgjidhet.

Deputeti Mamo u shpreh me bindje se ky është shekulli i shqiptarëve dhe se grekët nuk kanë guxim që të prekin shtëpitë e çamëve të cilat kanë 72 vite të rrënuara. “Zotërinjtë grekë në Athinë e dinë shumë mirë se ka ardhur shekulli i shqiptarëve. Ka ardhur koha jonë si një dallgë që zhduku padrejtësinë e madhe në Kosovë, që i dha forcë dhe jetë shqiptarëve në Maqedoni, në Malin e Zi e në Preshevë. Ka ardhur koha jonë dhe këtë e dinë mirë edhe ata që jetojnë në tokat e të parëve tanë. E dinë mirë edhe ata shqiptarë mirë edhe ata shqiptarë që mbetën në Greqi. Të gjithë e dinë shumë mirë, e kanë ditur prej dekadash. Kjo është arsyeja që ata, grekët nuk kanë guxim të prekin shtëpitë tona. Shumica prej nesh i kemi parë muret shekullorë që janë ende në këmbë, oxhaqet e shtëpive tona të mëdha që qëndrojnë në këmbë edhe pse kanë 72 vite që nuk nxjerrin më tym. Ato shtëpi dhe ata oxhakë na presin ne. Presin nipat dhe mbesat e atyre njerëzve krenarë që të shkojnë e t’i japin jetë gjuhës shqipe sonë, këngëve dhe zakoneve tona.

Në mbyllje të fjalës së tij, deputeti i PDIU-së theksoi se nuk do të jetë e largët dita që marshimi i çamëve do të shkojë deri në Çamëri. “Ne e dimë se vetëm duke qenë një shtet i fortë, do ta ndryshojmë rrotën e historisë për ta zhbërë padrejtësinë që na u bë. Shqiptarët sot kanë dy shtete në Ballkan. Shqiptarët sot kanë arritur ta bindin Serbinë me hir e me pahir se nuk mund ta shkelin e nëpërkëmbin më këtë popull. Do detyrohen të kthejnë tokën e t’i japin nënshtetësinë atyre që kanë jetuar me shekuj në tokat e tyre dhe do të rikthehen atje. Ne do të rikthehemi një ditë. Sot erdhëm deri këtu, por nuk është e largët dita kur do shkojmë të gjithë bashkë në destinacionin tonë final, në Çamëri”,- përfundoi deputeti Mamo.