71-vjetori i çlirimit të Tiranës, Meta: Shqipëria gjithmonë në anën e duhur

422
Është përkujtuar këtë të martë në Tiranë 71-vjetori i çlirimit të qytetit nga pushtuesit nazifashistë dhe bashkëpunëtorët e tyre.
Në nder të të rënëve në këtë luftë, gjatë paradites kreu i Kuvendit Ilir Meta, kryebashkiaku Erion Veliaj, përfaqësues të PS-LSI si dhe veteranë të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare bënë homazhe tek “Ushtari i Panjohur”.
Duke folur për mediat, Meta vlerësoi kontributin e partizanëve dhe partizaneve që derdhën gjakun për liri.
Duke e lidhur me situatën aktuale pas ngjarjeve në Francë, Meta tha se Shqipëria ashtu si dje, do të jetë gjithmonë në anën e forcave përparimtare.
Meta: Shpreh edhe njëherë sot nderimin më të madh edhe në emër të Kuvendit për partizanët dhe partizanet që çliruan Tiranën në 17 nëntor 1944 pas disa javësh beteja të jashtëzakonshme dhe plot sakrifica, pas gjakut të derdhur nga dëshmorë dhe deshmore që ranë për çlirimin e kryeqytetit por njëkohësisht për të shprehur mirënjohjen dhe për gjithë popullin e Tiranës për barrikadat që ngriti kundër pushtuesit dhe në mbështetjes së luftës së partizanëve dhe partizaneve, por mos harrojmë dhe mbështetjen e aleatëve tanë. Mesazhi aktual i çlirimit të Tiranës dhe Shqipërisë ndaj Lëvizjes Nazifashiste përkon sot me një mesah mjaft të rëndësishëm, kontributin që Forcat tona të Armatosura dhe Sigurisë japin në luftën kundër terrorizmit që është e keqja më e madhe me të cilën ballafaqohet sot Shqipëria, NATO, mbarë qytetërimi dhe njerëzimi. Jemi të bindur se në këtë betejë, vendi i Shqipërisë është gjithmonë në krah të forcave përparimtare dhe progresive.
Në të njëjtën linjë ishte dhe kryebashkiaku Veliaj, teksa zbuloi dhe disa nga aktivitetet e Bashkisë së Tiranës për këtë ditë të shënuar.
Veliaj: Mesazhi vjen nga 71 vjet përpara, por është po aq i duhur sot kur sërish duhet të zgjedhim me cilin qytetërim do të përballemi. Ajo gjeneratë zgjodhi që të ishte me forcat më përparimtare. Me ngjarjet e Parisit na kujtohet se duhet të bëjmë zgjedhje çdo ditë. Tirana është në anën e duhur të historisë, sot në anën e Parisit ashtu si dje ishte në anën e një civilizimi që nuk duronte shtypjen dhe barbarinë. Sot do të kemi disa aktivitete në Tiranë, disa vizita tek familjet e dëshmorëve, disa konferenca përkujtimore për ti kujtuar një gjenerate të re që kombi ynë nuk ka ardhur nga hiçi.
Sigal