7 marsi, Kryemadhi: Përtej çdo keqtrajtimi politik, mësuesit po edukojnë brezat e rinj

727
Mesazhi i kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi për ditën e mësuesit, është ndryshe. Në një postim në rrjete sociale, Kryemadhi shkruan se mësuesit e sotëm, përtej çdo pengese dhe keqtrajtimi politik, ”ende kanë durimin dhe dëshirën për të edukuar brezat e rinj, për ata edukatorë që në klasa të tejmbushura gjejnë kohën dhe vullnetin të kujdesen për fëmijët me nevoja speciale”.
Kryetarja e LSI-së e thekson se 7 marsi nuk është ditë për lule apo urimesh nga politikanësh, por ditë që të shërbejë si motivim për tu përballur me problematikat.
”Të luftohet që mësuesit në Shqipëri të kenë paga më të larta dhe kushte më të mira, të jenë larg ndikimit dhe kapriçiove të politikës, për të patur të rinj të formuar sa më mirë”,-shkruan Kryemadhi.
Nga ana tjetër, mesazhit të Kryemadhit nuk i ka munguar as vlerësimi për çdo mësues e çdo edukator, që përtej kufizimeve ekonomike dhe politike po japin dije për brezin e ri.
”Për ata mësues që përveç detyrës, ndihmuan dhe sakrifikuan edhe gjatë diktaturës për të mos bërë dallime mes fëmijëve të të persekutuarve, që u ngritën mbi çdo vështirësi dhe kapërcyen pengesat ideologjike për të qënë modeli i fëmijëve në jetë”,-shkruan më tej kryetarja e LSI-së.
Mesazhi i plotë i Monika Kryemadhit
Një urim i veçante sot për të gjithë mësuesit në Shqipëri, që çdo ditë me përpjekjet e tyre ndihmojnë në arsimimin e gjeneratës së re. Urimet sot u shkojnë dhe mësuesve që janë në pension, ata që në kushte të vështira u përpoqën të ndiznin zjarrin e diturisë te brezat që shkolluan. Kjo ditë është shenjë e respektit tonë për sakrifiçat e çdo edukatori, që përtej kufizimeve ekonomike dhe politike u mundua të sillte dijen për brezin e ri.
Për ata mësues që përveç detyrës, ndihmuan dhe sakrifikuan edhe gjatë diktaturës për të mos bërë dallime mes fëmijëve të të persekutuarve, që u ngritën mbi çdo vështirësi dhe kapërcyen pengesat ideologjike për të qënë modeli i fëmijëve në jetë.
Për mësuesit e sotëm, që përtej çdo pengese dhe keqtrajtimi politik ende kanë durimin dhe dëshirën për të edukuar brezat e rinj, për ata edukatorë që në klasa të tejmbushura gjejnë kohën dhe vullnetin të kujdesen për fëmijët me nevoja speciale.
Sot është dita e tyre dhe lulet nuk mjaftojne për të shprehur mirënjohjen ndaj tyre, madje as një status në Facebook apo urimet e politikanëve.
Të gjithë ne duhet të jemi të ndërgjegjshëm dhe të përgjegjshëm, që një ditë si kjo të shërbejë si motivim që të përpiqemi, përballemi me problematikën dhe të luftojmë që mësuesit në Shqipëri të kenë paga më të larta dhe kushte më të mira, të jenë larg ndikimit dhe kapriçiove të politikës, për të patur të rinj të formuar sa më mirë.
Kjo nuk është vetëm dita e respektit dhe nderimit ndaj tyre, por dhe dita jonë e ndërgjegjësimit për një vëmendje të shtuar ndaj të gjithë mësuesve në Shqipëri.


Sigal