66 parti zene llogoret per “sulmin” e 23 Qershorit

560
Sigal

Marrëveshja PS-LSI, zyrtarizohet “Aleanca për Shqipërinë Europiane”

Kryetari i PS-së, Edi Rama, dhe ai i LSI-së, Ilir Meta, nënshkruan në Shkodër marrëveshjen e koalicionit për zgjedhjet e 23 qershorit 2013. Marrëveshja u firmos në Shkodër, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të lartë të së majtës së Ballkanit. Është zgjedhur ky moment për nënshkrimin e marrëveshjes, përpara drejtuesve më të lartë të socialistëve europianë, në shenjë mirënjohjeje për nxitjen dhe thirrjet në adresë të Ramës dhe Metës për t’u bashkuar. Kjo marrëveshje, që kanë firmat e Ramës dhe Metës, merr formë zyrtare, në një kohë kur regjistrimi i koalicioneve po shkon drejt limiteve kohore, që është data 23 prill. Kjo marrëveshjen e PS-LSI, vlerësohet si një ngjarje historike për të majtën shqiptare, pas shumë vitesh ndarjeje, akuzash  dhe kundërakuzash mes drejtuesve të PS-së dhe LSI-së.

PS dhe LSIkanë refuzuar të zbulojnë paraprakisht detaje të marrëveshjes, përmes së cilës e majta kërkon të maksimalizojë çdo votë drejt qëllimit final, fitimin e zgjedhjeve.  Marrëveshja zyrtare PS-LSI, pjesë e “Aleancës për Shqipërinë Europiane”, u firmos në limitet e regjistrimit të koalicioneve parazgjedhore, afati i fundit është data 23 prill. Meta: “Koalicioni i natyrshëm, solid e afatgjatë”. Rama: “Do t’u kthejmë shqiptarëve të drejtën sovrane të qeverisjes së këtij vendi”.

Rama: Marrëveshja me LSI, perspektivë e re
 Kryesocialisti Edi Rama gjatë konferencës së Partive Socialiste Europiane u shpreh:  “Pas një rrugëtimi të vështirë, por edhe falë mbështetjes e inkurajimit të miqve të PSE, jemi së bashku dy partitë e majta, për të filluar një rrugë të re, dhe për t’i dhënë Shqipërisë një perspektivë të re”, tha Rama, duke vazhduar se: “më pak se 15 vjet ka ndodhur një ndryshim marramendës, për gjithë Ballkanin. Ja ku jemi sot këtu për të treguar që ne njerëzit mund të bëjmë të pamundura në harkun e jetës gjëra që duken të pamundura në shekuj. Ne besojmë tek fuqia e njeriut për të ndryshuar botën dhe tek politika për ta ndryshuar jetën për mirë”, tha ai.  Duke u ndalur edhe njëherë tek marrëveshja me Partinë Lëvizja Socialiste për Integrim, Rama tha se, ajo do t’i kthejë shqiptarëve të drejtën sovrane për të qeverisur. “Ne jemi sot këtu për të firmosur marrëveshjen që do i kthejë shqiptarëve të drejtën sovrane të qeverisjes së këtij vendi. Kemi rënë dakord për një marrëveshje që nis nga një kartë parimesh”, -tha ai.

Meta: Koalicioni me PS i natyrshëm, solid e afatgjatë!
Lideri i LSI-së, Ilir Meta, tha se, kjo marrëveshje do të jetë solide dhe afatgjate. “LSI-ja iu përgjigj pozitivisht ftesës së PS-së për krijimin e një koalicioni paraelektoral. Bashkimi i të majtës dhe i gjithë forcave progresiste është një aksion politik historik, i domosdoshëm, që bashkon dëshirën e qytetarëve shqiptarë për një ndryshim substancial. Zgjedhjet e 23 Qershorit janë një gurë prove për demokracinë dhe të ardhmen, dhe sot e majta ndjen përgjegjësinë dhe detyrën patriotike kombëtare për të hapur një perspektivë të re, e cila mbyll tranzicionin dhe integron shqiptarët në BE. Energjia dhe vizioni ynë i përbashkët do të sjellin një ritëm të ri, me qëllim integrimin e vendit në BE. Kjo aleancë e re bazohet në vlera të njëjta themelore të social-demokratëve dhe progresistëve europianë. Ky është një koalicion i natyrshëm dhe do të jetë solid dhe afatgjatë. Faleminderit për inkurajimin për të lënë pas të shkuarën dhe për t’u bashkuar në interes të Shqipërisë”,- u shpreh Meta. Sipas liderit të LSI-së, Shqipëria gjatë këtyre katër viteve duhet të kishte bërë shumë më tepër rrugë drejt integrimit, por mungesa e bashkëpunimit dhe klima e konfliktit e kanë bërë të pamundur.

Koalicioni PS-LSI, Berisha: “Firmosën epitafin e Rilindjes”

Pak orë pas zyrtarizimit të koalicionit parazgjedhor PS-LSI, kryeministri Berisha ironizoi firmosjen e marrëveshjes, duke e cilësuar si epitaf të rilindjes. Duke folur në një aktivitet të organizuar në Njësinë Bashkiake 4 në Tiranë, në kuadër të Ditës së Tokës, kryeministri Berisha tha: “Ne mbollëm pemë, dhe kjo ndodhi në një ditë, që u firmos epitafi i Rilindjes. Ne mbjellim pemë, ata firmosin epitafin e rilindjes. Ata që ua themeluan partinë, jua rithemeluan përsëri sot”.

PS firmos me PBDNJ koalicionin, ‘Aleanca për Shqipërinë Europiane’

PS-ja ka përfshirë në koalicionin e saj edhe PBDNJ-në e Vangjel Dules. Palët firmosën në selinë e PS-së marrëveshjen e koalicionit. Rama u shpreh se, për marrëdhëniet e PS-së me PBDNJ-në, flet vetë tradita e miqësisë. Rama shtoi se koalicioni do të quhet, “Aleanca për Shqipërinë Europiane”. “Nuk besoj se, ka nevojë për shumë fjalë për afrimitetin bashkëpunimin dhe objektivat afatgjatë të vizionit të një Shqipërie që e kemi tërësisht të përbashkët, si një Shqipëri europiane në raportet tona me Partinë e Bashkimit për të Drejtat e Njeriut, flet tradita e një fqinjësie të mirë, e një marrëdhënie të mirë e mbështetur tek reciprociteti. Jam i kënaqur që me mikun tim Dule të hyjmë së bashkë në koalicionin ‘Aleanca për Shqipërinë Europiane”. Edhe Dule përdori fjalët më të përzgjedhura në bashkëpunimin me PS. Sipas kreut të PBDNJ, ka ardhur koha për rrotacion politik me qëllimin e vetëm, siç tha ai, t’i hapet rruga perspektivës europiane.

AK-ja, i bashkohet koalicionit të PS-së

Deri mbrëmë vonë kanë vazhduar negociatat e AK-së me PS-në për mundësinë e bashkëpunimit të tyre në një koalicion parazgjedhor. Megjithëse kanë kohë që këto negociata vazhdojnë, problemi kryesor, sipas pohimeve të sekretarit të Përgjithshëm të AK-së, Myslim Pashaj, pohuar për “Telegraf”, mbrëmë në orët e vona, ishte me raportet e marrëdhënieve që do të kishtëzonin këtë marrëveshje. Sipas zotit Pashaj, AK-ja kërkon nga PS-ja që të trajtohet si partner i barabartë, dhe jo si një “liliput”, apo një i vogël, që shton thjesht një numër në listat e aleatëve të koalicionit. Por, edhe ky problem u kapërcye dhe sot përfundimisht zyrtarizohet edhe marrëveshja e bashkëpunimit PS-AK.

FRD-ja do të kandidojë e pavarur në zgjedhjet e 23 Qershorit

Kreu i FRD-së Bamir Topi zhvilloi dje  një takim me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksandër Arvizin, me të cilin ka biseduar për situatën politike.
Pas takimit, Bamir Topi ka bërë me dije se FRD-ja presë të vendosë deri sot për koalicionin parazgjedhor. Mirëpo, burimet e mirinformuara të “Telegraf”, pranë FRD-së, bënë  me dije, mbrëmë vonë, se, përfundimisht, FRD-ja do të kandidojë e vetme në zgjedhjet e 23 Qershorit dhe pas zgjedhjeve, në bazë të rezultatit zgjedhor, do të vendoset nëse do të pranojë të bëjë marrëveshje paszgjedhore, apo do të vazhdojë më vete. Kohë më parë, kryetari i FRD-së, Bamir Topi, është shprehur se FRD-ja, edhe mund të bashkohet në një koalicion paszgjedhor me PD-në pa Berishën dhe berishianizmin.

Koalicionet, PD: “Të hapur për negociata me çdo parti të djathtë e të qendrës”

Sot përfundon afati i regjistrimit të koalicioneve në KQZ, ndaj dje PD-ja ka vijuar takimet me krerë të partive të vogla, në kuadër të aleancës parazgjedhore për zgjedhjet e 23 Qershorit. Në selinë e PD-së erdhën  kreu i Lëvizjes së Legalitetit, Ekrem Spahia, Lufter Xhuveli i Partisë Agrare Ambientaliste, Adriatik Alimadhi i Ballit Kombëtar dhe kreu i Lëvizjes Shqipëria e Re, Edmond Vlashaj. Ata janë pritur nga i mandatuari për negociatat e koalicionit, Oerd Bylykbashi. Partitë me të cilat dje është arritur marrëveshja janë BLD-ja e Arjan Starovës, Aleanca Demokratike e Arben Demetit, PBKD-ja e Artur Roshit dhe Agraro- Ambientalistët e Xhuvelit. Baza e marrëveshjeve parazgjedhore është premtimi për bashkëqeverisje, si në tetë vitet e kaluara, e bazuar në votat që secila prej partive ka mara. Burime zyrtare nga selia blu  bëjnë me dije se pjesë kryesore e koalicionit për këto zgjedhje do të jenë partitë me të cilat PD-ja fitoi në zgjedhjet lokale të dy viteve më parë. Në krahasim me listën e 2011-s, dy parti nuk janë më në koalicionin e djathtë për shkak se kanë zgjedhur opozitën, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia e Personave me Aftësi të Kufizuara. Ndërkohë, që dy prurjet kryesore të koalicionit që do të drejtohet nga PD-ja, janë Lëvizja për Zhvillim Kombëtar dhe Partia Demokristiane. Lëvizja e Dashamir Shehit në zgjedhjet e 2009-s mori 10 mijë vota, ndërsa në ato lokale 21 mijë vota, shumicën e të cilave ajo e ka në Tiranë. Ardhja e LZHK-së në koalicionin e djathtë minimizon deri diku rrjedhjet që mund të vijnë nga FRD-ja dhe që rrezikojnë mandatin e 16-të të PD-së. Ndërsa Partia Demokristiane e Nard Ndokës në 2009-n mori 13 mijë vota, kurse dy vjet më parë, në koalicion me PS-në, 47 mijë vota. Kalimi i PDK-së djathtas pritet të shtojë votat e koalicionit, veçanërisht në Shkodër dhe Lezhë, megjithëse marrja e një mandati më shumë në këto dy qarqe është i vështirë për shkak të numrit të madh të votave që kërkohen. Gjatë javëve të fundit është përfolur mundësia që Ndoka të jetë pjesë e listës së PD-së në qarkun e Shkodrës, ndërkohë që negociatat e këtyre ditëve do ta përcaktojnë këtë marrëveshje mes PD-së dhe PDK-së. Përveç këtyre dy partive, pjesë të rëndësishme në koalicion do të kenë edhe republikanët, legalistët, ballistët, si dhe partitë e Xhuvelit e Starovës, të cilët kanë qenë të përfaqësuar edhe në qeverisjen e vendit. Burimet flasin se nga 67 parti që janë regjistruar në KQZ, do të negociohet me të gjitha ato forca që janë të qendrës dhe qendrës së djathtë, me qëllim krijimin e një koalicioni më të madh se të dy viteve më parë, kur numëroheshin 22 parti.

 LSIrrezikon të humbasë komisionerët, Mediu kërkon anëtarë në KZAZ, KQV dhe GNV

 Ngërçi politik për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve pritet të thellohet ditën e sotme. Ky institucion parashikon të mblidhet për të diskutuar rendin e ditës me pesë pika. Një prej tyre është shqyrtimi i projekt vendimit për shqyrtimin e kërkesë së PR-së për caktimin e kësaj force si parti që ka të drejtë të paraqesë propozime për anëtar të Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor, Komisioneve të Qendrave të Votimit në rang vendi dhe të marrë pjesë në shortin për propozimin e anëtarit të Grupeve të Numërimit të Votave. Një hap i tillë synon që të kryejë zëvendësimin tanimë edhe në nivelet e ulëta të komisioneve të përfaqësuesve të Lëvizjes Socialiste për Integrim me ato të Partisë Republikane.

KARTA E PARIMEVE TË BASHKIMIT PS – LSI

në kuadrin e

“ALEANCES PER SHQIPERINE EUROPIANE”

 Vendosin:

Të bashkohen në kuadrin e koalicionit

“Aleanca për Shqipërinë Europiane”

PS-ja dheLSI-ja bien dakord që ky bashkim të jetësojë sa më poshtë vijon:

1. Një bashkëpunim strategjik, programor dhe politik, bazuar në domosdoshmërinë e realizimit të objektivave afatgjatë dhe në nevojën e bashkëveprimit konstant mes PS e LSI, për të ndërtuar Shqipërinë Europiane si realitet i ri i në të ardhmen e afërt i Bashkimit Europian, përmes mirëqeverisjes së punëve të vendit çdo ditë;

2. Një zhvillim konstruktiv të bashkëpunimit mes PS e LSI, mbi parimet e kushtetuetshmërisë e të ligjshmërisë, respektit të të gjithë faktorëve institucionalë, politikë e shoqërorë, garantimit të lirive e të drejtave të opozitës dhe kërkimit të konsensusit sa më të gjerë në procesin vendimmarrës, përmes gjithëpërfshirjes e vendosjes së prioriteteve të procesit të ndërtimit të Shqipërisë Europiane mbi çdo prioritet partiak.

3. Një vullnet të palëkundur për të garantuar kohezion të brendshëm të koalicionit dhe konsensus për mirëqeverisjen, në funksion të reformave të dakordësuara bashkërisht, të emërimeve që janë përgjegjësi kushtetuese e Kuvendit për të garantuar pavarësinë e institucioneve, të depolitizimit dhe modernizimit të administratës publike përmes konkurrencës e meritës.

4. Një qasje të re publike të shumicës qoftë në parlament e qoftë në qeveri, për të garantuar mbi bazën e një Kodi Etik që do të hartojmë e miratojmë bashkërisht, shprehjen e respektit më të madh për opinionin publik dhe rritjen e transparencës ne qeverisje në një shkallë të panjohur deri më sot.

5. Një ndarje të re të punëve mes legjislativit dhe ekzekutivit, duke i dhënë një vlerë të re mandatit të popullit Sovran qoftë në pushtetin legjislativ qoftë në pushtetin ekzekutiv, me qëllim që kontrolli parlamentar të marrë vlerën e munguar në këto dy dekada dhe përgjegjësia qeverisëse të fitojë një cilësi të re.

6. Një pozicionim të qartë në mbrojtjen e shtresave të nevojë dhe në mbështetjen e shtresës së mesme, përmes uljes së barrës së detyrimeve apo taksave të drejtpërdrejta si edhe nxitjes së integrimit social përmes punës dhe rritjes së fuqisë blerëse.

7. Një politikë vijimësisht mbështetëse për biznesin e vogël, për të rritur vetëpunësimin dhe fuqinë ekonomike të familjeve që merren me biznes të vogël si edhe për të filluar uljen e borxheve të familjeve të varfra ndaj biznesit të vogël.

8. Një garanci të plotë për lirinë e biznesit të madh për të stimuluar një ekonomi prodhuese duke mbrojtur lirinë e konkurrencës, duke e trajtuar punësimin si objektiv themelor të rritjes ekonomike, duke rritur përgjegjshmërinë e shtetit në raport me çdo potencial zhvillim dhe investitor vendas apo të huaj, si edhe duke rritur transparencën e cilësinë e marrëdhënieve mes qeverisë e sipërmarrjes në funksion të interesit madhor të zhvillimit ekonomik e social të vendit – çka për ne do të thotë përfshirje e sipërmarrjes në çdo vendimmarrje të rëndësishme për të dhe luftë pa kompromis arbitraritetit të organeve tatimore ndaj sipërmarrjes.

9. Një angazhim të fuqishëm për zgjidhjen e çështjes së pronës, duke siguruar transparencën e domosdoshme të procesit të kthim-kompensimit të pronave në funksion të së drejtës së mohuar të pronarëve që pas dy dekadash liri janë ende shumë që nuk gëzojnë asnjë të drejtë mbi pronën e tyre. Duke siguruar përmes një procesi të mirëorganizuar e transparent dhënien e certifikatës së tokës për të gjithë fermerët që prej dy dekadash punojnë një tokë që e kanë de facto po nuk e gëzojnë de jure. Duke realizuar me transparencë procesin e zvarritur të legalizimeve që në dy dekada ka sjellë vetëm rritjen e numrit të ndërtimeve pa leje dhe shkatërrime të mëdha të territorit.

10. Një trajtim me prioritet të sigurisë publike dhe të garantimit të paprekshmërisë së individit e të pronës, duke i shpallur një luftë të pashoqe krimit të çdo natyre dhe korrupsionit. Në këtë kontekst e shohim të pandashme edhe sigurinë juridike për çdo qytetar, në mënyrë të barabartë, eficente dhe të përgjegjshme duke organizuar drejtësinë si një shërbim publik të sigurt e të aksesueshëm nga te gjithë sipas nevojës. Për ne një Shqipëri e drejtë me të gjithë fillon nga mirëqeverisja për të gjithë.

11. Një politikë të re për rininë shqiptare si kontributore e pazëvendësueshme për projektin e Shqipërisë Europiane dhe integrimin e vendit ne Bashkimin Europian. Kjo vetëkupton arsimimin e një brezi me mentalitet dhe profesionalizëm europian, krijimin e mundësive reale për punësim, si dhe çdo kontribut tjetër për të përballuar sfidën e lirisë në mjedisin e një ekonomie gjithnjë e më globale.

12. Një vëmendje të posaçme ndaj barazisë gjinore duke synuar rritjen e vazhdueshme të pjesëmarrjes së gruas në përfaqësimin e popullit Sovran në nivel qendror e vendor, në mirëqeverisjen e punëve të vendit apo komunitetit në administratën publike, në biznes apo shoqërinë civile. Aleanca për Shqipërinë europiane do të ketë objektiv të palëvizshëm të përpjekjes së saj zhdukjen e dhunës kundër gruas si edhe luftën kundër papunësisë femërore.

13. Një vendosmëri të palëkundur për të mbrojtur pasuritë natyrore të vendit, burimet nëntokësore, trashëgiminë kulturore, përmes politikash zhvillimi me një përmasë të gjelbër në kuadrin e një zhvillimi ekonomik të qëndrueshëm.

14. Një vizion europianizues që të lerë pas përgjithmonë fantazmën e nacionalizmit primitiv e të promovojë atdhedashurinë si shprehje të krenarisë kombëtare dhe të respektit për historinë si burim frymëzimi për të ardhmen, jo si gjenerator dasish e konfliktesh të së shkuarës.

15. Një objektiv madhor: Anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian brenda harkut të dy mandateve qeverisëse, ku të bashkuar në emër të shumicës së shqiptarëve dhe me dorën e bashkëpunimit të shtrirë ndaj përfaqësuesve të pakicës në emër të Shqipërisë europiane, do t’i shërbejmë besnikërisht popullit shqiptar.