6 Marsi, afati i fundit për një marrëveshje politike që garanton Vetingun

108
Sa më shumë ditë kalojnë, aq më e qartë bëhet se muzika në çadrën e protestës dhe bojkoti i deputetëve të PD po shton presionin ndaj qeverisë për afatet e vetingut. Tërheqja e deputetëve të opozitës nga komisionet parlamentare ka lënë pezull një proces për të cilin investimi është 4-vjeçar.

Dilema është nëse Vetingu do të nisë këtë muaj apo jo? Dy kushtet e Lulzim Bashës janë qeveri teknike dhe rishikim të 7 ligjeve që u miratuan në mënyrë të njëanshme nga mazhoranca. Rama tha se kushtet e Bashës ishin “qiqra në hell”, duke larguar palët nga njëra tjetra. Ndërkohë afatet ligjore shtojnë presionin duke rrezikuar djegien e procesit dhe shtyrjen e tij pas zgjedhjeve. Nga një llogaritje e afateve rezulton se data 6 mars është fundi i pritjes.

Nëse Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit do të konsumojë afatin 14-ditor për vlerësimin e kandidatëve për organet e Vetingut, Kuvendi i Shqipërisë ka afat deri në datën 6 mars për të ngritur komisionin ad hoc për verifikimit të kandidatëve.

Avokati i Popullit, në datën 17 shkurt, ka vënë në dispozicion të ONM listën e kandidatëve që plotësojë dhe nuk plotësojnë kriteret formale për anëtarë të organeve të Vetingut.

Sipas ligjit, një komision i përbërë nga të paktën tre përfaqësues të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit vlerëson kandidatët.

Jo më vonë se 14 ditë nga paraqitja e dy listave nga Presidenti i Republikës, ky komision, bazuar në vlerësimet e arsyetuara, lidhur me kualifikimin dhe përzgjedhjen e kandidatëve, i dërgon rekomandimet Presidentit, i cili ia përcjell ato Kuvendit.

Pra, deri në datën 3 mars, ONM duhet të vlerësojë kandidatët dhe t’ia përcjellë listën Presidentit, në rastin konkret Avokatit të Popullit, pasi kreu i shtetit ka refuzuar ta ushtrojë këtë kompetencë. Avokati i Popullit e referon listën në Kuvend.

Ndërkaq, Kuvendi, brenda 3 ditëve nga marrja e listës së kandidatëve, miraton krijimin dhe përbërjen e një komisioni ad hoc me gjashtë anëtarë, të ndarë në mënyrë të barabartë midis shumicës dhe pakicës parlamentare.

Kryetari i Kuvendit, brenda ditës së dorëzimit të listave të parashikuara, njofton datën dhe orën e mbledhjes së seancës plenare për krijimin dhe përbërjen e komisionit ad hoc të verifikimit të kandidatëve.

Pika 5 e nenit 8 të ligjit të Vetingut, parashikon që brenda dhjetë ditëve nga krijimi i tij, komisioni ad hoc i përcjell listën komisioneve të tjera ad hoc përzgjedhëse. Ndërkaq, në nenin 9 pika 1, parashikohet që Kuvendi, brenda 10 ditëve nga marrja e listës së kandidatëve, të cilët i plotësojnë kriteret formale, listës së kandidatëve, të cilët nuk i plotësojnë kriteret formale, dhe listës së rekomandimeve të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, miraton krijimin dhe përbërjen e dy komisioneve ad hoc të përzgjedhjes, të cilët përbëhen respektivisht nga: Komisioni i parë nga 12 anëtarë, gjashtë të propozuar nga grupet parlamentare të shumicës dhe gjashtë nga grupet parlamentare të pakicës. Komisioni i dytë nga 6 anëtarë, tre të propozuar nga grupet parlamentare të shumicës dhe tre nga grupet parlamentare të pakicës.