6 ligjet e miratuara nga maxhoranca pa votat e opozitës kanë paralizuar sistemin e drejtësisë

1159
Sigal

Gerdjan Xhanari, Jurist

Jakup B. GJOÇA

Gerdjan Xhanari, Jurist në intervistën për gazetën “Telegraf” argumenton, pse 6 ligjet që ka miratuar maxhoranca, pas 23 korrikut 2016, pa konsensusin me opozitën paralizojnë sistemin e drejtësisë. Ndaj, juristi Xhanari e shikon zgjidhjen e kolapsit vetëm tek rikthimi i konsensusit të korrikut 2016, ndërsa ligji “Për Magjistraturën” është masha e kapjes tërësisht të Drejtësisë nga Kryeministri.

 – Zoti Xhanari, çdo të thotë të mosfunksionojë GJ. K. dhe cilat janë pasojat konkrete?

– Është e vërtetë se Gjykata Kushtetuese, por edhe Gjykata e Lartë, tashmë janë inekzistente dhe të paralizuara plotësisht, në pamundësi për të plotësuar kuorumin e nevojshëm për të shqyrtuar çështje. Pasojat po mundohem t’i shpjegoj me 2-3 shembuj konkret.

Së pari një qytetar, të cilit i është mohuar apo shkelur e drejta e një gjykimi të drejtë në 3 shkallët e gjykimit, nuk ka mundësi që këtë ta kërkojë në Gjykatën Kushtetuese. Kështu ai mund të humbasë të drejtën e pronës, të drejtën e punës, etj.

Së dyti, një ish-pronar nuk ka mundësi që të kërkojë në Gjykatën e Strasburgut të drejtat e mohuara dhe të pa dhëna të pronës nga 3 shkallët e gjykimit, sepse mbetet pa ezauruar edhe gjykimi nga Gjykata Kushtetuese.

Së treti, një grup interesi nuk mund të mbrojë një të drejtë të cenuar nga një Ligj, apo Akt nënligjor. P.sh. biznesi i vogël nuk ka mundësi të mbrohet ndaj një akti ligjor mbi sistemin e taksimit të padrejtë dhe antikushtetues ndaj tyre. Ose, Shoqatat e Ndërtuesve nuk mund të kundërshtojnë antikushtetutshmërinë e Ligjit mbi Strehimin Social që do i kushtojë xhepit të qytetarëve 3% të vlerës së një apartamenti.

Së katërti, ligje të tëra, apo ratifikime marrëveshjesh të bëra nga Parlamenti dhe që mund të bien ndesh me Kushtetutën dhe interesat kombëtare, bëhen efektive pavarësisht nga ilegjitimiteti i tyre. Mjafton vetëm të kujtojmë rolin e Gjykatës Kushtetuese në marrëveshjen për detin me Greqinë vite më parë dhe situatën aktuale të një marrëveshje të re, e cila nuk mund ta dimë nëse do të jetë apo jo në dëm të interesave Kombëtare, nëse nuk funksionon Gjykata Kushtetuese. Ndërsa pasojat e mosfunksionimit të Gjykatës së Lartë janë akoma më katastrofike, sepse nuk mund të shqyrtohen në mënyrë definitive çdo proces gjyqësor mbas vendimeve të Gjykatave të Apelit. Kjo mund të cenojë të drejta të qytetarëve palë në procese gjyqësore.

A është i pranueshëm juridikisht, por edhe politikisht pretendimi i kryeministrit Rama, që më mirë të mos kemi një Gjykatë Kushtetuese të tillë me ata anëtarë që shkarkoi Vetingu?

– Besoj se për këdo është i pranueshëm fakti që sistemi i drejtësisë duhet të jetë i përbërë nga një trup gjyqtarësh profesioniste dhe me integritet moral e personal. Çështja qe Kryeministri ka vënë përpara, është një udhëkryq midis: një sistem drejtësie i korruptuar, apo fare pa sistem drejtësie?. Janë të dyja qëndrime ekstreme, ku në fakt, asnjëra nuk duhet të jetë. Ajo që duhet thënë me zë të lartë, është fakti se sistemi i drejtësisë sot është në kolaps total, dhe ineficent, jo sepse po nxjerr jashtë tij, “elementët devijantë dhe të korruptuar”, por për pamundësinë e funksionimit të GJ.K. dhe GJ.L. dhe mos krijimin e organeve të reja si Prokuroria Speciale Antikorrupsion, Byroja Kombëtare e Hetimit, KLGJ, KLP KED. Ndryshimet duhet të ishin bëre të tilla që, patjetër të luftohej korrupsioni dhe gjyqtarët e korruptuar, por kjo të mos zhdukte funksionimin e gjykatave, sikurse paraqitet gjendja sot.

Pse nuk kemi akoma sot organet e reja KLP, KLGJ, KED, SPAK, BKH, dhe a mundet që qeveria dhe maxhoranca të ndërtojnë institucionet e mësipërme pa konsensusin e opozitës, sikurse deklaroi Kryeministri Rama dhe Ulsi Manja, si kryetar i Komisionit të Ligjeve?

– Prokuroria Speciale Antikorrupsion (SPAK) dhe Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) nuk krijohen sepse akoma nuk është funksional Këshilli i Lartë i Prokurorisë, si organi që do të zgjedhë Prokurorët dhe oficerët e policisë gjyqësore. Dhe kjo me arsyen banale, se Shoqëria Civile akoma nuk ka përzgjedhur kandidaturën e saj për të plotësuar numrin e anëtarëve të K.L.P. Pra, është totalisht në dorë të Kryeministrit kostituimi i K.L.P dhe fillimi i funksionimit të Prokurorisë Speciale. Por që duket qartë që nuk dëshiron ta bëjë. Gjithashtu, Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë dhe gjykatat e tjera, nuk plotësohen me anëtare, pikërisht se nuk janë krijuar Këshilli i Lartë i Gjyqësorit (KLGJ) dhe Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED), të cilat mbahen peng nga mungesa e vullnetit e maxhorancës. Kryeministri ka deklaruar edhe se ata që e kanë penguar reformën në drejtësi është opozita, e cila ka frikë nga ndëshkimi! Po nëse kjo është e vërtetë, atëherë pse nuk fillojnë të funksionojnë Prokuroria Speciale Antikorrupsion dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, që ta ndëshkojnë këtë korrupsion!? Rastet më sipër tregojnë se, nëse mendjen e ke tek kapja politike e sistemit, s’ke mundësi të mendosh, sesi të zgjidhësh kaosin dhe rezultatin po e shohim sot.

– Projektligji për Magjistraturën që maxhoranca solli në parlament është pjesë organike e Reformës në Drejtësi? Mendoni se do të zgjidhë kolapsin e Drejtësisë?

– Është një kthim mbrapa sepse na kthen te Këshilli i Lartë i Drejtësisë! Është shembulli më i qartë i ecjes kuturu të kësaj mazhorance dhe qëllimit primar të saj të kapjes politike të sistemit të drejtësisë. Për ta shpjeguar më qartë, po them se në momentin që rreth 50% e gjyqtarëve dhe prokurorëve do të shkarkohen nga sistemi, atëherë kapja politike mund të realizohet me artificin juridik të emërimit politik në sistemin gjyqësor jo të magjistratëve sipas ligjit, por të studentëve, ose juristëve që thjeshtë kanë mbaruar për Drejtësi.

– Kolapsi i Drejtësisë është produkt i burokracisë së Vetingut?

Vonesa prej gati 1 viti në ngritjen e organeve të vetingut dhe funksionimit të tyre luajti rolin e saj në kolapsin e institucioneve te drejtësisë dhe të funksionimit të tyre. Por kemi shembuj të ndryshëm sesi po zhvillohet procedura e vetingut në mënyrë selektive. P.sh një raport i DSIK (Drejtoria për Sigurinë dhe Informacionin e Klasifikuar) mbi papërshtatshmërinë e një gjyqtari për të qëndruar në sistem, bazuar në raporte zyrtare të SHISH, nuk merret fare parasysh, duke u bazuar vetëm sipas preferencës politike. Edhe pse bëhet fjalë për një përgjim, që tregon pjesëmarrjen e këtij gjyqtari në, një aferë korrupsioni. Përfundimi është se ky gjyqtar u konfirmua në detyrë dhe qytetarët duhet të kuptojnë se do të vazhdojë t’i gjykojë një person i përfshirë në afera korrupsioni. Apo, kur një gjyqtar subjekt shqyrtimi e kalon Vetingun, kalon edhe pse nuk justifikon 100 milionë lekë, dhe një tjetër shkarkohet për mosdeklarim të një fuoristrade! Të kuptohemi, jam pro ndëshkimeve te atyre gjyqtareve të cilët janë vlerësuar, në gjykim të Komisionerëve të vetingut si të korruptuar, por kjo “shpatë” duhet të jetë për të gjithë njëlloj. Këtu nuk kemi të bëjmë me burokraci të komisionerëve të vetingut, por nuk ka asnjë arsye tjetër për këtë gjendje përveç se kjo është pasojë e drejtpërdrejtë e vullnetit të mazhorancës për të gjunjëzuar dhe kapur politikisht Sistemin e Drejtësisë. Me këtë mënyrë të vepruari, do të përfundojë edhe vetë vetingu të gjykohet si një sistem i njëanshëm, i cili nuk i shkon për shtat idealit për të cilin ai u krijua, dhe që ishte pikërisht neutraliteti dhe gjykimi asnjanës kundrejt elementit të korruptuar në drejtësi.

– Për sa kohë nuk kemi Gjykatë Kushtetuese vendi duhet të qeveriset nga kjo maxhorancë apo nga Qeveri Teknike e mirëbesimit të të gjitha forcave parlamentare?

– Është jashtë çdo logjike të bashkëqeverisjesh me një maxhorancë, e cila e ka çuar këtë vend në një degradim politik, ekonomik, juridik dhe social.

– Ligjet e Reformës në Drejtësi që ka votuar vetëm maxhoranca me 84 vota a duhen zhbërë, siç kërkon opozita, për zgjidhjen e ngërçit politik?

– Zgjidhja e këtij ngërçi të krijuar qëndron vetëm tek zbatimi me korrektësi i ndryshimeve Kushtetuese të 22 korrikut 2016 dhe frymës së konsensusit në atë kohë. Por vetëm një javë nga këto ndryshime, mazhoranca zhbëri konsensusin e arritur, duke miratuar në mënyrë të njëanshme dhe me arrogancë 6 ligjet plotësues dhe të domosdoshëm për reformën në drejtësi me qëllimin e vetëm të kapjes politike të sistemit të ri të drejtësisë. Janë pikërisht këto 6 ligje që kanë paralizuar të gjithë sistemin e drejtësisë në vend, që kanë krijuar kaos në sistem, që kanë lënë vendin pa Gjykatë Kushtetuese dhe pa Gjykatë të Lartë, dhe që nuk po mundësojnë ngritjen e organeve të reja të sistemit, përfshirë KLGJ, KLP, SPAK dhe BKH.

– Sipas jush, çfarë do të thoshin sot ekspertët e huaj e vendas që hartuan draftin e Reformës në Drejtësi dhe Ambasadoret që u bënë nunët e kësaj Reforme?

– Për sa i përket të punësuarve të EURALIUSIT dhe OPDATIT, mund të them se, dështimin e tyre profesional, e zbardhi Komisioni i Venecias kur rrëzoi në mënyrë spektakolare, draftin e punuar nga Ekspertët e emëruar nga Qeveria si të paanshëm dhe të kaluar në sitën e përfaqësive të përmendura më sipër. Për sa përket rolit të ambasadorëve, besoj se nuk kanë me kohë të japin mendime dhe gjykime për këtë çështje, nga Kirkizistani, apo ndonjë zyrë e Brukselit, ku po vazhdojnë karrierën e tyre diplomatike. Por edhe heshtja e tyre apo amullia në deklaratat e kolegëve të tyre në Shqipëri tregon shumë, mbi rezultatin “mbresëlënës”, që lanë pas