55 parti pa anëtarësi, presion ndaj PS-PD për kolltukë bashkie

564
Zgjedhjet vendore, duket se kanë shumë “probleme” për të zgjidhur, deri sa të finalizohen në kutitë e votimit më 21 qershor 2015. Vazhdon të flitet për Kodin Zgjedhor, për listat e kandidatëve, që nuk janë miratuar e nuk janë shpallur nga strukturat qendrore të partive politike, për caktimin e qendrave të votimit, komisionerët dhe numëruesit si emra, si numër përfaqësimi të partive e si trajnim, për fondet financiare të fushatës dhe monitoruesit e medias të procesit. Por ka edhe një problem tjetër, që duket se nuk është “i vogël” për dy partitë kryesore. Ky problem janë koalicionet partiake. Në zgjedhjet e 23 qershorit 2013, dy partitë kryesore PS e PD, krijuan koalicione të zgjeruara me partitë tjera edhe jashtë spektrit të tyre politik. Në koalicionin e majtë “Rilindja” u përfshinë 34 parti politike, që nga dy partitë e madha të këtij koalicioni PS-LSI e deri tek parti politike, të cilat sikur t’i kërkosh nuk gjenden si emra as në “google”, por që kanë sigla dhe emra kryetarësh. Edhe në koalicionin që krijoi PD, u “rreshtuan” 25 parti politike, që nga PD, PDIU, PR e deri tek parti anonime, parti që edhe kryetarët e tyre votuan kundër… koalicionit, si rasti i 3 partive të ish-të përndjekurve politikë! Siç dihet, partitë-partiçka, me kryetar e vulë, por pa asnjë anëtarë, iu bashkuan koalicioneve, me synimin e vetëm, që në rast fitoreje të “kapnin” ndonjë kolltuk pushteti për vete dhe për të punësuar njerëz të familjes. Psh, koalicionin “Rilindja”, përveç dy partive bazë PS-LSI që përbëjnë pushtetin, u futën edhe parti të çuditshme si psh., PDIP (Partia Demokrate për Integrim e Prosperitet), PÇSH (Partia e Çështjeve Shqiptare), PDLN (Partia Lëvizja Demokratike për Ndryshim), PLDSH (Partia Lëvizja për Drejtësi e Shqiptarëve), PMDL (Partia Mendimi i Djathtë Liberal) PSHA (Partia Shqiptare Atdheu) PSPSH (Partia Social Punëtore e Shqipërisë), PTRSH (Partia Toleranca e Re e Shqipërisë) etj. Gazeta “Telegraf’ investigoi dhe zbuloi se këto janë parti si sigla, disa nuk gjenden as në regjistrat e gjykatave ku janë miratuar. Parti me emra të panjohur e të çuditshëm, u futën në koalicionin e PD, si psh., PLSHR (Partia Lëvizja Shqipëria e Re), PBDSH (Partia Bashkimi Demokrat Shqiptar), PMPLSH (Partia e Maqedonasve të Pavarur Liberal të Shqipërisë) PDRE (Partia Demokracia e Re Evropiane), PDM (Partia e të Drejtave të Mohuara), PDMR (Partia e të Drejtave të Mohuara e Re), PBPPSH (Partia Bashkimi Popullor i Pensionistëve Shqiptarë) PRVSH (Partia Rruga e Vërtetë Shqiptare), PCSH (Partia Civile e Shqipërisë), POSH (Partia Ora e Shqipërisë) etj. Edhe këto parti “vula-emra”, me ëndrrën se PD do të mbante pushtetin edhe 4 vjeçarin e tretë 2013-2017, u vërsulën e regjistruan siglat në koalicion me PD, me synimin për të përfituar ndonjë karrige pushteti sa për vete e familjarët e tyre, siç kishin përfituar edhe ballisti demokrat Artur Roshi dhe ballisti historik Adriatik Alimadhi, legalisti Ekrem Spahia, agraristi Lufter Xhuveli, liberal-demokrati Arjan Starova, etj. Sipas informacioneve, në të dy koalicionet majtas e djathtas, janë 55 parti-partiçka “sigla-kryetar”, të cilat dhe pse quhen “parti”, ato kanë vetëm kryetarë, sekretare dhe ndonjë zyrë grasionere me qira, të cilat të pafuqishme për të konkurruar të vetme në zgjedhje, të dështuara në pazaret e afruara dhe me nepsin për pushtet në zonat bashkiake që lakmojnë, kanë nisur e po u bëjnë presion dy partive PS e PD, për të vendosur emra kandidatësh në disa bashki që kryetarët e tyre i kanë përzgjedhur si “zona përfitimi”
PD nuk fitoi, 20 partiçkat fantazma ia mbathën nga koalicioni
Zgjedhjet e 23 qershorit 2013 e çuan në opozitë PD dhe krejt koalicionin e saj të djathtë, të mbushur edhe me parti të majta. Kur ndiqnim fushatën e zgjedhjeve të 23 qershorit, shikonim që në tribunat e mitingjeve të PD, rreshtoheshin me kollare edhe aleatët e saj, konkretisht partiçkat që kishin vetëm sigël, vulë e kryetar. Gjatë gjithë fushatës, këto parti nuk iu shqitën PD, me synimin për të përfituar ndonjë “kockë” nga pushteti. Madje, nënshkruan edhe akt-marrëveshje për përfitimet që do të kishte secila nga këto partiçka nga pushteti. Por pushteti humbi dhe pas humbjes partiçkat u larguan, si të mos ekzistonin fare, siç nuk ekzistojnë faktikisht. Tashmë, që janë prag-zgjedhjet lokale të 21 qershorit 2015, këto partiçka janë ofruar përsëri, për të bërë koalicion me bazë pazarin. Ato kërkojnë bashki “zona të lira”, në të cilat kandidatë të jenë vetë kryetarët ose familjarë e shokë të tyre, por votat t’u jepen nga anëtarët e PD. Madje, shumë prej këtyre partiçkave, që kanë edhe kryetar edhe anëtar vetëm kryetarin, kanë nisur të bëjnë presion ndaj PD, me kërcënimin se nëse nuk u lihen bashki “zona të lira”, ato do dalin… vetëm në zgjedhje! Parti të tilla si PR, që kërkon të kandidoj njerëzit e vet në 7 bashki, balli kombëtar në 3 bashki, balli demokrat në 3 bashki, PDIU në 5 bashki, liberal-demokratët në 3 bashki, 3 partitë e të përndjekurve në 3 bashki secila, demokristianët në 5 bashki etj, janë vërsulur ndaj PD, duke ofruar pazare e duke presione. Janë 20 partiçka që po vazhdojnë të bëjnë presion ndaj PD, ndërkohë që PD, nuk po reagon ndaj kërcënimeve të “brejtësve” të pushteteve, duke u lënë atyre të kuptojnë se me 61 bashki nuk kënaqen dot as interesat e “miqve, familjarëve dhe të fortëve” brenda PD e jo më të falen bashki për partiçka, kryetarët e të cilave nuk marrin dot votat… as në familjet e tyre!
PS i la partiçkat pa kolltukë, 10 prej tyre në sulm për kolltukë bashkie
Zgjedhjet e 23 qershorit 2013 e sollën koalicionin PS-LSI, në pushtet absolut. Pas marrjes së pushtetit, mbështetur në kontratën parazgjedhore, PS-LSI ndan pushtetin. Ndërsa aleatët tradicionalë dhe të bashkuarit në zgjedhjet e 23 qershorit 2013, iu vërsulën PS për kulltuqe pushteti, duke deklaruar se edhe ata ishin “fuqia e fitores”, ndërkohë që kanë vetëm nga 1 fugon me “anëtarë”. Ndër 34 aleatët që kishte “Rilindja” në 23 qershor, përveç LSI që ishte “shtylla” e fitores, PS shpërbleu me pushtet të plotë vetëm partinë “G-99”, të cilës i dha ministër, zëvendësministra, drejtori shërbimesh publike, këshilltarë qeverie, ambasadorë dhe 3% vende pushteti në administratë. Por PS “qerasi’ me “karamele” pushteti në nivele drejtorë institucionesh e shërbimesh krerët e disa partiçkave, si ish-të përndjekurit e Kurt Kolës, duke lënë jashtë pjesës së pushtetit partitë e majta tradicionale, aleate të përhershme të PS, si PSD e Gjinushit, PDS e Milos, PLD e Ngjelës, PUK të Idajet Beqirit dhe komunistët e Xhafës e Dajtit Tashmë, që nuk ka më 400 bashki e komuna, por vetëm 61 bashki, PS është vënë përsëri në qendër të kërkesave dhe presionit të aleatëve, sidomos të atyre që nuk u shpërblyen me “pjesë” pushteti pas 23 qershorit 2013. Ndërsa LSI e ka përcaktuar “pjesën” dhe zonën e veprimit për bashkitë ku do të kandidoj në koalicion me PS, qysh me kontratën parazgjedhore të 23 qershorit 2013, partitë e tjera dhe partiçkat anonime, po vërdallisen e po kacavjerren pas PS, për të marrë ndonjë zonë të lirë për kandidatë bashkie në zonat që i kanë piketuar si “bastione” të tyre, por që në fakt duan t’i përdorin si “çifligje” të tyre, nëse i fitojnë. Ndryshe nga PD, ku aleatët i kanë deklaruar synimet e tyre, aleatët e PS ende nuk kanë deklaruar asnjë emër bashkie, që synojnë ta marrin si pjesë të tyre, nën siglën e koalicionit “Rilindja”, në të cilat duan të përfaqësohen me kandidatët e tyre, por me votat e PS-LSI. E ndërsa duket se nga kupola e PS ka heshtje e mos reagim ndaj kërcënimeve të partiçkave me “sigël-kryetar”, një prej krerëve të partive të majta tradicionale, Gjinushi i PSD “ka hedhur dorashkën” në një takim elektoral në Shkodër, duke bërë presion të dukshëm ndaj PS e mazhorancës qeveritare, me daljen publike, si “avokat” i çështjes “Doshi” sa për të matur pulsin e Ramës, “kartë” presioni të cilën brenda 12 orëve ia dogji drejtësia me arrestimin që bëri! Siç dihet, PS i la partiçkat “sigël-kryetar” pa kolltukë në pushtetin qendror të 23 qershorit 2013, por 10 prej tyre, tashmë janë hedhur në sulm me presione për të “kapur” ndonjë kolltuk bashkie…
———————————-
Ja aleanca “Rilindja”, në 23 qershor 2013
1. Partia Socialiste e Shqipërisë 
2. Lëvizja Socialiste për Integrim 
3. Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut
4. Partia Aleanca Popullore
5. Partia Aleanca Demokristiane
6. Partia Demokracia Sociale
7. Partia Socialdemokrate
8. Partia Aleanca Arbnore Kombëtare
9. Partia Socialiste e Moderuar
10. Partia e Punës e Shqipërisë e Riorganizuar
11. Aleanca për Barazi dhe Drejtësi Europiane
12. Partia Ambientaliste
13. Partia Ardhmëria Shqiptare
14. Partia Bashkimi Republikan Shqiptar
15. Partia Demokrate për Integrim e Prosperitet
16. Partia e Çështjeve Shqiptare
17. Partia e Gjelbër
18. Partia e Punës së Shqipërisë
19. Partia Reformatore Demokratike
20. Partia e Unitetit Kombëtar
21. Partia G99
22. Partia Komuniste Shqiptare
23. Partia Komuniste 8 Nëntori
24. Partia Kristian-demokrate
25. Partia Lëvizja Demokratike për Ndryshim
26. Lëvizja për Drejtësi e Shqiptarëve
27. Partia Mendimi i Djathtë Liberal
28. Partia për Mbrojtjen e Emigrantëve
29. Partia e Prosperitetit Demokratik
30. Partia e Personave me Aftësi të Kufizuara
31. Partia Rruga e Lirisë
32. Partia Shqiptare Atdheu
33. Partia Social Punëtore e Shqipërisë
34. Partia Toleranca e Re e Shqipërisë
——————————–
Ja aleanca e PD, në 23 qershor 2013
1. Partia Demokratike
2. Partia Republikane Shqiptare
3. Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet
4. Lëvizja për Zhvillim Kombëtar
5. Partia Lëvizja e Legalitetit
6. Partia Agrare Ambientaliste e Shqipërisë
7. Partia Demokristiane e Shqipërisë
8. Lidhja Demokristiane e Shqipërisë
9. Partia Bashkimi Liberal Demokrat
10. Partia Balli Kombëtar
11. Partia Balli Kombëtar Demokrat
12. Partia Aleanca Demokratike
13. Partia Lëvizja Shqipëria e Re
14. Partia Bashkimi Demokrat Shqiptar
15. Partia Ora e Shqipërisë
16. Partia e Maqedonasve
17. Partia Demokracia e Re Evropiane
18. Partia e të Drejtave të Mohuara
19. Partia e të Drejtave të Mohuara e Re
20. Partia Aleanca për Demokraci dhe Solidaritet
21. Partia Konservatore Shqiptare
22. Partia e Minoritetit Grek për Ardhmëri
23. Partia Bashkimi Popullor i Pensionistëve Shqiptarë
24. Partia Rruga e Vërtetë Shqiptare
25. Partia Civile e Shqipërisë 
Edi Rama nëshkruan marrëveshjen me PDIU, fton edhe FRD-në e Topit, me Dulen takohet nesër
Dje kryeministri Edi Rama u takou me kryetarin e PDIU-së Shpëtim Idrizi për të finalizuar marrëveshjen zgjedhore për 21 qershorin. Pas këtij takimi Rama deklaroi se “Së bashku me PDIU ne do të jemi në bashkëqeverisje”, deklaroi Rama në përfundim të takimit kokë më kokë. “Unë ndaj opinionin e PDIU, duke folur në këtë rast për politikën e jashtme të qeverisë, që ka qenë më dinjitoze dhe më reciproke. Janë këto dhe disa gjëra të tjera që kemi vlerësuar, që na bëjnë që të shohim përputhje në programin me PS”, tha nga ana e tij Idrizi. Mbetet për t’u parë qëndrimi i mëtejshëm i PBDNJ-së në qeverisje, me të cilën PS ende nuk ka finalizuar as negociatat për zgjedhjet vendore. Kryeministri Rama i ka bërë ftesë publikisht, kryetarit të FRD-së, Bamit Topit, që t’i bashkohet koalicionit të majtë në zgjedhjet vendore. Pasi ka përfunduar konsultat me deputetët e qarqeve në PS, Rama deklaroi për mediat “që në këtë koalicion ka ende vend hapësirë për të tjerë zëra dhe përvoja dhe këtu kam parasysh edhe FRD-në, që me shumë konsideratë do ta ftojë të konsideronte bashkimin në këtë rrugë jo për të përputhur programet, por për të rritur spektrin e ideve dhe të alternativave për vendin.” Po ashtu, Rama ka deklaruar se brenda 203 ditëve në vijim do të konsultohet edhe me PBDNJ-në e drejtuar nga Vangjel Dule. “Do të takohemi në këto 2-3 ditë dhe do të shikojmë ku do të gjendemi, tha ai, se PBDNJ-ja është një aleate jona dhe pjesëmarrëse në qeverisjen e vendit. Ndërkohë, aleati i deridjeshëm i PS-së, Paskal Milo deklaroi dje se shkëputet nga koalicioni i PS-së, pasi Rama nuk respektoi marrëveshjen dhe do të marrë pjesë në zgjedhjet lokale në një koalicion të ri, ndoshta me PSD-në e Gjinushit. 
Kryeministri Rama dje nisi negociatat me deputetët e qarqeve për kandidatët në bashki. Për Tiranën priten të diskutohen 3 emra: Pandeli Majko, Blendi Klosi dhe Albana Dhimitri. 
Peleshi, pas takimit me deputetët e qarkut të Korçës, deklaroi: Me shumë gjasa kandidat për Korçën do të jetë Sotiraq Filo.
Kreu aktual i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini propozohet nga baza e PS-së për të rikandiduar.
Kandidati i PS-së në Librazhd, Kastriot Gurra, pranohet me konsensus.
Kandidate e favorizuar për në Shkodër diskutohet Keti Bazhdari,
PS do i lërë PDIU-së, bashkitë Peqin, Rrogozhinë, Konispol, Patos. 
Deputeti Blendi Klosi: Në Durrës, Vangjush Dako kandidati më i mundshëm
Për bashkinë Fier, Armando Subashi
Në bashkinë Përmet konfirmohet kandidatura e gazetarit Bledi Mane
Ndërsa për Shkodrën, nga dy burime të ndryshme mësohet se propozimi është Keti Bazhdari. 
Për bashkinë e Shijakut kanë propozuar për rikandidimin e Indrit Dukës. 
Kastriot Gurra kandidat i PS-së për bashkinë e Librazhdit
Për bashkinë e Vlorës janë Prefektja Etjona Hoxha, mjeku Dritan Leli dhe kreu i Dhomës së Tregëtisë dhe Industrisë Vlorë, Arben Breshani.
Kandidatët për bashkitë nga LSI
1.Gjirokastër – Zamira Rami 
2.Berat – Gledion Rehovica, 
3.Pogradec – Roshi Tollozhina 
4.Skrapar – Nesim Spahiu 
5.Përrenjas – Miranda Rira, 
6.Lezhë – Viktor Tushaj, 
7.Kukës – Hasan Halili, 
Kandidatët për bashkitë nga PS
1.Vlorë – Etjona Hoxha, Evis Allushi 
2.Peshkopi – Shukri Xhelili 
3.Tirana – Bledi Klosi Pandeli Majko Albana Dhimitri 
4.Përmet – Bledi Mane 
5.Poliçan, Adriatik Zotkaj 
6.Kavajë- Elvis Rroshi 
7.Shkodër – Keti Bazhdari, 
8.Tropojë – Rexhë Biberaj, 
9.Kurbin – Artur Bardhi, 
10.Mat – Adelina Farrici, 
11.Mirditë – Ndue Ndoci 
12.Durrës – Vangjush Dako, 
13.Shijak – Indrit Buka, 
14.Kavajë – Evis Roshi, 
15.Elbasan – Qazim Sejdini,
16. Klos – Xhevdet Reçi 
17.Librazhd – Kastriot Gurra, 
18.Gramsh – Dritan Bici, 
19.Lushnjë – Arben Çuko, Fatos Tushe, Bujar Çela, dhe Astrit Xheka 
20.Roskovec – Flamur Mato, 
21.Tepelenë – Tërmet Peçi, 
22.Këlcyrë – Klement Ndoni,
23.Korçë – Sotiraq Filo,
24.Himarë- Jorgo Goro 
25.Divjakë – Alfred Kokoneshi
26. Memaliaj – Reshat Zika, 
27.Libohovë – Vladimir Hide, 
28.Fier – Armando Subashi
29. Sarandë- Stefan Çipa, Floriana Koka, Sheme Lulo, Adriana Shehu dhe Ramiz Husi 
30. Dibër: Ulsi Manja, PS
31. Kurbin: Artur Bardhi, 
32. Peqin – Sajmir Hasalla PDIU
33. Konispol Mimoza Arapi PDIU
34. Patos Rajmonda Balilaj 
35. Rrogozhinë Nuredin Bushi PDIU
Gara për Tiranën, Halim Kosova është kandidatura më e mundshme
Nga e Djathta, deputeti Halim Kosova është kandidatura më e mundshme, e cila fiton terren përballë emrave të tjerë, që janë përfolur deri tani. Ndërsa Gjergj Bojaxhi shpalli dje, si i pavarur kandidaturën e tij për kryetar bashkie të kryeqytetit.
Sigal