52 deputetë, 8 ministra, 37 drejtorë qendrorë e 241 zyrtarë rajonalë në “veshin” e SHISH

484
Sigal

Shumë prej të përgjuarve janë të përfshirë në aktivitet kriminal, por dosjet e tyre dekonsiporhen tek i përgjuari, përdoren në Parlament për luftë politike, ose hidhen në “kosh”

Natyrshëm, ose ndoshta krejt “pa dashje”, në një intervistë televizivë të ditës së enjte, Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, në përgjigje të pyetjes për eficencën e policisë në luftën kundër krimit e korrupsionit, u ankua për “bllokim deri diku të kësaj lufte”, duke shpjeguar se… policia ka arritur sukses dhe ka vullnet për ta luftuar krimin e korrupsionin, por SHISH nuk jep informacion për drejtorët dhe zyrtarët e tjerë për të cilët ka detyrim të mbledhë informacion. Shtrohen disa pyetje: A janë në përgjim zyrtarët e shtetit, nga shërbimi sekret shtetëror? Cilat struktura shtetërore e miratojnë listën e personave që duhen futur në përgjim? Po këta që hartojnë listat e përgjimit për të tjerët, a duhen përgjuar, a përgjohen dhe nga cila strukturë përgjohen? Prej katër ditësh pas intervistës së ministrit Tahiri, kemi pasur kontakte me burimet tona brenda shërbimeve sekrete shqiptare e me burime të tjera, që janë pjesë përbërëse e veprimtarisë zyrtare e ligjore të përgjimit. Na konfirmuan, se në përgjim po mbahen shumë zyrtarë shtetërore të nivelit të lartë e të mesëm. Po kështu në përgjim janë futur edhe nëpunës lokalë e qendror të shtetit, të cilët njihen për miqësi me politikanë, shtetarë e zyrtarë të lartë. Ka në përgjim politikanë, ish-shtetarë të lartë, ish-ministra, ish-deputetë, ish-diplomatë, ish-drejtorë të lartë në qeverisje. Ka në përgjim shtetarë të lartë, ministra, diplomatë, deputetë e politikanë aktualë. Ka në përgjim biznesmenë vendas e të huaj, që kanë lidhje me të dy krahët e politikës. Sipas burimit të informacionit, këta janë bërë objekt përgjimi, duke marrë indicie prej pasurive të tyre, ose pas “përmendjes” së emrave të tyre prej elementëve kriminalë të arrestuar e të mbajtur në përgjim, si dhe prej informacioneve për lidhje të tyre me botën e krimit, qoftë familjarisht, qoftë si bashkëpunim. Epiqendra e përgjimit, sipas burimit të informacionit është SHISH, i cili që prej rastit “Major Fekaj”, ka marrë akses të plotë edhe me përgjime në ushtri, duke mos pasur besim tek Shërbimi Informativ i Ushtrisë (SHIU). Në këtë veprimtari, përgjimi që u bëhet zyrtarëve të shtetit e të politikës, SHISH vepron me “lista personash e institucionesh”, të rekomanduara nga strukturat e larta të shtetit, të “betuara” për “besnikëri e pastërti”. Por SHISH, kryen përgjime edhe me iniciativën e vet, si “punë rutinë” për të cilën paguhet nga shteti. Në rastin e deklaratës së ministrit Tahiri, burime nga SHISH, na konfirmuan se është fakt, që prej afro 5 muajsh nuk dërgohen informacione në polici e në strukturat drejtuese shtetërore ligjzbatuese. Pse? Sipas SHISH, kjo “heshtje informative” në komunikimin me ministrinë e Brendshme, ka nisur të ndodhë për shkak të faktit (sipas SHISH), që shumë informacione krimi e korrupsioni të politikanëve, shtetarëve e zyrtarëve aktualë, ose të ish-shtetarëve, ish-politikanëve e ish-zyrtarëve që kanë lidhje familjare, fisnore, krahinore e shoqërore me pushtetin e sotëm dekonspirohen, ose nuk trajtohen, nuk nis “goditja” ndaj tyre. Sipas burimit të informacionit të SHISH, janë përgjuar e janë zbuluar lidhje e veprimtari korruptive të disa ministrave e deputetëve aktualë, për të cilët janë dërguar informacionet e shoqëruara me fakte konkrete dhe nuk ka asnjë veprim! Madje, nuk respektohet administrativisht as rekomandimi për largimin e tyre nga detyrat zyrtare që kanë dhe mbajtjen në mbikëqyrje të strukturave përkatëse të policisë. Në këtë realitet “shpërfilljeje e hedhje informacionesh në kosh”, SHISH pyet: Kur nuk veprohet ndaj informacioneve tona, kur ato dekonspirohen tek subjekti përgjuar, përse duhet të komunikojmë me ministritë e Kryeministrinë, apo thjeshtë formalisht si “postierë” dosjesh? Sipas informacioneve, ministria ka dërguar lista me emra individësh e subjektesh që duhen futur në “regjim përgjimi”. SHISH e ka nisur dhe po e vazhdon përgjimin, por prej disa kohësh për llogari të vet, larg një bashkëpunimi konkret me strukturat goditëse! Konkretisht, në përgjim vazhdojnë të mbahen 8 ministra dhe 6 ish-ministra. Janë futur e po mbahen në përgjim 52 deputetë dhe 33 ish-deputetë. Po kështu, në “veshin” e SHISH janë futur për përgjim 37 drejtorë qendrorë të ministrive e të shoqërive aksionere dhe 241 drejtorë e zyrtarë rajonalë. Brenda kësaj liste janë edhe 42 kryetarë bashkie e 184 kryetarë komunash. Në listën e të përgjuarve janë përfshirë edhe 289 biznesmenë “VIP”, janë 19 zv/ministra e 44 institucione shtetërore, si dhe 12 diplomatë shqiptarë, rezidentë në vendet e “portave hyrëse e dalëse” të krimit shqiptar. Ajo që shqetëson SHISH, nuk është mungesa e “lëndës së parë të krimit” të shtetarëve e zyrtarëve, të ish-shtetarëve e ish-zyrtarëve, të drejtorëve e ish-drejtorëve, të politikanëve e ish-politikanëve, por veprimi ndaj saj. Dhe fakti është konkret. As në këto 17 muaj program rilindës kundër krimit e korrupsionit të individëve e grupeve “VIP”, nuk ka asnjë veprim goditës. Nuk paska shtetarë, zyrtarë, politikanë e biznese “VIP” të përfshirë në krime?!

Në përgjim edhe 11 anëtarë të Komisionit Parlamentar të Sigurisë

 Sipas burimeve nga SHISH, në përgjim prej këtij institucioni mbahen prej 1 viti edhe 11 anëtarë të Komisionit Parlamentar të Sigurisë Kombëtare. Nuk e dimë se cila është ajo strukturë e lartë shtetërore, që ka urdhëruar të vihen nën përgjim anëtarët e komisionit parlamentar “kyç” të shtetit, siç është Komisioni i Sigurisë Kombëtare, por dihet që nga 20 prej tyre, 11 gjenden aktualisht nën përgjim. Madje jo vetëm prej SHISH, por edhe prej agjencive të tjera kombëtare. Janë emra që kanë lidhje me politikën e pushtetin aktual dhe me ish-politikën e me ish-pushtetin, të skeduar për lidhje me botën e krimit dhe korrupsionit, ose si mbështetës e informues të tyre për çdo lëvizje goditëse që planifikon shteti.

Vitet 1992-2015, janë përmendur krimet e 570 “viktimave” të përgjuara

 Mjafton të kujtosh debatet e ndërsjella që bëhen mes deputetëve e shtetarëve dhe ish-shtetarëve në Parlament, të shoqëruara me akuza për krime, korrupsion e zullume të ndryshme të njëri-tjetrit, “të zbuluara nga burime anonime” dhe bindesh, se përgjimi ka qenë “praktikë pune ditore”. Sipas një evidence “skeduese” që disponon shërbimi sekret shtetëror shqiptar (SHISH), realizuar nga agjentët e saj lidhur me akuzat që deputetët kanë bërë ndaj njëri-tjetrit në Parlament, rezulton se në vitet 1992-2015 (shkurt), janë mbajtur në përgjim 570 “viktima” deputetë, ministra, familjarë e “miq” të tyre me veprimtari në politikë, qeverisje, diplomaci, media, biznes e në qeverisjen lokale. Sipas burimeve të SHISH, akuzat e përmendura në debatet parlamentare prej deputetëve e ministrave kundër njëri-tjetrit për lidhje me botën e krimit, janë reale dhe se këto akuza, janë nxjerrë prej “dosjeve sekrete” informuese, që SHISH u dërgon institucioneve shtetërore bashkëpunuese. Në vend që për këto informacione, të veprohet siç e parashikon ligji me veprim goditës, ato përdoren në Parlament e në media për luftë interesash individi e grupi, në formë denigrimi e shantazhi.

13 pyetje për përgjimet e funksionarëve të lartë shqiptarë

 11. A duhet të përgjohet Presidenti Republikës, a përgjohet faktikisht dhe kush urdhëron për përgjimin e tij?

2. A duhet të përgjohet Kryeministri, a përgjohet faktikisht dhe kush urdhëron për përgjimin e tij?

3. A duhet të përgjohet Kryetari i Kuvendit, a përgjohet faktikisht dhe kush urdhëron për përgjimin e tij?

4. A duhet të përgjohet kryetari i SHISH, a përgjohet faktikisht dhe kush urdhëron për përgjimin e tij?

5. A duhet të përgjohet ministri i Brendshëm, a përgjohet faktikisht dhe kush urdhëron për përgjimin e tij?

6. A duhet të përgjohet ministri i Mbrojtjes, a përgjohet faktikisht dhe kush urdhëron për përgjimin e tij?

7. A duhet të përgjohet ministri i Jashtëm, a përgjohet faktikisht dhe kush urdhëron për përgjimin e tij?

8. A duhet të përgjohet Ministri i Financave, a përgjohet faktikisht dhe kush urdhëron për përgjimin e tij?

9. A duhet të përgjohet kryetari i SHIU-t, a përgjohet faktikisht dhe kush urdhëron për përgjimin e tij?

10. A duhet të përgjohet kryetari i Komisionit Parlamentar të Sigurisë Kombëtare, a përgjohet faktikisht dhe kush urdhëron për përgjimin e tij?

11. A duhet të përgjohen anëtarët e Komisionit Parlamentar të Sigurisë Kombëtare, a përgjohen faktikisht dhe kush urdhëron për përgjimin e tyre?

12. A duhet të përgjohen anëtarët e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, a përgjohet faktikisht dhe kush urdhëron për përgjimin e tyre?

13. A duhet të përgjohet Guvernatori i Bankës së Shtetit, a përgjohet faktikisht dhe kush urdhëron për përgjimin e tij?

14. A duhen përgjuar nga shteti shqiptar, selitë diplomatike shqiptare në botë, a përgjohen realisht dhe kush urdhëron për përgjimin e tyre?

15. A duhen përgjuar ish-shtetarët e lartë pas largimit nga funksionet e tyre, a përgjohen realisht dhe kush urdhëron për përgjimin e tyre?