51 taksistë të furgonëve “8+1”, i drejtohen Erjon Veliajt: Bllokoni 450 furgonët e palicencuar

116
Problemi shqetësues i informalitetit dhe evazionit fiskal është bërë objekt debati edhe në shoqatën e furgonëve taksi 8+1 të Tiranës. Në qytetin e Tiranës, sipas dosjes që ekziston në Drejtorinë e Transportit të Bashkisë së Tiranës, prej kësaj bashkie janë licencuar vetëm 51 automjete “tip” furgonë 8+1, për të ushtruar aktivitetin e tyre të transportit të udhëtarëve nga Tirana në rrethe të tjera të vendit. Këta 51 furgonë taksi, janë të pajisur me gjithë dokumentacionin e aktivitetit të tyre si biznes transporti udhëtarësh, duke paguar gjithë taksat dhe detyrimet që parashikon licencimi ligjor. Por realisht, në Tiranë ushtrojnë këtë aktivitet transporti edhe 450 furgonë të tjerë 8+1, 6+1 e madje edhe auto-vetura 4+1 që nuk janë taksi, ose që janë të licencuar nga komunat, për të transportuar udhëtarë e mallra nga zonat rurale, për në qendër të Tiranës e jo nga Tirana në rrethe. Këto mjete pirate, që punojnë pa asnjë leje transporti për linjat e qyteteve jashtë Tiranës, ushtrojnë aktivitet të paligjshëm në linjat si Durrësi, Elbasani, Librazhdi, Korça, Pogradeci, Vlora, Berati, Lushnja, Lezha, Shkodra, Fieri etj, duke asfiksuar furgonët e licencuar që paguajnë rregullisht taksa e që sipas urdhërit, janë pajisur edhe me automjete sipas vitit të prodhimit dhe standardet e përcaktuara nga shteti. Madje, shqetësimi i 51 taksive 8+1 të licencuara të Tiranës dhe abuzimi me ligjet e shtetit, ka arritur deri në atë pikë, sa në Tiranë janë futur e ushtrojnë aktivitet transporti udhëtarësh edhe lloj furgonësh të komunave të Elbasanit e Durrësit, të cilët janë të licencuar prej atyre komunave për shërbim brenda zonave të rretheve të tyre. sipas investigimit të bërë prej gazetës “Telegraf”, rezulton se furgonët piratë që futen pa licencë në linjat e shërbimit të 51 furgonëve taksi të licencuar të Tiranës, janë në gjendje mjerane, ose më saktë skrap me rrota, të pa sigurtë e madje edhe pa kontroll teknik, ose furgonë që duheshin nxjerr nga qarkulli qysh 10 vite më parë. Po pse ndodh? Kush e lejon? Kush përfiton prej kësaj rrumpalle në transportin e udhëtarëve me furgonë taksi? Ky shqetësim, së pari nuk po ndalet prej policëve rrugorë që kanë në kontroll zbatimin e ligjit, të cilët siç thonë 51 taksistët e licencuar, joshen prej pronarëve të furgonëve piratë me ndonjë 500 lekësh në ditë dhe lejojnë aktivitetin e tyre. katër ditë më parë, gazeta “Telegraf” bëri një vëzhgim, duke udhëtuar me furgonë në linjën Tiranë-Elbasan dhe konstatoi këtë fakt: furgonët piratë punonin lirshëm, pronarët e tyre në deklaruan se “ushqejnë” policët dhe lejohen të punojnë lirshëm. Nisur prej këtij fakti, 51 taksistët e furgonëve të licencuar 8+1 të Tiranës, të gjendur në hallin e rrënimit të aktivitetit, të gjendur përballë falimentit, shpërfilljes së policisë dhe dyndjes së mjeteve ilegale, vendosën t’í drejtohen me një kërkesë për takim krye-bashkiakut të ri të Tiranës Erjon Veliaj, për t’i bërë të qartë situatën abuzive me 450 furgonët piratë që futen në linja pa licencë, me këtë objekt: Jepni zgjidhje përfundimtare të këtij shqetësimi ekonomik që po rëndon ekonominë për familjet e tyre. Në kërkesën e tyre, shoferët e 51 furgonëve të licencuar taksi 8+1, shprehen se kanë besim dhe bindje të plotë tek vullneti i krye-bashkiakut Erjon Veliaj, për ta “operuar” dhe zhdukur përfundimisht “gangrenën” 25 vjeçare të piraterisë së transportit të palicencuar. Ata kërkojnë prej krye-bashkiakut Veliaj, që këtë shqetësim e problem të madh, ta bëjë objekt të një reforme radikale, të qëndrueshme e të zbatueshme, që do të vendos jo vetëm zbatimin e ligjit në transportit e udhëtarëve në Tiranë me furgonët taksi, por edhe do vendos standarde transporti udhëtarësh siç e kërkon licencimi për leje transporti, duke i dhënë fund transportit “xhungël”, ku nuk njihet e nuk zbatohet ligji, por rrumpalla e lejuar prej shtetit e 450 furgonëve ilegalë e pa asnjë kontroll teknik, pa asnjë kontroll të figurës së atyre që drejtojnë këto mjete ilegale (hajdutë, kriminelë, halabakë, horra, të pa edukatë e deri zhulsa) që futen ilegalisht me automjete “skrap” me shërbim në transportin e udhëtarëve.