5-vjetori i Shqipërisë në NATO, Bujar Nishani: Synimi i radhës, integrimi në BE

139

Me rastin e 5-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, Presidenti i Republikës Bujar Nishani ka zhvilluar mbrëmjen e djeshme një pritje në Pallatin e Brigadave.

Pavarësisht përplasjeve të fundit për aktivitetet e organizuara me rastin e 5- vjetorit të Shqipërisë në NATO, e pranishme në pritje ishte edhe ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli. Të tjerë të pranishëm në këtë takim ishin ambasadori i Shteteve të Bashkuara Aleksandër Arvizu, Drejtori për Europën Jugore dhe Qendrore në Departamentin Amerikan të Shtetit, Jonathan Moore, ish-Kryeministri Sali Berisha, Kryetari i Bashkisë Lulzim Basha, përfaqësues të komuniteteve fetare etj. Gjatë fjalës së tij Presidenti theksoi se, me anëtarësimin në NATO Shqipëria përmbushi një synim strategjik dhe se, objektivi i radhës është integrimi i saj në BE. “Duhet të forcojmë demokracinë funksionale, të ndërtojmë një administratë funksionale, të reformojmë drejtësinë bazuar në meritë, transparencë, por mbi të gjitha na duhet dialog i vazhdueshëm politik me rrahje argumentesh për të gjetur konsensusin e domosdoshëm. Marrja e statusit të vendit kandidat do ishte përshkrim i një etape në itinerarin tonë europian”,- u shpreh Nishani.

 Ai vuri në dukje përpjekjet e vazhdueshme që Shqipëria bëri për t’u bërë pjesë e NATO-s dhe kontributin që ajo po jep në stabilitetin rajonal dhe paqen në botë. Ai theksoi se, NATO ishte një aspirate që u realizua falë kulturës së bashkëpunimit. Presidenti Nishani e cilësoi një përpjekje të dobët krahasimin e çështjes së Krimesë me Kosovën. Ai theksoi se Aneksimi i Krimesë nga Rusia tregoi se, siguria në rajon nuk është imune dhe theksoi se, Shqipëria mbështet SHBA në qëndrimet e saj ndaj Rusisë. Presidenti i Republikës, u takua dje me Drejtorin për Europën Juglindore në Departamentin Amerikan të Shtetit(DASH), Jonathan Moore. Gjatë takimit z.Moore vuri në dukje se, për shkak të diferencave të krahëve politikë, Presidenti mund të luajë një rol të rëndësishëm për afrimin e tyre. Zyrtari i DASH gjithashtu, tërhoqi vëmendjen se lufta kundër korrupsionit duhet të përfshijë institucionet e drejtësisë dhe jo institucionet politike.