“4 mijë familje rezidente në këtë zonë do të furnizohen me 24 orë ujë në ditë”

463
Sigal

Ministri Olldashi : “Në prill fillon investimi prej 76 milionë dollarë për ujësjellës të ri në Durrës”

“Në muajin prill të vitit të ardhshëm do nis investimi për ujësjellësin e ri të qytetit të Durrësit”,- premtoi dje nga Durrësi ministri i Punëve Publike, Sokol Olldashi. Sipas Olldashit, investimi në fjalë kap vlerën 76 milion dollarë dhe do të mundësohet falë një kredie të Bankës Botërore. Sipas ministrit, ky investimin pritet të zgjidhë përfundimisht problematikën e theksuar të qytetit të Durrësit, përsa i përket furnizimit me ujë të pijshëm. Lidhur me këtë deklaratë të dhënë nga Olldashi në ceremoninë e përurimit të një ujësjellësi në zonën e banuara të Shkëmbit të Kavajës, ai ka sqaruar se : “Në muajin prill do fillojmë investimin prej 76 milionë dollarësh për ujësjellësin e ri të qytetit, një kredi e financuar nga Banka Botërore. Investimi në fjalë do të zgjidhë përfundimisht problematikën e furnizimit me ujë të qytetit të Durrësit. Tashmë jemi në diskutimin e çështjeve teknike të kredisë”,- tha Olldashi. Pas njoftimit për zgjidhjen në perspektivë të problemeve te furnizimit te qytetit bregdetar me ujë të pijshëm, Olldashi ka theksuar se do të zgjidhet plotësisht edhe sistemimi i ujërave të zeza të Durrësit dhe zonës së plazhit, duke rritur më tej performancën  e tij turistike. Ai ka kumtuar se vera e ardhshme do ta gjejë zonën turistike të plazhit të Durrësit dhe Shkëmbit të Kavajës pa problematikat e theksuara, përsa i përket sistemit të kanalizimeve të ujërave të zeza dhe furnizimit me ujë të pijshëm. Në shkurt të 2013-ës përfundojnë punimet për kolektorin e ujërave të zeza për të gjithë vijën bregdetare. Ujërat e zeza që derdheshin në det dhe ndotja e lartë e ujit të detit përgjatë gjithë vijës bregdetare të Durrësit ka shkaktuar jo rrallë herë pakënaqësi në mesin e pushuesve që frekuentonin këtë vijë bregdetare.  Këto deklarata ministri Sokol Olldashi i ka dhënë në ceremoninë e përurimit të ujësjellësit të ri për zonën turistike të Shkëmbit të Kavajës. “4 mijë familje rezidente në këtë zonë do të furnizohen me 24 orë ujë në ditë. Janë një numër i madh investimesh nga Manza drejt periferisë së Durrësit, plazhit dhe Shkozetit, ku po kryhen investime serioze për furnizimin me ujë të pijshëm, por edhe për sistemin e rrjetit të kanalizimeve”,- tha ministri në fjalën  së rastit.