30 ambasadorë, sekserë për bizneset e 7 ministrave dhe 32 deputetëve

612
Skandalet zyrtare të shtetit shqiptar dhe përfaqësuesve të tij, prej kohësh kanë kaluar dhe kufijtë e Shqipërisë, duke gjetur e krijuar terren veprimi në shumë vende të botës, “veshur” me petkun zyrtar. Një nga këto skandale që po vazhdon, që po lejohet dhe nuk po ndalet prej shtetit shqiptar është veprimtaria private e përfaqësive diplomatike, vënë totalisht e hapur në shërbim të interesave private të shtetarëve qendrorë dhe familjarëve të tyre në Tiranë e në shtete të ndryshme të botës, ku Shqipëria ka seli diplomatike, madje diplomatët ushtrojnë aktivitet biznesi edhe në shërbim të bizneseve të tyre private! Çfarë ndodh konkretisht në selitë diplomatike shqiptare në botë? A po merren diplomatët shqiptarë me diplomaci shtetërore për integrimin dhe fuqizimin e interesave të vendit, apo të interesave private të shtetarëve e familjarëve dhe të tyret? A është zëvendësuar diplomacia shtetërore shqiptare në botë, me “diplomacinë” e bizneseve ekonomike private? Kush e lejon këtë skandal? Kush e ka krijuar këtë lloj diplomacie? Çfarë qëndrimi po mbahet nga shtetet ku ambasadorët dhe selitë zyrtare diplomatike shqiptare, janë kthyer në “sekserë” të bizneseve të shtetarëve? 
Fakti/ 30 shtete, denoncojnë diplomatët shqiptarë, “sekserë” biznesesh private
Fakti, që shërbimi diplomatik shqiptar është strukturë e cila dekretohet nga kreu i shtetit, ka adresuar krerët e disa shteteve ku Shqipëria ka shërbim diplomatik, me një raport të detyruara denoncues të veçantë e specifik, drejtuar kreut të shtetit shqiptar Bujar Nishani, madje për dijeni e “vëmendje” edhe kryeministrit Edi Rama. Raporti informues, që konsiderohet skandal diplomatik, ka lidhje me faktin që ambasadorë të Shqipërisë në 30 vende të botës, ushtrojnë veprimtari prej “sekseri” biznesesh, duke kontaktuar dhe adresuar ato në bizneset pronë të shtetarëve shqiptarë në Tiranë dhe bizneseve që kanë në shtetet ku është futur në veprim kjo veprimtari diplomatike private. Sipas raportit “sekret”, në shtetet ku Shqipëria ka kontakte e partneritet zyrtar për lidhje ekonomike dhe referime për thithje investimesh të huaja, ambasadorët shqiptarë referojnë kontakte private për lidhje ekonomike. Ata i rekomandojnë investimet dhe bizneset e huaja, jo tek institucionet e shtetit, por tek bizneset private të shtetarëve shqiptarë! Janë 30 ambasadorë e qindra diplomatë në selitë diplomatike shqiptare në botë, të cilët janë hedhur në veprim si sekserë të bizneseve të shtetarëve e politikanëve të lartë shqiptarë, duke zbuluar e orientuar eksportet dhe investimet drejt tyre. Ajo që bëjnë ambasadorët është ky marifet: ata i prezantojnë bizneset e shtetarëve dhe të tyret, si biznese që janë projekte zhvilluese prioritare të shtetit shqiptar, kur në fakt janë thjeshtë dhe vetëm biznese si gjithë bizneset e tjerë që ushtrojnë aktivitet në Shqipëri. Kanë vetëm një veçanti: se janë të shtetarëve, të cilët kanë fuqinë për të adresuar investimet dhe bashkëpunimin e huaj ekonomik drejt bizneseve të tyre e jo drejt projekteve zhvilluese të ekonomisë kombëtare! Skandali lidhet me faktin, që 30 ambasadorët e denoncuar nga shtetet ku ata shërbejnë, zhvillojnë veprimtari ekonomike nën kostumin e shtetit shqiptar, por veprojnë si “sekserë” për bizneset e 7 ministrave dhe 23 deputetëve shqiptarë!
Veprimtaria e “ambasadorëve sekserë”, bllokon 145 projekte investimesh gjigande 
Sipas informacioneve që kanë ardhur nga 30 shtete të botës, kjo diplomaci ekonomike private e klienteliste që bëjnë ambasadorët shqiptarë në vendet ku janë rezidentë diplomatikë, ka krijuar jo vetëm një imazh denigrues e degradues për diplomacinë shqiptare jashtë vendit, por edhe një bllokazh të plotë për partneritetin ekonomik me shtetet e tjera. Të gjendur përballë skandalit të rëndë të veprimtarisë private ekonomike të ambasadorëve shqiptarë, të huajt kanë krijuar një bllokazh të heshtur të mbështetjes ekonomike me shkëmbime mallrash, me shërbime e investime ekonomike. Ka një realitet, që është përmendur shpesh jo vetëm në media, por edhe në raportin e fundit investigues të OSBE, ku denoncohet fakti i rëndë e skandaloz, që shumë diplomatë shqiptarë në shtetet e botës, prezantojnë bizneset e tyre, të shtetarëve e familjarëve të tyre në guidat zyrtare ekonomike, si politika referuese ekonomike të shtetit shqiptar! Po kështu, ka shtetarë shqiptarë, të cilët bëjnë familjarët dhe ortakët e tyre pjesë të delegacioneve ekonomike dhe të guidave ekonomike prezantuese prioritare, duke i prezantuar si “elita” e biznesit shqiptar që kërkon mbështetje me financime e teknologji! Ky skandal i rëndë i diplomacisë shqiptare, nuk i ka shpëtuar “syrit” të diplomacisë botërore, ndaj dhe prej saj ka ardhur reagimi, i cili ka çuar deri në shpërfillje të kërkesave shqiptare, për investime dhe bashkëpunim ekonomik tregtar e shërbimesh të çdo sektori. Investitorët e huaj, pasi kanë konstatuar faktin, që ambasadorët shqiptarë i adresonin në bizneset e shtetarëve shqiptarë dhe në bizneset e tyre, anulonin jo vetëm projektet, por edhe kontaktet. Vetëm në 8 muajt e fundit, për shkak të kësaj lloj diplomacie ekonomike private e klienteliste prej ambasadorëve “sekserë” të bizneseve të shtetarëve shqiptarë, por edhe të bizneseve të tyre, nga 21 shtete janë bllokuar 145 projekte investimesh gjigande, që ishin planifikuar të bëheshin në Shqipëri në 8 sektorë, sidomos në shëndetësi, infrastrukturë, agro-biznes, pyje, ujëra etj. 
Ja 30 ambasadat, ku diplomatët bëjnë rolin e sekserëve të bizneseve të shtetarëve shqiptarë
1. Ambasada e Shqipërisë në Rusi
2. Ambasada e Shqipërisë në Serbi
3. Ambasada e Shqipërisë në SHBA
4. Ambasada e Shqipërisë në Turqi
5. Ambasada e Shqipërisë në Zvicër
6. Ambasada e Shqipërisë në Kuvajt
7. Ambasada e Shqipërisë në Katar
8. Ambasada e Shqipërisë në Çeki
9. Ambasada e Shqipërisë në Sllovaki
10. Misioni i Shqipërisë në UNESCO
11. Ambasada Shqiptare në Holandë
12. Ambasada Shqiptare në Pakistan 
13. Ambasada e Shqipërisë në Francë
14. Ambasada e Shqipërisë në Hungari
15. Ambasada e Shqipërisë në Kanada
16. Ambasada e Shqipërisë në Kinë
17. Ambasada e Shqipërisë në Kosovë
18. Ambasada e Shqipërisë në Kroaci
19. Ambasada e Shqipërisë në Itali
20. Ambasada e Shqipërisë në Izrael
21. Ambasada e Shqipërisë në Austri
22. Ambasada e Shqipërisë në Brazil
23. Ambasada e Shqipërisë në Bullgari
24. Ambasada e Shqipërisë në Maqedoni
25. Ambasada e Shqipërisë në Japoni
26. Ambasada e Shqipërisë në Rumani
27. Ambasada në R. Federale Gjermane
28. Ambasada Shqiptare në Berlin, Gjermani
29. Ambasada në Emiratet e Bashkuara Arabe
30. Ambasada e Mbretërinë e Arabisë Saudite
Sigal