3 milionë për t’u bërë pedagog i jashtëm, 30 milionë për t’u bërë definitiv

2820
Lindita MALO

Organet hetimore/ Janë mbi 3640 dosje në shkallë vendi, lidhur me denoncimet dhe aferat korruptive të pedagogëve në këto universitete

Thellohet korrupsioni ne universitete, pazare me shefat e dekanët në fakultetet e universiteteve 

“Do të bëhesh padagog i jashtëm, jep 3 milionë lekë, dhe je OK, ama nëse do të bëhesh definitiv, jep 30 milionë”, dhe kjo ndodh edhe kur ke një diplomë false apo master dhe doktoraturë të blerë. Kjo aferë gjen terren pothuajse në të gjithë universitetet tona publike. Një skandal i vërtetë, që nuk po ndalet dhe ka gjetur terren në të gjithë fakultetet e universiteteve tona duke nisur nga Tirana , Elbasani, Durrësi, Korça, Gjirokastra, Shkodra e Vlora. Një aferë e pastër korruptive, e cila ka përfshirë rektorë, dekanët dhe shefat e departamenteve, duke u shtrirë në gjitha degët pa asnjë përjashtim. Si zakonisht çdo muaj tetor, me rastin e fillimit të vitit akademik, në çdo fakultet në universitetet tona publike, nis edhe procesi i dorëzimit të dokumentacionit të personave që janë të interesuar të inkuadrohen dhe të japin orë mësimi në degë dhe lëndë të ndryshme, si pedagogë të jashtëm. Por aplikimi nis edhe për pedagogët definitive. Korrupsioni nis me pazaret e pranimit të dosjeve dhe përfundon tek afera 3 milionëshe apo urdhri me celular nga deputeti, ministri apo ndonjë drejtues tjetër politikan qendror apo lokal. Pra ndarja dhe seleksionimi bëhet duke pasur parasysh tarafin (frikën) dhe korrupsionin, kush jep paranë ai edhe kualifikohet. Kjo gjë ndodh prej vitesh pothuajse në të gjitha universitetet tona publike, duke e thelluar skandalin e korrupsionit. Dekanët dhe shefat e departamenteve japin dhe marrin vetëm me shefat e tyre apo me sekserët e pretendentëve që duan të kapin disa orë si pedagogë të jashtëm. Sipas burimeve nga disa fakultete të disa prej universiteteve tona publike bëhet e ditur se “vlera e aferës korruptive ka vite që funksionon dhe nuk ka shanse të ndalet, dhe shkon deri në 3 milionë lekë, por rregullisht funksionon edhe taraf, ose frika nga “I madhi”, dhe këtu futet SMS-ja e deputetit, ministrit, zv/ministrit, kryetarit të partisë apo drejtuesit me peshë në institucione”. Paratë e kësaj afere merren sikur të ishin para rroge, ndahen në kafene, zyra, korridore dhe askush nuk pyet se mund të zbulohet, survejohet, kapet në flagrancë, por mjafton të mbushë xhepat me milionat e atyre që edhe pse nuk e meritojnë, edhe pse skualifikohen sërish gjejnë mundësinë të futen në listën e pedagogëve të jashtëm, pa përmbushur asnjë kriter. Mjaft pedagogë dhe lektorë të ndershëm nga universitetet publike dhe fakultetet e tyre kanë deklaruar për “Telegraf”, se “korrupsioni në universitetet tona nuk ndalet, nuk ndalet edhe pse organet hetimore kanë mbi 3640 dosje hetimore në shkallë vendi, lidhur me denoncimet dhe aferat korruptive të pedagogëve në këto universitete, nuk ndalet edhe pse shkelen procedurat e pranimit të pedagogëve të jashtëm, duke lënë jashtë listave persona që plotësojnë kriteret e vendosura nga Ministria e Arsimit e Sporteve, dhe Rektorati e universiteteve”. Asnjë kompromis bazuar mbi kritere, asnjë transparencë lidhur me pikëzimet, asnjë sqarim institucional, por vetëm inkompetencë, paaftësi, dhe së fundi zhytje në afera korruptive, një babëzi e paparë. Universitetet tona publike prej vitesh janë kthyer në vatra të korrupsionit, duke ngritur në sistem gjithçka që nevojitet për ta mbrojtur këtë njollë të zezë turpi, këtë krim, i cili ka deformuar proceset e mësimdhënies, duke nxjerrë çdo vit nga dyert e fakulteteve studentë të dobët dhe të paformuar, gjë e cila jep pasoja negative në rrugën e tyre të gjatë të jetës profesionale. Ata që bëjnë pazare me pretendentët për pedagogë definitive apo të jashtëm në universitetet tona publike, nuk e kanë të vështirë të bëjnë pazare edhe me studentët e tyre, madje ndaj këtyre të fundit, kanë krijuar celulat e korrupsionit qysh muajt e parë të vitit të parë. Mbetet detyrimi moral dhe ligjor i Rektoratit të universiteteve tona publike, (në rast se kanë të tillë akoma) të kontrollojnë dhe ndalin ekspansionin e celulave të korrupsionit duke ushtruar kontrolle të vazhdueshme mbi zbatimin e kritereve nga ata, që kanë krijuar monopolin e paracaktimit të listave emërore çdo fillimviti edhe për pedagogët e jashtëm në të gjitha fakultetet. Paracaktimi i listave të rekrutimeve, nuk duhet të kthehet në mundësi për të mbushur xhepat e ekipit abuzues të vlerësimit apo kënaqur dëshirat dhe tekat e ndonjë deputeti apo politikani. Mjafton të shikosh dhe lexosh listat e miratuara çdo vit dhe të bindesh, se fakultetet dhe departamentet e universiteteve tona publike, janë privatizuar nga të paaftët, të përfolurit dhe të denoncuarit, nga ata që bëjnë lista studentësh kur vijnë provimet dhe u zhvatin paratë dhe të bindesh, se reforma në arsimin e lartë duhet të nisë në fillim nga çmontimi i këtyre strukturave të zeza dhe për të shpëtuar pjesën e shëndoshë të stafeve akademike dhe universitetet publike, e cila sot ndjehet e tkurrur nga pasha e turpit. Në numrat në vijim do të bëjmë me dije shumat që janë dhënë për çdo provim në fakultetet e kryeqytetit, ato të qarqeve, pedagogët e arrestuar dhe ata të proceduar, por që e kanë mbyllur çështjen në organet e hetimit.
Sigal