29 shtetarë, masa sigurie nga terrorizmi për veten dhe familjet

623
Çfarë po bëhet në Shqipëri, pas masakrës së Parisit? A jemi të mbrojtur përballë rrezikut të akteve terroriste? A ka sinjale për akte terroriste në Shqipëri dhe si janë vlerësuar? A janë zbatuar detyrimet kushtetuese dhe aktet ligjore për zbatimin e strategjisë së sigurisë kombëtare në Shqipëri? Prej sa vitesh nuk bëhet përshtatja e strategjisë kombëtare në Shqipëri, përshtat strategjive të reja që ka krijuar veprimtaria terroriste në botë e pse jo edhe në territorin shqiptar, qoftë kjo edhe nxitëse, apo mbështetëse me propagandë? A ka nisur shteti shqiptar, të marrë masa sigurie shtesë mbi masat e zakonshme të sigurisë? 
Shtetarët, masa sigurie vetëm për… veten!
Deri sot, 7 ditë pas ngjarjeve në Paris, rezulton se të vetmet masa që ka marrë shteti “për sigurinë kombëtare” pas ngjarjeve të Parisit, janë këto dyja: 
1. Shtoi edhe 100 agjentë e forca speciale, roje për jetën, banesat dhe familjarët e ministrave dhe disa deputetëve brenda “oborrit” të kupolës qeveritare. 
2. Seanca e djeshme parlamentare, u zhvillua nën masa të forta sigurie me polici shteti e forca të shumëfishuara të Gardës së Republikës, me agjentë civilë të SHISH e të policisë sekrete, me gardistë e buodigardë, të cilët qëndronin “vigjilentë” pranë makinave të deputetëve e shtetarëve, poshtë hijeve të pemëve e gëmushave përgjatë kangjellave të ndërtesës së parlamentit, si masë sigurie për jetën shtetarëve e politikanëve, të cilët edhe dje brenda sallës së parlamentit, për 8 orë me radhë servirën “terrorin e të enjtes” së radhës me fyerje, kërcënime e shantazhe ndaj njeri-tjetrit, duke u përcjellë shqiptarëve e mbarë botës, llojet dhe sasinë e krimeve të tyre që kanë bërë e po vazhdojnë të bëjnë në këto 25 vite, krime që në fakt janë realitet i pa ndëshkuar, janë provë dhe tregues i plotë pasigurie për ekonominë, jetën dhe integrimin e vendit në BE. Këto dy masa sigurie, të marra prej shtetit pas ngjarjeve në Paris, por vetëm për jetën… e shtetarëve, nuk është gjë tjetër veçse një panik dhe përkujdesje sigurie që ata tregojnë për jetët e tyre, për familjet dhe pasuritë e tyre. Madje, nuk po marrin masa sigurie për të siguruar as institucionet qendrore e lokale dhe as mjediset publike, ku çdo orë të ditës qarkullojnë, punojnë, mësojnë e çlodhen, ku trajtohen me shërbime mjekësore, transporti, ushqimi e administrative mijëra njerëz. Çfarë po ndodh? 
Sinjalet dhe “gjurmët” e ISIS në Shqipëri, shërbimet e huaja mbledhin në takim sekret urgjent krerët e shtetit shqiptar 
Atë që nuk e bëri shteti për 7 ditë radhazi dhe që nuk mendohej se mund ta bënte për të marrë masat për sigurinë kombëtare dhe sigurinë e jetës të qytetarëve, qetësisë e pronës së shqiptarëve, sipas burimeve të gazetës “Telegraf”, u detyruan ta bëjnë dje mbasdite, drejtues dhe ekspertë të shërbimeve të huaja të sigurisë “rezidentë” në Shqipëri, duke mbledhur në një takim urgjent e të posaçëm në zyrën e kreut të shtetit shqiptar, gjithë shërbimet shtetërore vendase e të huaja që veprojnë dhe që kanë lidhje me sigurinë kombëtare. Kujtojmë, që 24 orë pas ngjarjes në Paris, kreu i shtetit Bujar Nishani, në vend që sipas detyrimit kushtetues të mblidhte Këshillin e Sigurisë Kombëtare, thirri në takim vetëm kreun e SHISH. Madje, nuk thirri asnjë drejtues tjetër që e njeh, që e përcakton dhe e detyron Kushtetuta, minimalisht nuk thirri as Ministrin e Brendshëm dhe as Ministren e Mbrojtjes, dy drejtuesit shtetëror të shërbimeve që kanë lidhje direkt e totale me sigurinë fizike të shtetit, të popullit e territorit të vendit! Ky bashkëpunim i krerëve të shtetit shqiptar që e detyron Kushtetuta dhe situata e për më tepër, thirrja që po bëjnë institucionet ndërkombëtare dhe shtetet lider të NATO e shërbimeve inteligjente, nuk u bë edhe pse në “veshin” e shërbimeve sekrete e shtetërore të Shqipërisë, ka pasur dhe janë dërguar informacione për sinjale e “gjurmë” të veprimtarisë së ISIS edhe në territorin e Shqipërisë edhe pas ngjarjeve në Paris! Nuk ishte thjeshtë mesazhi dërguar tek ministri Tahiri dhe as barcaletat që qarkullojnë në “FB” e kafeneve, por janë sinjale të forta të lëshuara prej ISIS për akte terrori të planifikuara edhe në Shqipëri, sinjale këto që deri dje në mbrëmje përpara mbledhjes urgjente që kanë bërë shërbimet e huaja të sigurisë, janë shpërfillur prej krerëve të shtetit shqiptar, të cilët në të tilla situata nuk u bashkuan as për të mbledhur formalisht Këshillin e Sigurisë Kombëtare sa për… “protokoll”. Nuk dihet, se për çfarë interesash, prapaskenash e motivesh e të qëllimshme apo neglizhente, shtetarët shqiptarë nuk u mblodhën për të marrë masa të forta sigurie, por dihet fakti që pas masakrës terroriste në Paris, masa sigurie “extra” po marrin edhe shtete të fuqishme në botë si SHBA, Gjermani, Angli, Kanada, Austri, Danimarkë, Itali etj, të cilët buxhetin e sigurisë kombëtare e kanë shtuar këto ditë edhe 100 herë më tepër se vlera financiare e 100 buxheteve vjetore të Shqipërisë! Sipas burimeve të gazetës “Telegraf”, në takimin urgjent “sekret”, të zhvilluar dje mbasdite prej shërbimeve të huaja të sigurisë që veprojnë në Shqipëri me disa nga krerët e shtetit dhe shërbimet e sigurisë në Shqipëri, mësohet se janë bërë prezent informacionet dhe provat për akte të mundshme terroriste për krime e panik publik, që ISIS kanë planifikuar të kryej në Shqipëri. Një nga sinjalet terroriste të veprimtarisë së ISIS, janë provat e shumta të panikut të ditëve të fundit, bërë prej telefonatash “anonime” për vendosje bombash, gjetje çantash “bombë” dhe prezencë kamikazësh “bombë” në mjedise publike si universitete, institucione fetare, qendra tregtare, kulturore, në shkolla, parqe, institucione shtetërore, shërbime transporti publik, mjedisesh qendra banimi etj. Në këtë takim, referuar informacionit të mbledhur prej shërbimeve të huaja dhe prej shtetit shqiptar është ndërtuar edhe “harta” e mundshme e akteve të planifikuara terroriste prej ISIS, por edhe prej forcave të tjera destruktive e kriminale që kanë veprimtari aktive e të “fjetur” në Shqipëri, por që pas ngjarjeve në Paris, mund të nisin aktet terroriste, për të krijuar trazira! 
Testimi i “Telegraf”/ 1790 institucione dhe 310 qendra publike, me “porta të shqyera” për akte terrori
Pas aktit terrorist të ndodhur në datën 13 nëntor 2015 në Paris, gazeta “Telegraf”, përsëriti denoncimin për faktin skandaloz, që në Shqipëri prej afro 7 vitesh nuk mblidhet Këshilli i Sigurisë Kombëtare, skandal të cilin e ka denoncuar edhe 11 muaj më parë. Ky këshill, nuk po mblidhet edhe sot, 7 ditë pas aktit terrorist të ndodhur në Paris. Secili shtetar shqiptar, del e reciton fjalime e citate “sigurie, trimërie e force” përballë terrorizimit, ndërkohë nuk kanë zhvilluar as mbledhjen rutinë të këshillit të Sigurisë Kombëtare, siç e kërkon Kushtetuta e për më tepër situata aktuale. Po a kemi siguri në jetë, në punë, në rrugë, në tregje, në biblioteka, në parqe, në spitale, në zyrat e shtetit, në shkolla, në miniera, në puse nafte, në ujësjellës, në autobusë, në trena, në aeroport, në avionë e deri në shkallët e pallateve? Për të verifikuar, se sa siguri ka në Shqipëri, pas ngjarjeve në Paris, për 6 ditë radhazi (deri dje në mbrëmje), nëpërmjet gazetarëve dhe bashkëpunëtorëve të saj, gazeta “Telegraf” bëri një vëzhgim dhe testim, lidhur me sigurinë në institucionet shtetërore dhe qendrat publike në 5 qytete kryesore të vendit, konkretisht në Tiranë, Elbasan, Shkodër, Vlorë, Gjirokastër e Korçë. Çfarë konstatoi? Përveç ministrisë së Mbrojtjes, SHISH dhe Gardës së Republikës që janë “rezidenca ushtarake” të armatosura e të vetë-mbrojtura, pothuajse të gjithë ndërtesat e ministrive të tjera, madje edhe edhe edhe selia e kryeministrisë, janë jashtë sigurisë së plotë, duke qenë porta të shqyera për depërtimin dhe realizmin e akteve terroriste! Jashtë sigurisë janë qendrat e banimit të studentëve e nxënësve në Tiranë, Kamzë, Vlorë, Korçë, Elbasan, Shkodër si dhe 10 konviktet e nxënësve para-universitarë në 11 qendra prefekturash. Jashtë sigurisë janë universitetet dhe fakultetet në Tiranë, Kamzë, Durrës, Vlorë, Berat, Fier, Korçë, Shkodër etj. E po kështu, jashtë sigurisë së plotë janë shkollat dhe kopshtet e fëmijëve, në të cilat thuhet se ka roje që paguhen me lekët e prindërve të nxënësve, por që edhe kur u futesh në oborret dhe mjediset e shkollave nuk u del as gjumi i natës e nuk mban në detyrë as neglizhenca e plotë! Jashtë sigurisë janë qendrat spitalore, klinikat e madje edhe vetë urgjencat që thuhet se kanë mjekë e roje zgjuar gjatë ditës e natës! E po kështu, nuk ka siguri as në mjedise publike si tregje, qendra tregëtare, depo uji e ujësjellësa, në fabrika prodhimi ushqimesh, në stadiume, në pallate sporti, në miniera, madje as në Bilbliotekën Kombëtare e as kudo, ku shteti shqiptar del e garanton se… “ka siguri”! Realisht, a ka siguri në mjediset publike shqiptare? Kudo, madje edhe nëpër ministri, qendra tregtare, shkolla, universitete, spitale e parqe, jo vetëm “ustallarët” e akteve terroriste, por kushdo mund gjej terren për të piketuar e realizuar një akt terrorist. Këtë e tregon fakti që tashmë e kemi në dorë si provë të dokumentuar: Sipas informacionit të marrë prej testimit investigues të bërë në 6 ditët e fundit prej gazetës “Telegraf”, rezulton se në 1790 institucione dhe 310 qendra publike në 5 qytete kryesore nuk ka siguri edhe spe ka roje institucioni, roje private e ndonjë roje polic shteti, këto institucione faktikisht janë “porta të shqyera” për akte terrorizmi!
Ja Ligji Nr. 8869, datë 22.5.2003 “Për Gardën e Republikës”, që mbron vetëm shtetarët dhe familjet e tyre edhe 2-4 vjet pas detyrës
(Ndryshuar me VKM Nr. 871, datë 30. 10. 2015 “Për një shtesë në VKM NR. 590, datë 5. 9. 2007 “Për caktimin e banesave të personaliteteve të larat shtetërore të vendit, të selive, rezidencave dhe objekteve të tjera shtetërore që do të ruhen nga Garda e republikës së Shqipërisë”)
Neni 4 
Garda e Republikës së Shqipërisë ruan e mbron: 
1. Presidentin e Republikës
2. Kryetarin e Kuvendit 
3. Kryeministrin, si dhe familjet e tyre 
4. Personalitetet e huaja, që vijnë në vendin tonë, në rang të njëjtë me personalitetet shqiptare 
5. Kryetarin e Gjykatës Kushtetuese
6. Zëvendëskryetarët e Kuvendit 
7. Anëtarët e Këshillit të Ministrave 
8. Kryetarin e Gjykatës së Lartë 
9. Prokurorin e Përgjithshëm
10. Kryetarin e SHISH
11. Kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit
12. Guvernatorin e Bankës së Shtetit
13. Avokatin e Popullit
14. Kryetarin e KQZ 
15. Kryetarin e partisë më të madhe të mazhorancës parlamentare 
16. Kryetarin e partisë më të madhe të opozitës parlamentare 
17. Kryetarin e Bashkisë së Tiranës 
18. Rezidencën presidenciale 
19. Rezidencën e Kuvendit 
20. Rezidencën e Këshillit të Ministrave
21. Presidenti i Republikës së Shqipërisë ruhet edhe 4 vjet pas lirimit nga funksioni 
22. Kryetari i Kuvendit edhe 3 vjet pas lirimit nga funksioni
23. Kryeministri ruhet edhe 3 vjet pas lirimit nga funksioni, 
24. Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, 
25. Kryetari i Gjykatës së Lartë, ruhet edhe 2 vjet pas lirimit nga funksioni
26. Prokurori i Përgjithshëm, ruhet edhe 2 vjet pas lirimit nga funksioni 
27. Ministri i Rendit Publik, ruhet edhe 2 vjet pas lirimit nga funksioni
28. Kryetari i SHISH, ruhet edhe 2 vjet pas lirimit nga funksioni
Aktet terroriste nuk evitohen vetëm me kamera sigurie
Urdhri i lëshuar shtetit shqiptar, në kuadër të masave për të evituar terrorizimin është vendosja e kamerave të sigurisë nëpër disa objekte të paracaktuara si qendra me rrezik për akte terroriste. Mirëpo a mjafton kjo? Ka një logjik të thjeshtë. Aktet terroriste nuk evitohen vetëm me kamera sigurie! Çfarë parashikon ky urdhër? Bizneset që nuk do të vendosin kamera sigurie mund të përballen me sanksione administrative deri në pezullimin e aktivitetit. Kjo parashikohet në pr/ligjin që është në diskutim e sipër nga Ministria e Brendshme dhe që sunon marrjen e masave shtesë për sigurinë për kategorinë e subjekteve. Drafti parashikon gjoba nga 5 deri në 100 mijë lekë për mos-marrjen e masave shtesë të sigurisë. Kur kjo nuk përbën vepër penale, vendoset gjobë. Drafti parashikon që për biznesin e madh, masa e gjobës është nga 50 mijë deri në 100 mije lekë, ndërsa për biznesin e vogël masa e gjobës është nga 5 mijë deri ne 20 mijë. Sipas këtij drafit gjoba vendoset nga Policia Vendore 30 ditë nga njoftimi për marrjen e tyre. Nëse pas 60 ditëve nga vendosja e gjobës, nuk përmbushen detyrimet e caktuara në këtë ligj, subjektit i hiqet Vërtetimi i Sigurisë. Në rast se subjekti nuk përmbush detyrimet e përcaktuara në këtë ligj, Policia Vendore njofton zyrtarisht autoritetin përgjegjës për pezullimin/mbylljen e aktivitetit.
7 llojet e subjektet private, që detyrohen të marrin masa shtesë sigurie
1. Subjektet që kanë selinë, mjediset e punës dhe aktivitetin tregtar, në vende të ekspozuara ndaj rrezikut të shtuar për sigurinë, sipas vlerësimit të analizës së riskut të bërë nga Policia e Shtetit.
2. Subjektet që kanë mbi 50 punonjës dhe/ose frekuentuesish që në mënyrë të vazhdueshme, akomodohen apo frekuentojnë në të njëjtën kohë një mjedis të hapur ose të mbyllur.
3. Subjektet që ushtrojnë aktivitet tregtar nga ora 23.00 deri 06.00.
4. Subjektet që kanë aktivitet ekonomik, xhiro vjetore e të cilës është mbi 10 milionë lekë.
5. Subjektet që ushtrojnë veprimtari në fushën e lojërave të fatit.
6. Subjektet që administrojnë mjedise të hapura apo të mbyllura për fëmijë, si shkolla, kënde lojërash dhe që vlerësohen nga Policia e Shtetit si burim rreziku i shtuar.
7. Subjektet që kryejnë veprimtari transporti publik (udhëtarësh, nxënësish) dhe të mallrave të rrezikshme.
4 masat shtesë të sigurisë
1. Përdorimi i sistemit të kamerave të tipit ÇTV, me rezolucion të lartë, me rreze infra të kuqe, që ruajnë imazhet filmike në NRV/Server deri në 2 muaj.
2. Përdorimi i pajisjeve elektronike të teknologjisë së lartë, për identifikimin, në funksion të sigurisë (detektorë, ura kontrolli, reader, GPS etj).
3. Lidhje direkt të sinjalit për ruajtjen e objektit me sallat e komandimit / informacionit të Policisë së Shtetit.
4. Përdorimi i Shërbimit Privat të Sigurisë Fizike (SHPSF). 
—————————————————-
Ja rreziqet që sipas ligjit të sigurisë kombëtare, klasifikohen “Rreziqe potenciale” 
Ligj Nr. 103/2014 “Për miratimin e strategjisë së sigurisë Kombëtare të Republikës së Shqipërisë”
Klasifikimi i rreziqeve
Ja 5 rreziqet e nivelit të parë
1. Korrupsioni dhe krimi i organizuar
2. oKriza energjetike, që kërcënon sigurinë e furnizimit të RSH-së dhe cenon rritjen ekonomike
3. Mangësitë në kontrollin dhe administrimin e territorit, që kërcënojnë sigurinë individuale dhe favorizojnë trafiqet e ndryshme
4. Sulmet kibernetike nga aktorë shtetërorë ose jo shtetërorë
5. Degradimi mjedisor dhe fatkeqësitë natyrore; shkatërrimi i mjedisit, shpyllëzimi, ndotja e lumenjve dhe fatkeqësitë natyrore industriale apo të shkaktuara nga ndikimi i njeriut
Ja 5 rreziqet e nivelit të dytë
1. Sulm terrorist, përfshirë edhe përdorimin e armëve të shkatërrimit në masë, kundër territorit të RSH
2. Shfaqje e një pandemie që kërcënon në masë shëndetin publik të popullsisë
3. Rritje e radikalizmit fetar, që rrezikon vlerat e harmonisë fetare në Shqipëri dhe që mund të shkaktojë tension shoqëror
4. Aktivizimi i një vatre rajonale tensioni me pasoja për sigurinë kombëtare të RSH
5. Sulm konvencional ndaj RSH-së ose ndaj një vendi anëtar të NATO
Ja 4 rreziqet e nivelit të tretë
1. Veprimtari subversive spiunazhi kundër interesave të RSH-së;
2. Krizë financiare globale ose rajonale, që rrezikon stabilitetin e ekonomisë së RSH
3. Pasojat e ndryshimeve klimaterike në ekuilibrat natyrorë të RSH-së;
4. Rritje e emigracionit të huaj në territorin e Shqipërisë
Sigal