28 Nëntori i 2012-s, në Vlorë, orë pas ore me festën e Pavarësisë

1054
Sigal

Ora 8:00- Që në orët e para të mëngjesit Vlora është e gjallë, njerëzit  mbushin “Sheshin e Flamurit”, vendi ku do të zhvillohet festa e madhe. Flamuri ynë kombëtar dhe ngjyrat kuqezi janë ato që mbizotërojnë në këtë qytet. Pritet që personalitetet më të larta të shtetit, por edhe personalitete nga bota pritet të jenë në Vlorë për të nderuar ditën më të rëndësishme të kombit. Mijëra banorë nga rrethe të ndryshme të vendit, si dhe nga trevat shqipfolëse, janë dyndur në Vlorë me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë. Vlonjatët kanë hapur dyert e shtëpive të tyre për të pritur mysafirët. Përgjatë gjithë ditës së djeshme, grupet folklorike nga të gjitha trevat kanë mbushur rrugët dhe sheshet e qytetit bregdetar, duke shtuar atmosferën festive. Festivalet polifonike kanë çelur siparin dje dhe do të vazhdojnë deri më 29 nëntor. Me rastin e përvjetorit të Pavarësisë, muzeu i qytetit të Vlorës është i hapur 24 orë, me qëllim që të gjithë vizitorët ta vizitojnë atë në çdo orë. Larmisë së aktiviteteve të organizuara nga lokalët i janë shtuar dhe improvizimet e bëra nga shqiptarët e ardhur nga Kosova dhe Maqedonia.

Personalitete të huaja mbërrijnë në Tiranë

Ora 09:30- Me ftesë të Kryetares së Kuvendit, Jozefina Çoba Topalli, kanë ardhur në Tiranë për të marrë pjesë në festimet e 100- vjetorit të Pavarësisë. Zoti Gianfranco Fini, Kryetar i Dhomës së Deputetëve të Italisë, Jakup Krasniqi, Kryetar i Kuvendit të Kosovës, Eduard Kukan, President i Delegacionit Ndërparlamentar për Europën Juglindore në Parlamentin Europian. Po ashtu edhe Fritz Neugebauer, President i Dyte i Parlamentit të Austrisë, Michel Berson, Kryetar i Grupit te Miqesise ne Senatin francez, Jerzy Vvenderlich, Nen Kryetar i Parlamentit të Polonisë, Georgi Pirinski, Nën Kryetar i Parlamentit të Bullgarisë, Mohammed Abbou, Nën Kryetar i Parlamentit të Morokut, si edhe parlamentarë e senatorë nga Pakistani, Jordania etj..

Mbërrin në Vlorë Edi Rama

 Ora 09:45 Mbërrin Kryetari i PS-së Edi Rama, i shoqëruar nga zonja e tij Linda Rama dhe deputetë të tjerë socialistë ka mbërritur në Vlorë paraditen e sotme rreth orës 9:45 për të marrë pjesë në aktivitetet e organizuara me rastin e 100 vjetorin e Pavarësisë.

Personalitete shqiptare dhe kosovare në Vlorë

Ora 09:51 Vlora në festë, mbërrijnë personalitetet nga Shqipëria, Kosova. Ish-presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu, Bexhet Pacolli kanë shkuar mëngjesin e sotëm në Vlorë për të marrë pjesë në festimet e Pavarësisë. Ndërkohë që forca të shumta politike shqiptare ndodhen atje tashmë. Kreu i shtetit shqiptar Bujar Nishani i shoqëruar nga bashkëshortja

Mbërrin koka e Ismail Qemalit

Ora 09:52 – Teksa ende nuk ka nisur ceremonia zyrtare në Vlorë, një element shumë I bukur I festës është edhe mbërritja e një busti me kokën e Ismail Qemalit, që transportohej me një karrocë. Nuk dihet ende se ku do të vendoset ky bust. Mësohet se është sjellë nga disa tregtarë me origjinë nga Skrapari, dhuratë për ditën e Pavarësisë!

Kryeministri mbërrin në Vlorë

Ora 10:00 Kryeministri i vendit Sali Berisha i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, përfaqësues të PD-së dhe bashkë me to Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topall mbërriti në Vlorë paraditen e sotme.

Kryeministri Berisha takohet me Edi Ramën

Ora 10:03 Qyteti i Flamurit ka bashkuar në këtë 100 -vjetor politikën shqiptare. Kryeministri i vendit Sali Berisha dhe kreu i opozitës Edi Rama me një shtrëngim duarsh i kanë uruar njëri-tjetrit Pavarësinë. Politika shqiptare për herë të parë i harroi problemet dhe u bashkua, si për të vënë në vend ëndrrën e Ismail Qemalit.

Ngritja e Flamurit në Vlorë

Ora 10:05 Shqipëri Gëzuar ditëlindjen, pas 100 vjetësh ngrihet flamuri në Vlorë. Ngritja e Flamurit kombëtar kuq e zi me shqiponjën dykrenore është shoqëruar me të shtëna topi dhe mes brohoritjeve të mijëra shqiptarëve të cilët kanë mbushur sheshin e Flamurit në Vlorë. Pas ngritjes së flamurit nga Presidenti Bujar Nishani i shoqëruar nga kryetari i Bashkisë Vlorë, Shpëtim Gjika, personalitetet të larta nga Shqipëria dhe Kosova kanë vendosur kurora me lule në varrin e Ismail Qemalit. Në varrin e burrit të shtetit vendosën kurora me lule autoritete të larta, që nga Presidentja e Kosovës, Jahjaga, kryeparlamentarja Jozefina Topalli, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, Kryeministri Sali Berisha, Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, kreu i PS-së, Edi Rama dhe me radhë ministrat e kabineteve qeveritare.

Homazhe në monumentin e Pavarësisë dhe mbi varrin e Ismail Qemalit

Ora 10:15- Pas ceremonisë së ngritjes së flamurit kombëtar në Sheshin e Flamurit në Vlorë, autoritetet më të larta shtetërore nga Shqipëria dhe Kosova, përfaqësues të politikës, trupit diplomatik dhe qytetarë të shumtë zhvilluan homazhe në Monumentin e Pavarësisë dhe vendosën kurora me lule në varrin e Ismail Qemalit. Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama etj., zhvilluan homazhe dhe vendosën kurora me lule sipas ceremonialit zyrtar të përcaktuar nga protokolli i shtetit. Me mijëra shqiptarë nga mbarë trevat shqiptare kanë mbushur Sheshin e Flamurit në Vlorë ku po zhvillohet ceremonia zyrtare që shënon edhe nisjen e kremtimeve për 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë.

Nishani e Gjika presin tortën

Ora 10:21- Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bujar Nishani dhe Kryebashkiaku i Vlorës Shpëtim Gjika prenë bashkë super tortën simbolike të festës së Flamurit kombëtar e përgatitur me rastin e 28 Nëntorit. Torta ka tri simbolet kryesore të qytetit të Vlorës flamurin, i cili do të jetë mbi 5 metra, Ismail Qemalin dhe Sheshin e Flamurit. Dy bustet u derdhen në çokollatë, ndërsa torta ka shijen e luleshtrydhes dhe çokollatës dhe është e gjatë 12 metra.

Korçë ngrihet Flamuri

Ora 10:29- Kreu i Bashkisë së Korçës Niko Peleshi ngriti Flamurin e Pavarësisë në qytetin e Korçës. Mijëra qytetarë korçarë kanë mbushur sheshin kryesor të qytetit juglindor.

Vlorë, Gjika: Bashkim në të gjitha dimensionet!

Ora 10:29- Fjalën e parë pas ngritjes së flamurit dhe homazheve tek varri i Ismail Qemalit, e mori Kryebashkiaku i Vlorës, Shpëtim Gjika. “Ja tek erdhëm sot në këtë ditë fatlume, të bekuar. I gjithë kombi i ka kthyer sytë nga qyteti ynë i bukur tek ky shesh i bekuar që mban emrin e bekuar ‘Sheshi i Flamurit'”, tha Gjika.

Nishani: Sot Shqipëria me ëndrra dhe shpresa për të ardhmen

Ora 10:35 Kreu i shtetit Bujar Nishani e vlerësoi ditën e Flamurit si ngjarjen më të bukur për Shqipërinë. “Ditëlindja e 100 e shtetit shqiptar është ngjarja më e bukur për çdo bashkëkombës kudo ku jeton në Shqipëri dhe jashtë saj. Të gjithë sot e festojmë të bashkuar, të lirë të fortë dhe me miq të shumtë. Kam nderin dhe privilegjin t’i ndaj me ju këto çaste me anë të këtij mesazhi”, tha Nishani.

Marshimtarët e Gjilanit i dorëzojnë Nishanit Flamurin Kuq e Zi

Ora 10:57- Marshimtarët e nisur nga Gjilani me këmbë mbërritën sot në Vlorë dhe i dhuruan Presidentit të Republikës Bujar Nishanit flamurin kuqezi. Njëri prej tyre deklaroi se erdhën në Vlorë për të vënë në vend amanetin e etërve të tyre. “Prumë deri këtu amanetin e dëshmorëve që dhanë jetën për këtë ditë. Uroj që nga sot të jemi të gjithë të bashkuar”, tha ai.

Gjirokastër, përkujtohet dita e Pavarësisë

Ora 11:17- Me rastin e 28 nëntorit, 100- vjetorit të Pavarësisë Kombëtare, përfaqësues të pushtetit lokal, të institucioneve shtetërore, banorë të Gjirokastrës etj, kanë bërë paraditen e sotme homazhe dhe kanë vendosur në monumentin e Heroit të Popullit, Çerçiz Topulli, tufa dhe kurora me lule. Homazhe në monumente të figurave historike që kanë luftuar për pavarësinë e vendit janë zhvilluar edhe në qytetet e Tepelenës, Përmetit etj..

PS çel ekspozitën e Flamujve në Vlorë

Ora 11:15 Partia Socialiste ka çelur mesditën e djeshme ekspozitën e flamujve në teatrin ‘Petro Marko’ të Vlorës. Kreu i PS-së Edi Rama gjatë fjalës së tij përshëndetëse, vlerësoi 100 -vjetorin e Pavarësisë si moment historik që sipas tij do shërbejë si moment reflektimi për të ardhmen .

Emigrantja  që trashëgoi Flamurin 100 -vjeçar

Ora 11:37- Një surprizë e kësaj ekspozite ishte edhe një flamur 100 -vjeçar, që një emigrante shqiptare në Athinë e kishte të trashëguar në breza. Duke rrëfyer historinë ajo tha: “Mbaj në duart e mia një flamur 100- vjeçar. Ky flamur në vitin 1912 u mor me vete nga një emigrant i rrethit të Vlorës që shkoi në Aleksandri të Egjiptit, ai e mbajti në murin e shtëpisë së tij për vite me radhë. Pas vdekjes së plakut të mirë ia dhuroi të birit që quhej Petro, e ai të bijës që jeton në Athinë. Unë do ua trashëgoj fëmijëve të mi dhe ndjehem krenare për të”.

 Tiranë, maxhoranca përkujton më 28 Nëntor Ditën e Çlirimit, duke mohuar 29 Nëntorin

Ora 13:23- Homazhe tek Varrezat e Dëshmorëve, maxhoranca përkujton më 28 nëntor edhe ditën e Çlirimit. Kryeministri Berisha, Kryeparlamentarja Topalli e të tjerë vendosën në Monumentin Nënë Shqipëri, te Varrezat e Kombit lule, duke mohuar kësisoj, 29 Nëntorin, si datën e Çlirimit të Shqipërisë.

25 mijë shqiptarë të Maqedonisë vijnë në Shqipëri

Ora 13:44 Rreth 25 mijë shqiptarë të Maqedonisë kanë kaluar në 24 orë kufirin drejt Shqipërisë. Shqiptaro-maqedonasit kanë kaluar në pikën kufitare të Qafë Thanës për t’ju bashkangjitur festimeve në Vlorë dhe Tiranë. Burime kufitare bëjnë me dije se kanë kaluar rreth 3 mijë automjete, 101 autobusë dhe 51 furgona.

Kryeministrat presin tortën e Pavarësisë, e cila shkelet më vonë me këmbë

Ora 14:14 Kryeministri i vendit Sali Berisha, i bashkëshoqëruar nga kryeministri i Kosovës Hashim Thaci dhe presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, Kryetari i Bashkisës Lulzim Basha dhe shumë personalitete të tjera shqiptare dhe kosovare mbërritën në qendrën e kryeqytetit shqiptar në rreth orës 14:14. Kryebashkiaku Basha presë tortën gjigande me kryeministrin Berisha dhe presidenten Jahjaga.

Dreka në Tiranë, bojkoton PS-ja

Ora 14:47- Një drekë e organizuar në Hotel Sheraton është mbajtur për nder të personaliteteve të mëdha të huaja dhe shqiptare me rastin e 100- vjetorit të Pavarësisë. Këtë drekë e bojkotoi PS-ja dhe mospjesëmarrja e PS-së simbolizon mosdakortësinë e saj, që festimi i 28 Nëntorit, u bë e ndarë në Vlorë dhe në Tiranë.

Berisha në paradën ushtarake: Zoti e bekoftë Flamurin e Skënderbeut

Ora 17:10- Kryeministri Sali Berisha përshëndeti paradën e 100-vjetorit të Pavarësisë së Forcave të Armatosura të Shqipërisë. Duke iu drejtuar qytetarëve shqiptarë, shefi i qeverisë theksoi se çdo shqiptar është sot zot i kësaj toke.

Përfundon parada ushtarake, fishekzjarrët ndezin qiellin e Tiranës

Ora: 17:50- Parada madhështore e ushtrisë u përmbyll mes brohoritjeve të njerëzve e fishekzjarrëve të shumta që ndezën qiellin e Tiranës në këtë mbrëmje festive. Pavarësisht reshjeve të shiut, qytetarët qëndruan në sheshin “Skënderbej” dhe nderuan ushtarakët që parakaluan përpara tyre.